Nga Mentor Kikia
Kur Berisha nisi “kryengritjen” politike në PD, shumëkush thoshte:
Sali Berisha nuk ka në plan të bëhet kryetar i PD-së, pasi ai ishte atje dhe iku, tani thjeshtë do të hapë procesin e demokratizimit të partisë.
Por Berisha nuk voni të shpallte se ai do të kandidonte për kryetar partie. Por do të “lejonte” edhe të tjerët të garonin. Dhe kjo nuk është arritje e vogël…
Pasi Berisha e shpalli ambicien për kryetar partie, të gjithë mendonim: Berisha nuk ka asnjë plan për tu bërë sërish kryeministër, se ai ishte atje dhe ç’kishte për të bërë e bëri. Tani ai do të demokratizojë partinë, do ta çojë në fitore dhe do të caktojë një tjetër të drejtojë qeverinë.
Por sërish Berisha thyen pritshmëritë. Mbrëmë ai pohoi se dëshiron të jetë edhe kryeministër. Sepse kjo ishte dëshira e demokratëve dhe ai nuk do tua prishë.
Ajo që shikohet tani është se Berisha dhe mbështetësit e tij janë në një eufori totale në besimin e tyre për të larguar Bashën nga drejtimi i PD-së, e më pas për të larguar edhe qeverinë e Ramës.
Por a mund të ndodhë kjo?
Në politikën shqiptare nuk vihen baste!
Demokratët janë mërzitur me Bashkën dhe po shikojnë Berishën si shpresë.
Shqiptarët janë mërzitur me qeverinë dhe duan një alternativë tjetër për të mos i dhënë Ramës mandatin e 4.
Amerikanët janë mërzitur me Berishën dhe po mbështesin Bashën si alternativë opozitare.
Këtë fjalëkryq e zgjidh vetëm vota. Por zgjedhjet këtu gjithmonë janë akuzuar për vjedhje e manipulime.
Gjithësesi, nëse Berisha rikthehet, atëherë dikush këtu duhet të shkruajë një libër për studentët e shkencave politike: “Si nuk duhet të bëhet politika”. Ndërsa studiesit duhet të shtrojnë teza të guximshme mbi modifikimin genetik që mund të ketë pësuar klasa jonë politike bashkë me shoqërinë shqiptare.
Ndërsa në Uashington do të duhet të shikojnë “Pallati 176”: “Ah moj Liri moj Liri, se deshe Vanin magazinier, bëje krushk tani”.
Partneritet me Sali Berishën.. pu pu pu pu pu pu