Në një deklaratë nga selia blu deputeti Belind Këlliçi, në emër të Komisionit të Rithemelimit të PD-së i ka dhënë një “ultimatum” kryedemokratit Lulzim Basha që të lirojë zyrën e kryetarit të partisë deri më 5 janar.
Belind Këlliçi u shpreh se në të kundër do të jetë anëtarësia që do shndërrohet në përmbarues të vendimit.
“Kuvendi i partisë ka vendosur shkarkimin tuaj nga detyra. Pavarësisht se sipas nenit 43 kjo vendimarrje mund të ishte vetëm e Kuvendit, ky i fundit në respekt të mijëra demokratve vendosi ta ratifikonte vendimarrjen përmes referendumit të mbajtur sipas parimit një anëtar një votë. Rezultati i tij përfundimtar sanksionon që 43 mijë demokratë kanë vendosur në favor të vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe shkarkimin tuaj.
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD me anë të këtij komunikimi zyrtar ju fton të njiheni me vullnetin e PD dhe organeve më të larta. Kërkohet nga ana juaj që të merren të gjitha masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë deri më 5 janar 2022. Refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe vullnetit ttë 43 mijë anëtarëve që ratifikuan vendimin e shkarkimit, do detyrojë anëtarësinë e PD të shndërrohet në pëmbaruesin politik”, tha Këlliçi.