Home KRYESORE Përtej mësueseve që u përleshën me kuç e me maç

Përtej mësueseve që u përleshën me kuç e me maç

Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’, Çapajev Gjokutaj

Dy mësuese të njjë gjimnazi në Tiranë janë pezulluar nga puna se u përleshën me njera tjetrën, jo për flokësh po me taborre: të afërm të njerës me të afërm të tjetrës. Në lokalin ku u përleshën, mes klientëve dhe ngjitur me shkollën, nuk pati vetëm thyerje karrikesh por edhe të shtëna me armë. Në fakt ky ishte epilogu i denjë i një sage të gjatë grindjesh, që kishin zënë fill dy javë të shkuara koridoreve të shkollës e në sy të nxënësve.

Grindjet që mahisen e perfundojnë në përleshje me kuç e me maç janë të denueshme kudo që të ndodhin, jo më në shkollë e pranë saj dhe në prani të nxënësve. Mesuesit kanë për detyrë t’i formojnë fëmijët dhe të rinjtë jo vetëm me dijet që përcjell lënda, por edhe me shembullin moral e qytetar.

Natyrisht zënka e përleshje si kjo s’janë veçse rastësi dhe aksidente, ndaj nuk ka pse të përgjithesojmë e t’i fusim të gjithë edukatorët e brezit të ri në thesin e stigmës e të denigrimit. Gjithsesi duke pohuar këtë bëjmë mirë rë mos harrojmë se shoqëria jonë e sotme ka një problem jo të vogël me mësuesin dhe imazhin e tij publik.

Në shoqërinë tradicionale mësuesi ishte pjesë e elitave lokale. I shkolluar e i ditur, çmohej e respektohej nga bashkësia që, në një pjesë të konsiderueshme ishte me arsim bazik apo edhe analfabete. Figura e mësuesit e vlerësuar nga gjithë bashkësia shtonte vlerat ndikuese dhe synonte të bëhej model.

Modelet e shoqërisë së sotme duket se nuk janë më mësuesit, intelektualët, shkencëtarët etj. por politikanët dhe artistët. Kur thua artistët, nuk ke parasysh kompozitorët, piktorët, skulptorët, regjizorët por kryesisht aktorët dhe këngëtarët, mundësisht këngëtarët e tallavasë.

Është kjo një vendosje kokëposhtë e piramidës së vlerave, po ç’ti bësh, masmediat nuk bëjnë dot pa interes e pa klikime.
Figura e mësuesit, që do të bëhej model e do të rrezatonte tek fëmijët dhe më gjerë, rrezikohet edhe nga një cen tjetër i mediave, cen që përmblidhet në moton ‘lajm i mirë është lajmi i keq’.

Mësuesit, të shtyrë në periferinë e hapsirës mediatike nga politikanët, artistët e tallavasë etj., dalin në lajme dhe tërheqin vemendjen e publikut vetëm kur ndonjëri prej tyre kryen veprime skandaloze. Rrjedhimisht mësuesi që shfaqet rëndom në mediat tona nuk është edukatori, qytetari që punon me pasion paçka se paguhet keq, por perversi që ngacmon seksualisht nxënëset, xhambazi që kërkon pare në këmbim të notës a të kurseve private etj. etj.

Duke krijuar e popullarizuar një model të tillë delikuent e përdhosës për mësuesin, sfumojmë punën fisnike të një armate të tërë, madje e godasim mësuesin në një vlerë thelbësore. Mbase në vlerën më të rendësishme, rrezatimin moral. Personaliteti i mësuesit, thoshte një psikiatër i famshëm, vlen më shumë se sa dijet që ai jep.

Share: