Home KRYESORE Shtëpia e Zotit! Nga Muçi Xhepa

Shtëpia e Zotit! Nga Muçi Xhepa

Shtator, ditë me erë të ftohtë. Rrugën për tek ura, stacioni i Gjinarit, po e bëj vetëm. Në këmbë. Jam përzënë nga shkolla e qytetit. Mësues reaksionar. Pa i mbushur të nëntëmbëdhjetat. Në mbledhjen e këshillit pedagogjik, sekretari i partisë e tha plot nervozizëm:
“Xhepa, jeni caktuar në Gjinar. Të hënën duhet të paraqiteni në shkollë, atje, për mësim”.
S’e përmendi emrin Valsh. Ta ketë lënë me qëllim jashtë. Përsëri mësues. Për aristokracinë komuniste, s’ka rëndësi infektimi i nxënësve fshatarë me bacile reaksionare. Mësuesi të padëshiruar të sistemit. I vetmi koleg që shprehu keqardhje ishte Alfir Bajraktari.
“Ndize një cigare”,- zgjati paketën, “dhe, si mik, të këshilloj të jesh i kujdesshëm me njerëzit që do të të rrethojnë”.
Njeri fisnik. Pa kleçkë në biografi. Ndërsa ata si unë, i bënë bisht shikimit tim. Armiku. Përse? Nënën arsimtare, babanë po ashtu. Nënës ia kishin burgosur prindërit, “çlirimtarët”. Menjëherë sapo kishin pushtuar vendin. Babait ia kishin grabitur pasurinë e vënë ndër breza dhe e kishin flakur jashtë shtëpisë, në rrugë të madhe, me rrobat e trupit “çlirimtarët”. Fqinji, Kadri Mitarja, e kishte strehuar. Edhe ai, për çudi, pa kleçkë në biografi. Të tjerët i shmangeshin. Po unë ç’u kisha bërë.
Në provimin e fundit të shkollës së mesme, mësues Agim Fagu, njëri prej sportistëve më të mirë të vendit, por edhe mësues i talentuar i gjuhës angleze, më uroi:
“Do të ecësh përpara në jetë”.
Provimi gjykohej të ishte i rëndësishëm. Në magnetofon na kishin vënë një tregim ta dëgjonim një herë dhe pastaj ta riprodhonim me shkrim. Agimi u afrua te banka ime dhe duke iu drejtuar dy mësueseve të ulur te tryeza qendrore tha:
“Muçin e kam nxënësin e preferuar, do ta prish rregullin sot”, mori fletët e mia dhe i lexoi.
“U sigurova. Për dhjetë e ke bërë”.
Babai i Agimit ishte mik me gjysmën tjetër të familjes sime që banonte në Tiranë.

Shpejtoj hapat. Te kryqëzimi i Cerrikut takoj me Devin dhe Metin. Mësues në Zavalinë. Devid Paparistos i është dënuar për të dytën herë babai “nga pushteti i punëtorëve dhe fshatarëve”, të cilëve u ka shërbyer i përkushtuar. Dentist me emër në Elbasan. Por, armik i socializmit. E spiunuan shokët. Ndërsa babai i Hyqmet Zanes ishte dënuar, kur Meti ishte ende fëmijë. Këpucari i ndershëm i qytetit të Cerrikut ishte dënuar si sabotator. O Zot, na mbro nga e keqja, ajo nuk ka fund, them me vete.

  • Të kanë sjellë me vonesë. Të kalitesh. Edukohesh… Mes malesh.
    Qesh Meti me shpoti. Shtrëngojmë duart.
  • Syrit vigjilent nuk i shpëtova…
    Them pa humor.
  • Kujtojnë sa na bëjnë keq.
    Flet Devi nëpër dhëmbë. E vështroj i dëshpëruar. Mirë që më penguan të vazhdoj shkollën e lartë, them me vete i thyer në shpirt, por etja për të bërë keq nuk u paska të sosur. Ja, më flakën edhe majë shkrepave.
  • Nuk bëj shaka.
    Vazhdon Devi. Afron kokën, sikur t’i ruhet erës të mos ia marrë fjalët dhe e kallëzon.
  • Do të jesh mes pishave të larta dhe ajrit të pastër. Larg tymit kanceroz të metalurgjisë. Zoti vë dorë. Na ruan edhe kur ndjehemi të braktisur.
    Shtrëngon shallin e leshtë që ka lidhur rreth qafës.
    Fjalët e tij të arta më ngrohin zemrën. Besimi i thellë te Zoti. Filloj të lutem në heshtje, ndërsa presim skodën e mirëmbajtjes të na marrë në karroceri.

Në punën e re jap lëndët: edukim fizik dhe muzikë. Shkolla e Valshit është e ndarë në dy ndërtesa në formë shtëpishë fshati. Fillorja në pjesën veriore të oborrit dhe tetëvjeçarja në jug të tij. Ora e fundit e mësimit. Muzikë. Një ulërimë, e thellë, si të vijë nga një botë tjetër, shkund dritaren e vogël. Ajo pasohet nga një ulërimë tjetër, therëse, e zgjatur, kërcënuese. Nxënësit, pa më pyetur, rendin jashtë. Njëri ndalon te dera.
“Mësues hajde, ariu… ujku. Forca, shqyje… shqyje…”!
Mbetem i hutuar. Dal jashtë. Oborri është mbushur me klasat e tjera. Si të jemi në një amfiteatër gladiatorësh, në faqen e malit të lartë, anën lindore, udha e dhive, pranë shkollës, një ari ngjyrë kafe të errët, me dy këmbët lart, kërkon të trembë një ujk, gri me njolla të murrëta, që i afrohet ngadalë. Thirrja e ariut më vjen si klithmë njeriu të pashpresë. Çfarë të jetë? Ringjallje? Kalimi nga një jetë në tjetrën. Shpirti i tij ka marrë formën e kafshës. Po ujku, ç’të jetë? Rimishërim i cilësive morale, veprimeve të jetës së mëparshme… “çlirimtarit”. Sa të hapësh e të mbyllësh sytë ujku i lëshohet shtizë në bark krijesës së gjorë. Ai thërret, i pashpresë. Dhimbja vjen deri tek unë. Zemra mirë sa nuk më pushon. Jam zverdhur. Dridhem. Ujku tërhiqet. Gojën e ka të mbushur më copën që ka shqyer. Nxënësit janë kthyer në tifozë të marrë. Vajzat me ariun, djemtë me ujkun. Thërrasin me sa kanë në kokë.
“Nuk ka ngordhur. Kafshoje prapë…Kthehu…”!
Çirret komandanti i shkollës. Një djalë në klasën e shtatë.
“Merr gurë… qëlloje me gurë…”!
Thërret një vajzë e klasës së tetë. Ajo merr gur në dorë dhe i bën shenjë ariut të bëj të njëjtën gjë. Ai si të jetë njeri, shkëput një copë shkëmbi dhe me të dyja duart ja hedh ujkut. Surreale. Si në ëndërr. Komandanti argëtohet duke i treguar shokëve.
“Shikoni mësuesin e ri. Nga qyteti. Është trembur. Zverdhur”.
Nxënësit qeshin me zë të lartë. Ujku kthehet sërish. Shqyen pjesë tjetër. Këtë radhë më të madhe. Ulërima e ariut më duket si e qarë. Bëhet më e dhimbshme. Aty pranë, brenda gorgës, dëgjohen krisma të thata. Pushkë. Dy, tre, katër… Njëra pas tjetrës. Ujku tërhiqet duke çaluar. Nga barku i varen zorrë. Takojnë tokën. Por, ai s’ndalet. Ashtu, zvarrë zvarrë, ngjitet lart në mal dhe humbet pas shkurreve të denduara. Katër malësorë të skuadrës së pushkatarëve, fuqia mbrojtëse, që në rast sulmi nga Flota e Gjashtë, do ta mbrojë fashtin, ngjisin malin. Ujku u ka shpëtuar, ndërsa ariu, i shtrirë në anë të shkëmbit, ka mbaruar.

