Home KRYESORE Me pak fjalë për problemin e vërtetë që ka sot PD-ja…

Me pak fjalë për problemin e vërtetë që ka sot PD-ja…

Nga Neritan Sejamini

Problemi i kontrollit të dhunës mes individëve apo grupeve ka qenë problemi themelor i zhvillimit të shoqërive njerëzore. Në shoqëritë e pazhvilluara—te gjitha shoqëritë e hershme dhe ende nje pjesë e atyre të sotme—të drejtën e ushtrimit të focës (dhunës legjitime) e ka pushteti formal (qeveria). Por, kontrolli i këtij pushteti është në duart e një grupi/elite të vogël, e cila nuk lejon aksesin e të tjerëve në këtë pushtet. Pra, ushtrimin e forcës e ka një autokrat apo një elitë e mbyllur autokatike, e cila nuk lejon konkurencën politike (apo ekonomike) nga individë apo grupe jashtë saj, duke ruajtur kështu monopolin mbi pushtetin.

Në këto shoqëri, e vetmja mundësi për akses në pushtet apo për të zgjidhur konfliktet mes grupeve që synojnë pushtetin, është forca, dhuna. Prandaj, në këto shoqëri janë tipike përplasjet sociale, puçet e dhunshme, dhe dhuna politike. Këto sisteme Douglas North i quan “rende me akses të kufizuar”.

Shoqëritë perëndimore përparuan vetëm kur e zgjidhën problemin e ushtrimit të forcës duke kaluar nga rendi me akses të kufizuar në atë me akses të lirë në pushtet. Edhe në këto shoqëri, monopolin e dhunës e ka pushteti formal, por kontrolli i këtij pushteti është i hapur për çdo grup përmes konkurencës së lirë, politike dhe ekonomike.

Pra, forcën e ushtrojnë institucionet, por kontrolli i institucioneve është i hapur dhe kalon paqësisht nga një grup tek tjetri. Për më tepër, këto shoqëri e rregulluan mënyrën e përdorimit të forcës nga pushteti me rregulla të qarta dhe të kuptueshme nga të gjithë.

Problemi thelbësor i PD-së është pikerisht se ajo është organizatë me akses të mbyllur ose të kufizuar në pushtetin e brendshëm—të gjithë pushtetin për të ushtruar forcën (imponimit të vendim-marrjes tek anëtarësia) e ka një individ i vetëm me një grup te vogël përqark tij, dhe aksesi tek ky pushtet është i mbyllur ose i kufizuar: asnjë individ apo grup që nuk është pjesë e kësaj elite partiake nuk ka mundësi të konkurojë e fitojë pushtetin me garë kundër.

Në këto kushte, edhe në PD, si në çdo rend me akses të mbyllur, mosmarrëveshjet apo konflliktet e brendëshme nuk zgjidhen përmes konkurencës së hapur, por përmes forcës.

Unë isha i pari që thashë publikisht, pak ditë pas 9 shtatorit, se kishte vetëm një mundësi për të zgjidhur konflikitin e brendshëm në PD: konkurenca dhe vota e lirë. Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të shpallte menjëherë zgjedhjet për kreun e partisë. Kushdo që do dilte fitimtar nga këto zgjedhje—Basha, Berisha apo një i tretë—do ishte udhëheqësi legjitim dhe konfliktet e brendshme do të mbylleshin paqësisht. Kështu, PD nuk do copëtohej e shkatërrohej.

Nuk është akoma vonë: problemi në PD prapë mund të zgjidhet vetëm përmes aksesit të hapur në pushtetin e partisë: votës së lirë të anëtarësisë.

Ata që propozojnë qasje të tjera, ata që duan ta trajtojnë problemin e PD-së në mënyrë sipërfaqësore, si konflikt mes një njeriu apo një tjetri, do kotribojnë për shkatërrimin dhe jo ngritjen e saj. PD është dhe ka qenë parti autokratike: grupi që ka pushtetin e monopolizon gjithmoneë atë dhe pushteti mund t’i merret me forcë e jo me votë.

Share: