Home KRYESORE Vendimi i Këshillit të Ministrave/ Kush do të mbrohet nga Garda e...

Vendimi i Këshillit të Ministrave/ Kush do të mbrohet nga Garda e Republikës, mes tyre edhe Basha

Lista e personave dhe institucioneve që do të mbrohen nga Garda e Republikës është publikuar ditën e sotme përmes vendimit të Këshillit të Ministrave.https://446b46c9022127223ddd02bc4332f897.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

Mes personave që do të mbrohen nga garda është edhe Lulzim Basha si Kryetari i partisë më të madhe të opozitës parlamentare në vend.

Gjithashtu, sipas vendimit është edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Edhe kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani dhe Kryenegociatori për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi gjithashtu do të mbrohen nga Garda.

Garda ka për detyrë të mbrojë edhe bashkëshortin, bashkëshorten dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të Presidentit, të kryetarit të Kuvendit e të Kryeministrit, kur ka informacione nga strukturat ligjzbatuese se kërcënohet jeta e tyre.

Gjithashtu dhe banesat e zëvendëskryeministrit, ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë; drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit; prokurorit të Përgjithshëm dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Vendimi i plotë:

1. Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron edhe këto personalitete:

a) Prokurorin e Përgjithshëm;
b) Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit;
c) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ç) Kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare;
d) Kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare;
dh) Anëtarët e Këshillit të Ministrave;
e) Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;
ë) Kryetarin e Bashkisë së Tiranës;
f) Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
g) Kryetarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
gj) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave;
h) Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
i) Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve;
j) Kryetarin e komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerët Publikë, vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
k) Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri;
l) Pjesëtarët e familjeve, si: bashkëshorti, bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të Presidentit, të kryetarit të Kuvendit e të Kryeministrit, kur ka informacione nga strukturat ligjzbatuese se kërcënohet jeta e tyre.

2. Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron banesat ku jetojnë apo akomodohen dhe objektet ku ushtrojnë veprimtarinë edhe këto personalitete:

a) Banesat e:

i. Zëvendëskryeministrit;
ii. ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë;
iii. drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit;
iv. prokurorit të Përgjithshëm;
v. ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

b) Objektet ku ushtrojnë veprimtarinë:

i. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
ii. Prokuroria e Përgjithshme.

c) Objektet ku zhvillojnë veprimtarinë dhe akomodohen personalitetet shtetërore, konkretisht:

i. Në Tiranë: vila nr.4, vila nr.30, vila nr.31, Pallati i Brigadave;
ii. Në Dajt: vila nr.1, vila nr.2;
iii. Në Durrës: vila nr.6, vila nr.13, vila nr.20, vila nr.23,vila nr.29;
iv. Në Vlorë: vila nr.1,vila nr.2, vila nr.6, vila nr.9; vila Dhërmi;
v. Në Pogradec: vila nr.2, vila nr.3, vila nr.4, vila nr.5;
vi. Në Shkodër: vila Velipojë.

ç) Objekte të tjera:

i. Në Tiranë: Parku i Delegacioneve, Parku i Kryesisë së Kuvendit; Klinika qeveritare;
ii. Në Kërrabë: vendkomanda e përgjithshme, për kohë të veçantë;
iii. Në Linzë: objektet, ku ruhen e mbrohen rezervat, për kohë të veçantë;
iv. Në Dajt: vendkomanda e përgjithshme, për kohë të veçantë.

3. Automjetet, që përdoren për ruajtjen e shoqërimin e personaliteteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, vihen në dispozicion nga institucionet përkatëse që ata drejtojnë, me përjashtim të personaliteteve të përcaktuara në shkronjën “j”.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohen aktet e mëposhtme:

a) Vendimi nr.590, datë 5.9.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e banesave të personaliteteve të larta shtetërore të vendit, të selive, rezidencave dhe objekteve të tjera të larta shtetërore, që do të ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë” , i ndryshuar;
b) Vendimi nr.591, datë 5.9.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e personaliteteve të tjera të larta shtetërore të vendit, që do të ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
c) Vendimi nr.641, datë 6.11.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të personelit vendas dhe ndërkombëtar, të objekteve ku ushtrojnë veprimtarinë, si dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
ç) Vendimi nr.375, datë 23.6.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera që ruhen e mbrohen nga Garda e Republikës”.

5. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Lajm në përditësim

Top Channel

Share: