Home KRYESORE Mijëra qytetarë të dënuar se kanë ofenduar Erdogan, kërkohet ndryshimi i ligjit

Mijëra qytetarë të dënuar se kanë ofenduar Erdogan, kërkohet ndryshimi i ligjit


Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut, i ka bërë thirrje Turqisë që të ndryshojë ligjin për ofendim të presidentit, nën të cilin janë gjykuar mijëra persona.

Sipas kësaj Gjykate, ndëshkimi nën këtë ligj përbën shkelje të së drejtës për liri të shprehjes.

Vedat Sorli është dënuar me 11 muaj burgim më 2017, për shkak të një karikature të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilën e ka shpërndarë në Facebook, bashkë me komente tjera satirike dhe kritike.

Gjykata ka thënë se nuk ka pasur arsyetim për ndalimin e tij apo sanksionimin penal.

“Një sanksion i tillë ka pasur ndikim në gatishmërinë e një personi për të shprehur pikëpamjet e tij në çështje të interesit publik”, është thënë në vendim.

Mijëra persona janë dënuar për ofendim të Erdoganit, prej kur ai ka kaluar nga zyra e kryeministrit, në atë të presidentit.

Prej vitit 2014, kur ai është bërë president, kanë nisur mbi 160,000 hetime për ofendime kundër Erdoganit, dhe mbi 12,000 persona janë dënuar.

Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut, ka thënë se ligji për ofendim të presidentit, i ofron kreut të shtetit një status të privilegjuar rreth informacionit dhe opinionit për të.

Ajo ka thënë se ligji duhet të ndryshohet për t’u siguruar që njerëzit të jenë të lirë për të folur hapur rreth ideve të tyre.

Share: