Nga Azem Përllaku
Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, bota perëndimore ka bërë një rrugë të gjatë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në komunitetin trans-atlantik në sajë të ndjekjes së rrugës së demokracisë, por me sa duket agresiviteti i ripërtërirë i Rusisë, po dëshmon se këto vlera janë përsëri duke u minuar nga kërcënimet dhe sfidat, disa prej të cilave Evropa nuk i kishte njohur për dekada të tëra.
Batareja e fundit e kërcënimeve nga Vladimir Putin, nuk ka të bëjë më vetëm me Ukrainën. Presidenti rus e ka zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme fushëveprimin e kërkesave të tij, duke përfshirë marrëveshjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Evropë në tërësi. Edhe nëse tensionet aktuale në kufijtë e Ukrainës, nuk do të sjellin në fund një konflikt të hapur, ky përshkallëzim i qëllimshëm parashikon gjëra aspak të mira për vitin 2022.Në fakt ajo që dëshiron Putin, është kthimi pas në kohë në vitet 1990, përpara se vendet e ish-Traktatit të Varshavës si Polonia dhe ish-republikat sovjetike si Estonia t’i bashkoheshin NATO-s.
Nëse do të kishte mundësi, ndoshta ai mund të donte ta rindërtonte Bashkimin Sovjetik, për vdekjen e të cilit mban zi edhe sot e kësaj dite. Ky spiun i vjetër dhe i hidhëruar i KGB-së nuk e pranoi kurrë humbjen në Luftën e Ftohtë.
Mardhënia e Perëndimit me Rusinë luhatet sërish, mbasi kjo e fundit mbetet një aktor misterioz, që praktikon një formë enigmatike nacionaliste dhe fetare, e cila përligj misionin e Rusisë për prestigj dhe ekspansion. E shtrirë në njëmbëdhjetë zona kohore, Rusia ka sipërfaqen më të madhe të tokës në krahasim me cdo shtet tjetër bashkëkor. Një vend me përmasa të tilla ende sot, vuan nga frika e sëmurë se është i kufizuar.
Sipërfaqja shumë e madhe e Rusisë dhe aftësia e popujve të saj për të duruar parandaluan pushtues të tillë si: Napoleoni dhe Hitleri që synuan për të dominuar Europën. Historia e Rusisë e ka lënë Europën me një trashëgimi të nostalgjisë romantike për periudhat e bashkëpunimit, por, gjithashtu edhe një frikë të paqartë në lidhje me pafundësinë dhe enigmën.Pas përpjekjeve të kombeve kryesore të Europës, ka qëndruar dhe qëndron nxitja për të patur një mardhënie të vecantë me Rusinë, për të parandaluar një përsëritje të presioneve historike.
Në rrethanat e së djeshmes por dhe ato aktuale, nëse Ukraina ka një rëndësi gjeopolitike, kjo vlen për Evropën. Nëse dikush duhet t’i siguronte Kievit, ndihma financiare dhe armë, ajo është sërish Evropa. Nëse dikush duhet të ofrojë garanci ushtarake në Ukrainë, ai është prapë kontinenti i vjetër. Nëse dikush duhet të dërgojë trupa në Ukrainë, ajo është Evropa. Nëse dikush duhet forcojë mbrojtjen ushtarake të Evropës, kjo është vetë Evropa. Por kjo e fundit, nuk duket se është shumë e shqetësuar në këtë drejtim.Siria, Iraku, Afganistani, Ukraina thonë evropianët paraqet një krizë.
Por si gjithmonë, mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të luajtur rolin e tyre me ndonjë operacion të rëndësishëm ushtarak.Nga ana tjetër mardhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e kanë provuar muajin e mjaltit. Këto mardhënie u bënë në thelb dypolare, duke qenë se të dyja superfuqitë kundërshtonin njëra-tjetrën përgjatë një vije ndarëse që kalonte nëpër qendrën e Europës. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historikisht kanë kërkuar një prirje globale për shoqëritë e tyre. Idealizmi amerikan rrjedh nga koncepti i lirisë, ndërsa ai rus zhvillohet nga një kuptim i vuajtjes së përbashkët dhe nënshtrimit të përbashkët ndaj autoritetit. Idealizmi amerikan synon izolimin, idealizmi rus ka nxitur ekspansinizmin dhe nacionalizmin.
Kriza aktuale në Ukrainë është rezultat i sjelljeve të tepruara si të Rusisë po ashtu edhe të SHBA-së. Teprimi i Rusisë ka të bëjë me aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimin e qendrës industriale të Ukrainës në Donetsk dhe Luhansk; apo edhe në përpjekjet e saj të vazhdueshme për ta mbajtur Ukrainën të varur prej saj për energji, inpute industriale dhe tregje.Edhe SHBA e ka tepruar në disa raste. Në vitin 2008, administrata e presidentit amerikan George W.Bush bëri thirrje që Ukraina të ftohej t’i bashkohej NATO-s, gjë që do ta vendoste praninë e aleancës në kufirin e gjatë të Rusisë me atë vend.Ai propozim provokues i përçau aleatët e SHBA-së, por NATO konfirmoi në fund se Ukraina është e mirëpritur në aleancë, duke vënë në dukje se Rusia nuk ka asnjë veto se kush i bashkohet kësaj organizate.
Kur Rusia aneksoi me dhunë Krimenë në vitin 2014, një nga objektivat e saj, ishte që NATO të mos kishte asnjëherë qasje tek baza dhe flota detare ruse në Detin e Zi.Duke vendosur rreth 100 mijë trupa në kufijtë e Ukrainës, dhe duke vazhduar me sulmet e ashpra verbale, Putin e ka bërë të qartë se nuk do ta lehtësojë së shpejti presionin ndaj udhëheqësve të Evropës. Për Uashingtonin, kjo është një enigmë gjeopolitike.Për SHBA-në dhe NATO-n, dakordësimi mbi kërkesat e Putinit, do të nënkuptonte hedhjen e hapit politikisht të papranueshëm të kapitullimit ndaj Moskës.
Po ashtu, Perëndimi do të ndjente papritur nevojën e një rishikimi kaq revolucionar të sistemit të sigurisë evropiane të pas Luftës së Ftohtë.Pra Kremlini po krijon një pretekst, me anë të të cilit mund të rishikojë lirshëm sistemin ekzistues të marrëdhënieve, një hap për të cilin Kremlini mendon se ka ardhur koha. Nëse është kështu, ne mund të presim që Moska të ndërmarrë hapa të tjerë që tregojnë vendosmërinë e Rusisë për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme statuskuonë.