Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka publikuar të dhënat e një studimi të kryer më 12 Dhjetor të këtij viti në Çeki, të cilat konfirmuan efektivitetin e mbrojtjes nga infeksioni i kaluar i Covid dhe nga skema e vaksinimit.
Në këtë studim është hulumtuar e gjithë popullata çeke e vaksinuar apo që e ka kaluar infeksionin dhe popullata që nuk është vaksinuar.
Efektiviteti i vaksinave kundër infektimit ulet ndjeshëm pas 6 muajsh. Për Pfizer pas 8 muajsh nga doza e dytë efikasiteti është 53%, ndërsa për AstraZeneca mbrojtja ulet në 55% që pas 6 muajsh nga doza e dytë.
Ndërkohë, studimi tregon se aplikimi i dozës së tretë rrit efikasitetin e tyre në 92%. Imuniteti natyral pas 1 viti është në nivelin 83%, kurse pas 18 muajsh sipas të dhënave nga autoritetet çeke rezulton se është 72%.
Teksa publikon shifrat e studimit epidemiologu Alimehmeti shkruan se imuniteti natyror është jo vetëm superior ndaj vaksinave për sa i përket infektimit të thjeshtë por është qartësisht superior edhe ndaj shtrimeve në spital dhe vdekjeve.
Në përfundim të statusit të tij, Alimehmeti shkruan se autorët përgjatë kohës së studimit, dalin në përfundimet se: reduktohet efektiviteti i vaksinave me kalimin, ka rritje të lartë të efektivitetit pas dhënies së dozës së tretë, ka imunitet natyror shumë të qëndrueshëm dhe të lartë pas infektimit.
Postimi i plotë
Miqtë e mi, një tjetër studim madhor konfirmon efektivitetin e mbrojtjes nga infeksioni i kaluar COVID-19 dhe nga skema e vaksinimit!
Të dhënat e prepublikuara më datë 12 Dhjetor 2021 janë përftuar nga të dhënat zyrtare të mbikqyryra nga autoritetet më të zyrtare të Republikës Çeke:
Ministria e Shëndetësisë dhe
Instituti i Informacionit dhe Statistikave Shëndetësore
Akademia e Shkencave
Në studim është hulumtuar E GJITHË POPULLATA ÇEKE E VAKSINUAR APO QË KA KALUAR INFEKSIONIN DHE NUK ËSHTË VAKSINUAR.
Nga popullata totale prej 10.701.077 e Republikës Çeke, deri më 20 Nëntor 2021:
6.287.356 individë janë të vaksinuar, dhe
1.996.080 individë janë të infektuar më parë.
Efektiviteti i vaksinave kundër infektimit (PCR pozitive):
Pfizer (Cominarty):
87% pas 0-2 muajsh nga doza e dytë,
53% pas 7-8 muajsh nga doza e dytë,
92% pas dozës së tretë (Pfizer).
AstraZeneca (Vaxzevria)
83% pas 0-2 muajsh nga doza e dytë,
55% pas 5-6 muajsh nga doza e dytë,
92% pas dozës së tretë (Pfizer).
Efektiviteti i imunitetit natyror kundër infektimit (PCR pozitive):
97% pas 2 muajsh nga infektimi,
90% pas 6 muajsh nga infektimi,
83% pas 12 muajsh nga infektimi,
72% pas 18 muajsh nga infektimi.
Pra, imuniteti natyror është qartësisht superior ndaj vaksinave për sa i përket infektimit të thjeshtë (PCR pozitive)!
Efektiviteti i vaksinave kundër shtrimit në spital dhe vdekjes:
Pfizer (Cominarty):
92% pas 0-2 muajsh nga doza e dytë,
83% pas 7-8 muajsh nga doza e dytë,
97% pas dozës së tretë (Pfizer).
AstraZeneca (Vaxzevria)
93% pas 0-2 muajsh nga doza e dytë,
82% pas 5-6 muajsh nga doza e dytë,
97% pas dozës së tretë (Pfizer).
Efektiviteti i imunitetit natyror kundër shtrimit në spital dhe vdekjes:
12.894 individë ndër 1.996.080 janë reinfektuar,
pra vetëm 0.65% e personave janë reinfektuar,
100% efektiviteti kundër shtrimit në spital dhe vdekjes
(Tabela S6 tregon mungesë totale në kolonat e shtrimeve dhe të vdekjeve në rast reinfektimi)
Pra, imuniteti natyror është qartësisht superior ndaj vaksinave për sa i përket shtrimeve në spital dhe vdekjeve!
Autorët dalin në përfundimet se, përgjatë kohës së studimit, gjetjet e tyre tregojnë:
Reduktim të përgjithshëm të efektivitetit të vaksinave me kalimin.
Rritje të lartë të efektivitetit pas dhënies së dozës së tretë.
Imunitet natyror shumë të qëndrueshëm dhe të lartë pas infektimit.
Ky studim madhor në nivel kombëtar i shtohet shumë studimeve të mëparshme që nënvizojnë efektivitetin e lartë të vaksinave, të dozës së tretë dhe të imunitetit natyror pas infektimit.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë