Mëngjesi im nis shpejt sepse duhet të hap librarinë për t’u shërbyer nxënësve të shkollave që si shqiptarë të vërtetë që janë, i lënë të githa për në momentin e fundit. Edhe mëngjesi i sotëm nuk bëri përjashtim dhe çdo gjë shkoi si zakonisht. Me zhurmat, thirrjet dhe ngutjen e femijëve për të mbaruar punë sa më shpejt për të shkuar në shkollë në orar. Pasi vrulli i mëngjesit mbaroi, fillova të merrem me punët e zakonshme të ditës dhe çdo gjë po shkonte normalisht dhe unë u ula në një nga kompjuterat për të redaktuar diçka.
Në këtë kohë meqë e kisha derën hapur dëgjoj jashtë një zile telefoni dhe përballë me derën e librarisë ndaloi për t’u përgjgjur telefonatës një zonjë në moshë të re që tërhiqte një qen të racës Akita -Inu ( raca e qenit të famshëm Hachiko të filmit ku interpreton edhe Richard Gere). Ajo ju përgjgj dikujt në telefon dhe biseda vazhdoi për pak minuta dhe për aq kohë sa vazhdoi telefonata ajo nuk lëvizi nga vendi .
Në këtë moment qenit të saj të stërmadh sic duket i erdhi për të dalë jashtë dhe duke përfituar që edhe zonja ishte e zënë me telefonatën, kreu nevojat e veta personale për shtatë palë qejfe fiks ngjitur me shkallët e librarisë.
Nga fundi zonja edhe pse e mbaroi telefonatën , priti pa e prishur gjakun deri sa mbaroi qeni dhe vetëm pastaj u nis të ikte, Megjithëse zakonisht nuk flas kur shoh gjeste dhe veprime që nuk më pëlqejnë, (sepse e di që është e kotë tani që paturpësia është në modë), nuk durova dot dhei fola asaj zonjës:
- Mirëmëngjes zonjë e nderuar! Më falni që po ju shqetësoj por doja t’u pyesja. Atë që bëri qeni juaj kush do e pastrojë?
Zonja u kthye nga unë dhe më pa me aq inat sa kujtova se mos e kisha bërë unë atë gjëne dhe jo qeni i saj , prandaj dhe unë u detyrova t’i përsëris pak a shumë të njëjtën pyetje.
Kur e pyeta për së dyti përveç inatit më pa edhe me një habi të tillë sikur po e pyesja nëse ka njerëz në Mars. Pastaj diçka shau nëpër dhëmbë dhe iku duke murmuritur. Unë nuk lëviza, nuk i fola më , vetëm se e ndoqa me vështrim nga dera e librarisë me duart e kryqezuara ne gjoks. - Të kuptohemi, unë nuk kam gjë kundër kafshëve dhe as kundër qenve por i lutem të gjithë zonjave dhe zotërinjve që mbajnë qen në qytetet tona . Nëse doni t’i mbani. mbajini dhe t’i gëzoni, por ju lutem silluni si qytetarë deri në fund. Hiqini nga rrugët ato që bëjnë qentë tuaj!