Nga Mentor Kikia
Të shkelësh mbi atë që të ka mbajtur në shpinë, është mungesë morali e dinjiteti
Këta njerëz që u dëndën me gaz lotsjellës, nga ata që mbrojtën selinë e PD-së, personalisht Lulzim Bashën dhe grupin e deputetëve që e mbështesin atë, përgjatë një viti 2020-2021, janë dëndur edhe më shumë me gaz nga policia, në protestat që udhëhiqeshin nga Z.Basha, si pjesë e strategjisë së tij politike për të shkuar në karrigen e kryeministrit. Ata janë votuesit e tij, edhe të atyre deputetëve që qëndronin brenda selisë nga ku lëshoheshin mbi protestuesit karrige dhe gaz zjarrfikës. Ata janë votues edhe të Salianjit, që dilte me hu tek dera, edhe të Grida Dumës që mbërrin në selinë e partisë me një makinë luksi dhe që ruhet nga një eskortë prej 4 truprojash, dhe që pas protestës mbante fjalime vajtuese për dhunën.
Unë nuk kam asnjë ngarkesë emocionale, për asnjërin prej protagonistëve të kësaj historie. Madje tani jam edhe më i qartë se çfarë përfaqësojnë ata, të dy sëbashku dhe secili veç e veç. Por të shkelësh me këmbë ata që të kanë mbajtur mbi supe, tregon mungesë totale të moralit dhe dinjitetit njerëzor. Partia dhe selia mund të mbahen edhe me procedurë juridike, por politika ka të domodoshëm edhe pak moral njerëzor.
Por çfarë të bënte Basha, do të më pyesni ju?
Kështu më pyetën edhe tre protestues me sy të skuqur, që i takova në rrugë dje: Çfarë mendon ti, si do shkojë kjo punë? Ne nuk nuk e duam Berishën kryetar, por ai tjetri nuk është fare për këtë punë…
Nëse e doni një përgjigje, unë e kam një:
Meqë të dyja palët mendojnë se janë shumica, atëherë ta lënë selinë nën ruajtjen e policisë për ca kohë dhe të marrin ca zyra me qera. Para kanë të dy me bollëk. Ta fusin partinë(apo copat e partisë që kanë nën kontroll) në zgjedhje dhe kushdo të fitojë të kthehet në seli. Basha mund të jetë kryetari legjitim, por derisa ka humbur mbështetjen e njeriut që i mbante shkallët ku ai ngjitej, ai duhet të rikonfirmohet.
Nëse nuk bëjnë këtë, pra nuk shkojnë tek vota, ata të dy janë të interesuar që të lutojnë deri në fund për karrigen e kryetarit, jo për demokracinë, por njëri për tu mbrojtur e tjeri për tu pasuruar.
Ndërsa ju që thithni gaz në emër të tyre, ikni në shtëpi dhe braktisini në çmendurinë e tyre.