Nga Mentor Kikia
Lajmi për vdekjen e Aaranit Çelës, prokurori monstruoz i diktaturës, që dërgoi dhjetra njerëz në varr e qindra të tjerë nëpër burgje, mori shumë vemendje. Gjatë 24 orëve të fundit kam lexuar aq shumë etiketime dhe akuza për të sa nuk ishin thënë gjatë 30 viteve post-dikaturë. Pretencat e tij nuk ishin juridike, por fjalime politike, prej një sekretari partie.
Aranit Çela rrojti sa deshi e si deshi. Pleqërinë e shtyu më së miri, mes njerëzve të tij dhe vdiq në shtrat, në pritje të mbushte një shekull jetë. Nuk e zuri as haka(sikundër thuhet se ndodh) e atyre e masakroi e u mori jetën vetem sepse ishin më të ditur se ai dhe soji i tij. Si ky vdiqën të gjithë ata që kishin lyer duart me gjakun e njerëzve të pafajshëm.
Kjo është një nga arsyet e mëdha se përse ne vazhdojmë të tërhiqemi zvarrë si shoqëri. Ne nuk dimë të bëjmë drejtësi, nuk dimë të ndajmë epokat.
Në 1990, ra vetëm qeveria komuniste – mos ju gënjejë mendja se e rrëzuam ne studentët me Sali Berishën në krye. Ajo kishte falimentuar dhe u shemb. Por, pas kësaj ne nuk e shkulëm komunizmin, nuk i ndëshkuam njerëzit që kishin bërë krime, nuk bëmë drejtësi.
Në vend të komunizmit, ne shkulëm me rrënjë e me degë ekonominë që ishtë ngritur në kohën e komunizmit.
Shkulëm nga themelet çdo fabrikë e uzinë, i shitën për skrap në Mal të Zi. Shkulëm plantacionet e agrumeve, vreshta, ullishta, sera….hekurudha, kanale vaditëse, rrafshuam dhe dogjëm çdo gjë që kishim ngritur me djersën dhe gjakun tonë.
Por komunizmin dhe kriminelët e tij jo.