Nga Azem Parllaku
Talebanët e kanë origjinën e tyre nga fillimi i konfliktit në Afganistan gjatë pushtimit Sovjetik 1979-1989. Atëkohë pushtimi Pakistani në bashkëpunim me SHBA-të dhe Arabinë Saudite financuan një luftë me qëllim largimin e sovjetikëve nga Afganistani. Për këtë qëllim u krijua Byroja Afgane tek ISI (Shërbimi Sekret i Pakistanit) Byroja afgane nën drejtimin e gjeneral Mohammad Yousaf, stërviti dhe drejtoi në luftë rreth 55.000 muxhahedinë, kryesisht afganë dhe pakistanezë, por edhe rreth 15.000 shtetas nga vendet e Gjirit Persik, Algjeria, Libia, Turqia, Bosnja, Çeçenia, etj.
Pas largimit të sovjetikëve, Pakistani duke qenë se në vendin e tij kishte 3.5 milionë refugjatë afganë, filloi rekrutimin e të rinjvë afganë nga medresetë e Pakistanit me qëllim që në të ardhmen të instalonte një qeveri afgane pro Pakistanit. Për këtë qëllim u krijua Lëvizja e Talebaneve (studentët). Pas përfundimit të luftës me sovjetikët, drejtuesit e partive filluan një luftë civile me qëllim kontrollin e Afganistanit.
Në vitin 1994, Lëvizja e Talebanëve nën drejtimin e Mullah Mohammad Omarit me mbështetjen e ISI-it, mori kontrollin e Kandaharit, e vitin 1997 morën nën kontroll dhe Kabulin duke deklaruar krijimin e Emirateve Islamike të Afganistanit.
Në vitin 1996 me ftesë të Mullah Omarit në Afganistan erdhi Osama bin Ladeni me rreth 2000 muxhahedinë arabë, duke krijuar universitetin e xhihadizmit dhe terrorizmit nëpërmjet kampeve të stërvitjes së terrorit. Terroristët e stërvitur realizuan mbi 4000 sulme terroriste në SHBA, Europë, Afrikën Veriore dhe Lindore, në Saleh, Magreb, Somali, Algjeri, Arabinë Saudite, Turqi, Jemen, Azinë Juglindore, etj.
Kulmi ishte 11 shtator 2001, që shënon një tragjedi njerëzore, si pikë kthese duke shkëputur fenomenin e sipërfaqshëm nga prirjet e nëndheshme, duke shkaktuar rënien e një të ardhme të vetëkënaqur dhe duke kërkuar një vizion të ri për të ardhmen. 11 shtatori u shfaq si një sfidë themelore për shoqëritë civile kudo në botë. Synimi ishte morali dhe mënyra e jetesës. Kjo është ajo që shkaktoi mbështetjen e madhe të presidentit Bush dhe aleatëve të SHBA-së, duke e përcaktuar sfidën qysh në fillim si luftë.
Dhe në një luftë, nuk është e mjaftueshme të durosh, thelbësore është të fitosh.
Prej 20 vitesh SHBA dhe NATO garantuan sigurinë globale dhe reduktimin e rrezikut shumëdimensional prej atij rajoni. Çuditërisht, megjithë ndihmën e tërë këtyre viteve prej SHBA-ve dhe NATO-s, qeveria dhe shoqëria afgane nuk e morën përsipër përgjegjësinë e tyre mbi vendin e vet, asnjëherë e as në ditët e fundit.
Sot kur afganët e lëshuan gjithçka, mësimi është se, disa nga të vërtetat e mirëqena rreth globalizmit, nuk vlejnë për atë pjesë që ushqen terrorin. Ky segment duket i motivuar nga një urrejtje ndaj vlerave të Perëndimit, kaq thellë sa përfaqësuesit e tij janë të përgatitur të përballojnë vdekjen, të bëhen dezertorë, të shkaktojnë vuajtje, e të vuajnë, në emër të shkatërrimit të shoqërive tona, në emër të asaj që ata e quajnë përplasja e vlerave të papajtueshme.