Është bërë një orë që nxënësit janë larguar. Dy mësuesit e tjerë dhe drejtori i shkollës zbresin poshtë në fshat. Janë vendas. I mbetur vetëm, ulem mbi një gur të sheshtë në oborr dhe shfletoj librin, “Historia e filozofisë”. Ma dhuroi doktor Nosi, kur mësoi se më degdisën në Valsh.
“Do kesh kohë të lirë boll. Që të mos biesh në depresion, por edhe që të mbash anglishten gjallë, shfleto nga ky libër. Mbulesën e kapakut s’po ta jap. Nuk dihet kë kanë vënë të të ruajë”.
E kuptova dhe e falenderova për dhuratën e çmueshme.
Dielli s’është fshehur enda pas malit. Rrezet e përgjakura i japin oborrit pamje të trishtë. Se ç’ka një gjë mistike ky shesh i vogël. Shpesh më bëhet sikur dëgjoj zëra. Ja vë erës, që gjatë natës fryn si e tërbuar. E pashpjegueshme kënaqësia e nxënësve nga skena horror. Ndalimi i fesë, them me vete. Njeriu i ri, që nuk beson te jeta shpirtërore. Përjetësia. Më zënë të dridhura.
Mbrëmë lexova nga Karl Gustav Jung. Fliste edhe per vazhdimësinë e jetës. I mëshonte rëndësisë së qëndrueshmërisë së kujtesës. Egos. Studimit psikologjik të rimishërimit, ringjalljes.
“… koncepti i rilindjes, ringjalljes, nënkupton domosdoshmërisht vazhdimësinë e personalitetit … që dikush është në gjendje, të paktën potencialisht, të kujtojë se ai ka jetuar nëpër ekzistencat e mëparshme dhe se këto ekzistenca ishin të tijat …”
Vë re se përreth shoh gurë të ngulur në tokë, disa të thyer e të tjerë në formë të pjerrët. Më ze frika. Ngrihem menjëherë.

Të nesërmen pyes një koleg. Më duket njeri i mirë. I ndrojtur më thotë:
“Ka qenë varrezë vendi ku është ndërtuar shkolla. Ja atje lart është kisha”, bën me dorë, “kisha e Shën e Premtes”.
Kam lexuar për Onufrin. Më kanë folur me një admirim magjepsës edhe miq të mi piktorë. Kureshtja ma mbyt frikën.
“A mund ta shoh”?
“S’ke ç’sheh. Magazinë drithi është”.
“Të lutem”!
“Marr çelësin nga roja dhe shkojmë pas mësimit”.

Mbetem i mahnitur. Afresku i Shën Spiridhonit. Shën Mërisë. Onufri i madh, piktori i shekullit XVI, Onufri nga Elbasani, ikonografi nga qyteti ynë, kishte zbukuruar muret e kishës së vogël me ngjarje ungjillore. Plot talent e shije, ai kishte pikturuar portret e shenjtëve me tiparet e malësorëve të Shpatit, njerëzve me të cilët kishte jetuar. Afreske tërë jetë, kombinim i disa ngjyrave bazë, që pasurojnë koloritin, duke e bërë të butë e të ëmbël. Arti i mjeshtrit të madh, rilindasit tonë, i përmasave europiane, është po aq sa dhe ai i përtej Adriatikut. Por, ndërsa atje veprat e artit ruhen me fanatizëm dhe shikohen prej vizitorëve nga të katër anët e botës, këtu “çlirimtarët”, diktatura e proletariatit, Shtëpinë e Zotit e ka kthyer në magazinë. Malësorët trima të Shpatit s’kanë mundur ta mbrojnë nga pushtuesit komunistë.

Share: