Home KRYESORE Programi izraelit i spiunimit, lista e vendeve që e kanë përdorur

Programi izraelit i spiunimit, lista e vendeve që e kanë përdorur

Zbulimet e një konsorciumi ndërkombëtar të gazetarëve investigues në lidhje me programin e mbikëqyrjes “Pegasus” të kompanisë izraelite NSO Group, kanë tronditur komunitetin ndërkombëtar.

Vlerësohet se më shumë se 50,000 numra telefoni, kryesisht të gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, po monitorohen për një kohë të gjatë përmes softuerit në fjalë. Ky program spiunimi i avancuar mund të ketë qasje në gjithçka që përmban një celular modern: e-mail, foto, video, biseda personale. Sipas një artikulli të Deutsche Welle, gazetari hungarez Sampolks Pani nga rrjeti Direct36 është një nga rreth 180 gazetarë që raportohet se janë në listat e vëzhgimit të softverit Pegasus.

“Ju mund të aksesoni takimet e mia, fotot e mia personale, videot e mia. Kamera dhe mikrofoni i telefonit tim celular mund të ndizen nga dikush tjetër. Është tronditëse sepse mund të çojë në një mbikëqyrje të plotë,” tha gazetari hungarez.

Nga telefoni celular i Emmanuel Macron te Charles Michel

Por përveç gazetarëve, celularët e krerëve të shteteve dhe qeverive ose zyrtarëve të tjerë të rangut të lartë mund të kenë qenë shënjestra të mbikëqyrjes përmes Pegasus. Listat në fjalë përfshijnë numrin e telefonit celular të Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidentit Francez Emanuel Macron, sipas gazetës Le Monde, e cila mori pjesë në investigimin gazetaresk.

Zëdhënësi i qeverisë franceze Gabriel Atal tha: “Zbulimet që kanë dalë tani në dritë janë tronditëse. Nëse pretendimet rezultojnë të vërteta, gjërat do të jenë të vështira”. Në fakt, Maroku thuhet se qëndron pas mbikëqyrjes së celularëve të Charles Michel dhe politikanëve francezë, gjë që ambasada e vendit në Paris e mohon.

Një numër i madh i telefonave të spiunuar vijnë gjithashtu nga Meksika, mbi 15 mijë. Meksika ishte vendi i parë që bleu softuerin e diskutueshëm izraelit të spiunazhit në vitin 2011. Në fakt, vrasja e gazetarit meksikan Cecilio Pinienta Birto në 2017 mund të ketë lidhje me mbikëqyrjen e Pegasus.

Lista e madhe e vendeve kliente

Gazetarë nga Azerbajxhani, siç është gazetarja hulumtuese Kadyya Ismailova, gjithashtu duket se janë në shënjestër të Pegasus. Pegasus gjithashtu mund të jetë i lidhur me vrasjen brutale të gazetarit saudit Jamal Kasogi në konsullatën e përgjithshme saudite në Stamboll në 2018. Sipas Amnesty International, telefoni celular i të fejuarës së Kasogi ishte gjithashtu dixhital. Emiratet e Bashkuara, India dhe Ruanda janë disa nga vendet e tjera ku softueri i diskutueshëm duket se është përdorur për qëllime të paligjshme.

Nga ana e tij, Christian Mir i Reporterëve pa Kufij bën thirrje për një shtrëngim të menjëhershëm të ligjit ndërkombëtar për shpërndarjen e një programi të tillë.

“Na duhet një regjim i sanksioneve globale, i cili në mënyrë efektive do të ndalojë dhe vendosë sanksione mbi vendet që eksportojnë softuerë të ngjashëm në regjime autoritare.” Kjo sepse teknologjia e tillë është armiqësore ndaj lirisë së shtypit dhe në rastin më të keq mund të rrezikojë jetën e njeriut./Opinion.al

Share: