Mjafton vetëm e vërteta
Nga Patrik Sadikaj
Saimir Koreshin ndryshe nga shumë të tjerë, nuk e njoha prej fjalës së tij në Parlament.
E kam njohur prej disa kohësh dhe kam pasur edhe fatin të takohem me të në aktivitete politike dhe fjala e tij e “famshme” ishte vetëm konfirmim tek unë për atë Saimir që kisha njohur. Prej afro 2 vitesh Saimiri është kryetar i PD në Lushnje dhe tashmë ai përfaqëson lushnjarët e tij në Parlament.
E kam dëgjuar me ëndje fjalën e tij dhe jam kënaqur. E dëgjova dhe sot kur tregonte realitetin e fermerëve të Lushnjes dhe logjikisht të të gjithë Shqipërisë dhe po ashtu u kënaqa.
Unë angazhimin tim modest në politikë (modest sepse ende skam bërë asgjë) e ka ndërmarrë pikërisht për të qenë një Saimir. Pra për të qenë zëri i qytetarëve, jo për të zënë hapësirat mediatike për të dhënë mend sa për Trump e sa për Biden. Djali i Lushnjes e ka nisur mbarë të bëjë këtë. Normalisht unë, por edhe ai, e di që nuk është koha e idealistëve, por ama ka gjithsesi shpresë. Një deputet i vërtetë është ai që flet për popullin dhe njësoj si populli, thjeshtë por drejt.
Pa u shfaqur si gjithollog që ndërton gjeostrategji globale siç shpesh ngatërrohen ata që në sallën e Parlamentit vijnë në emër të popullit.
Që pres fjalës së tij në Parlament, shumë gazetarë më kanë kërkuar numrin e tij të telefonit dhe kanë vrapuar me mikrofona në duar për ta marrë intervistë personazhin e momentit. Por të them të drejtën jam zhgënjyer prej kolegëve gazetarë. Pyetjet që Saimiri u detyrua tu përgjigjet nuk kishin asnjë lidhje me atë që ai ngriti me shqetësim.
E pyetën për gjithçka, vetëm për dramën e fermerëve apo për miun në spitalin e Lushnjës nuk e pyeti njeri. Nuk pashë një gazetar ta merrte Saimirin e të shkonte në arat e baltosur, në lagunën pa peshq, apo në spital me minj e të kërkonin zgjidhje për këto probleme! Jo, nuk e bënë.
Ashtu siç nuk kërkuan as përgjigje nga Flutura Açka se pse ai Parlament është kaq i mjerë.
Nuk e bëjnë jo se nuk duan, por sepse nuk jemi mësuar me deputetë të vërtetë që halli i tyre nuk është shfaqja në politikën e madhe, por që halli i tyre janë njerëzit e varfër e të thjeshtë të këtij vendi, ata që kur fliste Saimiri ishin në arë duke punuar apo në mal duke kullotur bagëtitë.
E pra, Saimiri është djalë i shkolluar dhe shumë më intelektual se shumë prej kolegëve të tij që shesin dëngla nga foltorja apo në banakët e studiove televizive, por ka shkuar në Parlament si një prej atyre votuesve të tij.
E dini se pse na pëlqeu?!
Na pëlqeu se ai nuk u shtir. Nuk zgjodhi fjalë të mëdha. Ai na pëlqeu se zgjodhi fjalë të vogla me të vërteta të mëdha.
Saimiri mbase do bëhet si të tjerët pas disa kohësh, por hë për hë e shoh vërtet me këmbë në tokë.
Shumë kolegë të tij sot e kanë zili Saimirin, por nuk bëhen dot si ai, sepse do tu duhet të shtiren. E bëri njëri sot, që kishte lënë diku në parkim makinën luksoze dhe kishte nxjerrë biçikletën sa për të bërë një lajm me foto në media. Por ishte foto e shëmtuar sepse nuk ishte e vërtetë si fjala e ndjerë e deputetit të Lushnjës. Hallin e fermerëve e qau dhe ish-zëvendëskryeministri që për ironi është deputet në të njëjtën zonë, por ngjante më shëmtuar se fotoja e biçikletës.
Saimiri ia hodhi në kosh gjithë përrallat me fermerë të lumtur e me treg europian të Myzeqesë.
Ky është modeli i deputetit që duan qytetarët. Mjafton të lexoni komentet poshtë fjalimit të tij dhe kuptohet fare lehtë se pse deputeti i Lushnjes është modeli që duan shqiptarët.