Home KRYESORE Sjellja në kujtesë e gjesteve humanitare është kurdoherë e vlefshme.

Sjellja në kujtesë e gjesteve humanitare është kurdoherë e vlefshme.

Kur familja Kika i falte komunitetit tiranas 5000 metra katror truall.

Nga Shpëtim Luku

Diku nga viti 2005 një linjë financimi e komunitetit europian u destinua për ndërtimin e objekteve arsimorë në Shqipëri.

Mirëpo që këto financime të bëheshin konkrete e të trupëzoheshin në formen e një ndërtese shkollore kishte një kusht. Duhej që toka ku do ndërtohej objekti të ishte pronë e komunitetit ose e bashkisë. Çka do të thotë se nëse nuk plotësohej kushti i dytë, humbej edhe financimi i BE-së. Mirëpo në këtë botë ka edhe njerëz brilantë, humanistë të pashoq, fisnikë të vërtetë, të cilët në raste të tilla peshojnë interesin e tyre privat me atë publik e kur peshorja e interesit e përfitimi më i madh anon nga publikja, atëhere bëjnë atë veprim, i cili as nuk mund të imagjinohet nga shumica e njerëzve të tjerë.

Sikurse ka vepruar Familja Kika në Tiranë në vitin 2005, duke i dhuruar komunitetit 5000 metra katror tokë, në të cilën më pas do të ndërtohej shkolla Atë Zef Pëllumbi. Sigurisht që në perceptimin kolektiv, ky është një gjest i pazakontë human në një ambient të toksifikuar, ku egoizmi individual ka kapur majat, ku degradimi moral është bërë një fenomen masiv, ku lakmia për pasuri e katandi me çdo mjet e mënyrë nuk po njeh kufi.

Por për familjen Kika ky dhurim ishte dëshmi e vlerave të larta njerëzore, tregues i një botëkuptimi fisnik, sipas të cilit “pasuria nuk duhet të shërbejë plr të kënaqur egot tona, por për të ndihmuar të tjerët të ndihmojnë veten”- sikurse thote Andrew Carnegie.

Ndaj, sjellja në kujtesë e gjesteve të tilla humanitare është kurdoherë e vlefshme.

Share: