Home KRYESORE Në Romë ndodhi një ngjarje e rëndë, mediat shqiptare e dhanë përgjithësisht...

Në Romë ndodhi një ngjarje e rëndë, mediat shqiptare e dhanë përgjithësisht keq!

Nga Rando Devole

Të shtunën e kaluar, më 9 tetor 2021, në Romë ndodhi një ngjarje e rëndë. Selia e sindikatës CGIL në Romë pësoi një sulm të dhunshëm nga ana e manifestuesve që janë kundër “Green Pass” për Covid-19. Në këtë sulm morën pjesë eksponentë të djathtës ekstreme të Forza Nuova (Forca e Re).

Të gjitha institucionet italiane, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Kryetarët e dy Dhomave të Parlamentit dhe deri tek ministrat e liderët politikë, me shumë të drejtë, i shprehën solidaritet organizatës sindikale që u bë objekt i agresionit të dhunshëm. Pjesa dërmuese e forcave politike dhe e vëzhguesve panë në këtë akt origjinën fashiste dhe dukurinë e skuadrizmit. Landini (Cgil) e konsideroi këtë sulm si “një plagosje e demokracisë” dhe si “akt ofendues ndaj Kushtetutës që lindi nga Rezistenca”, por që nuk e frikësonte aspak. Sindikatat e tjera i dolën në krah duke e dënuar ashpër këtë akt skuadrist dhe i shprehën jo vetëm solidaritetin më të ngushtë, por u bashkuan me të duke njoftuar një manifestim unitar. Sbarra (Cisl) nënvizoi se ky akt i dhunshëm evokon vitet e errëta të historisë italiane, duke njoftuar se do të marrë pjesë në manifestimin e ardhshëm antifashist për demokracinë, punën, pjesëmarrjen e për të ritheksuar vlerat e Kushtetutës. Bombardieri (Uil), duke i shprehur solidaritetin e vet, e quajti sulm fashist të kryer nga skuadristë që bërtasin “liri” por që në fakt përdorin dhunën.

Mendoj se, përveç dënimit të fortë ndaj këtij akti të dhunshëm e përveç solidaritetit që fuqimisht i duhet shprehur sindikatës CGIL, është e domosdoshme edhe një përgjigje e përbashkët e të gjitha forcave demokratike, shoqërisë civile, forcave të punës, institucioneve, etj. për të treguar se demokracia nuk ka frikë dhe i bën ballë sulmeve të tilla duke ripohuar vlerat e Kushtetutës.

Me pak fjalë, ajo që ndodhi të shtunën në Itali ishte një lajm i rëndësishëm për fqinjin tonë, por që mediat shqiptare e dhanë përgjithësisht keq, ndonjëherë me gabime e në mënyrë sipërfaqësore, ose e anashkaluan me heshtje ose konfuzion. Kjo duket pak si e habitshme, ndërkohë që nga vendi fqinjë botohen lajme me shumicë edhe për gjëra të parëndësishme, ose të një peshe relative. E pra, ekspertët për t’i shpjeguar këto dukuri nuk mungojnë, po të kemi parasysh gjithashtu numrin, sikundër cilësinë, e diasporës shqiptare në Itali.

Përse ndodhi kjo? Arsyet duhen analizuar thellë, por mund të fillojmë me disa prej tyre.

Pikë së pari, duhet pranuar se mediat shqiptare dhe opinioni publik janë aktualisht të përqendruar në frontin e brendshëm: nga një anë kriza energjetike dhe deklaratat e Kryeministrit, nga ana tjetër dinamikat gjithnjë e më të ndezura brenda Partisë Demokratike. Për të mos përmendur premierën e filmit 007 dhe paraqitjen luksoze të parisë shqiptare, që shkaktuan debate e tallje në rrjetet sociale. Diku përqendrimi e diku hutimi bënë që vëmendja të zhvendosej gjetiu.

Së dyti, kemi të bëjmë me mungesën e mjeteve njohëse dhe interpretuese të realitetit italian, i cili duket i thjeshtë, ngaqë i afërt e familjar, por nuk është i tillë, sidomos kur kemi të bëjmë me dinamika politiko-sociale komplekse që vijnë edhe nga historia. Vetë fjalët “skuadrizëm”, “skuadrist”, etj. janë të panjohura për publikun e gjerë shqiptar. Në fakt, skuadrizmi vjen nga “skuadrat e veprimit”, një dukuri politiko-sociale që u verifikua në Itali në vitet 1919-1924 dhe që u përhap shumë gjatë fashizmit, me të cilin ushtrohej dhunë kundër organizatave kundërshtare. Detyra e skuadrave fashiste të veprimit ishte të frikësonin e të shtypnin qendrat e punëtorëve dhe të organizatave që i konsideronin armike. Në gjuhën politike, më vonë ka hyrë fjala “neoskuadrizëm” që përshkruan dhunën e grupeve të së djathtës ekstreme, që duan të riorganizojnë Partinë Fashiste duke përdorur qëndrimet dhe simbolet e saj (shiko Enciklopedinë Treccani).

Së treti, është e vështirë të flasësh në Shqipëri për rolin e sindikatave dhe shoqërisë civile për ndërtimin dhe mbrojtjen e demokracisë, sikurse është e vështirë të shpjegosh lidhjen e Kushtetutës me forcat sociale (le të kujtojmë se Kushtetuta italiane i përmend shprehimisht sindikatat). Kjo sepse kultura politike shqiptare është thelbësisht antisindikale, deri në atë pikë saqë Kryeministri shqiptar Rama është mburrur për faktin se në Shqipëri nuk ka sindikata (sic!). Nga ana tjetër kultura piramidale, ose më mirë e njëshit, që vjen nga kulti i personalitetit dhe është instaluar prej kohësh, nuk e pranon ekzistencën e trupave të ndërmjetëm, ose të shoqërisë civile lirisht të organizuar, dhe aq më pak kontributin e tyre në favor të demokracisë dhe lirisë.

Të shpjegosh tjetrin nuk është e lehtë, por është e nevojshme për të kuptuar vetveten.

Share: