Home KRYESORE Një monument për mbretëreshën më të bukur në botë. Nga ROLAND QAFOKU

Një monument për mbretëreshën më të bukur në botë. Nga ROLAND QAFOKU

Mbretëresha më e bukur e botës. Mbretëresha bionde, me sy blu dhe me trup me përmasa manekini. Kontesha e magjishme me flokë të artë dhe trëndafili i bardhë i Budapestit. Në karrierën time si gazetar nga ata që kam biseduar, intervistuar dhe kam shkruar, një personazh qëndron në majë. Geraldina Apony në fakt nuk është vetëm një personazh. Ajo është historia e bukur dhe e trishtë e mbretëreshës sonë të cilin unë kam patur fatin të ndjekë si gazetar mbërritjen e saj në Rinas më 28 qershor 2002 me atë rikthim pas 63 vjetësh ekzil. Mbretëroi vetëm 1 vit dhe pastaj jeta e saj ishte aq e trazuar saqë kurrë nuk e gëzoi as fronin e as jetën prej mbretëreshe duke vuajtur aq shumë për hir të atij 1 viti. Sot që inagurohet monumenti i saj në Tiranë, më vjen mirë që ne nderojmë jo vetëm një grua. Por nderojmë atë që e deshi Shqiëprinë edhe pse Shqipëria nuk e deshi për të shumtën e jetës së saj. Më poshtë po risjell disa shkrime të asaj kohe në gazetën “Koha Jonë” që pasqyronin kthimin e Geraldinës në Tiranë, një reportazh në vilën mbretërore, intervista dhe opinionin time në atë kohë për të cilat mund të dukesh pak alien që merresha me këtë zonjë, ndërkohë që Shqipëria kishte plagë për të shëruar. Ndjehem kaq mirë që jamë marrë sepse shërimi i Shqipërisë fillon pikërisht nga falja që duhet ti kërkojmë atyre figurave që vuajtën nga Shqiëpria edhe pse e dëshën atë aq shumë.

Pasaporta e GERALDINA APONY
Emri: Geraldina
Mbiemri: Apony
Ditëlindja: 6 gusht 1915, ora 15.25
Vendlindja: Gjenevë
Atësia: konti Xhula nga Hungaria
Amësia: Gledis Stjuart, një amerikane me prejardhje skoceze dhe irlandeze
Gjatësia trupore: 1.75
Të veçanta: sytë ngjyrë bojëqielli

Edukimi: 1929 mbaron liceun në Budapest, fituese një konkursi kërcënimi në vals në një ballo
Gjuhët që flet: Frëngjisht, shqip, hungarisht, gjermanisht, anglisht
Familja: Martuar me mbretin e shqiptarëve Ahmet Zogu, kurorëzuar më 28 prill të vitit 1938. Ka të birin Lekë të lindur në 5 pril të vitit 1939
6 prill 1939 largohet nga Shqipëria dhe stacionohet në Greqi, Turqi, Francë, Londër, Kajro, Aleksandri.
9 prill 1961 humb burrin në Paris
28 qershor 2002, kthehet në Shqipëri pas 63 vjetësh në ekzil
(Qershor 2002) Reportazh nga vila numër 4, pronë e Ekrem Bardhës e marrë me qira nga familja mbretërore si dhe impresionet e Nënës Mbretëreshë për Shqipërinë e pas 63 viteve

Një orë në Oborrin Mbretëror

Siguri numër një. Qetësi dhe një ambjent i denjë për një mbret. Kush janë ata që përbëjnë suitën mbretërore. Badigardët shqiptarë, dy zezakët Edi dhe Evans, majori anglez Hamont dhe doktoresha Julia nga Afrika. Por edhe pesë qentë bokser. Gjithçka në sytë e një vizitori.

Nga Roland Qafoku

Që nga ora 14.00. e ditës së premte, vilën numër 4 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë e quajnë Pallati Mbretëror. Tre policë civilë me syze dhe kostum më të zinj se nata, janë ta parët që ta kujtojnë këtë. Me shikim të egër, por edhe të kujdessshëm njëkohësisht, atyre nuk u shpëton asgjë nëse dikush që kalon andej nga Televizioni, devijon sado pak këmbët dhe afrohet për nga porta. Gjithsesi, dera gjigande me kangjella të larta ka ca dritarthe që të japin mundësinë për të shquar ndonjë gjë matanë. Një vilë tre katëshe e sapo lyer të shfaqet përpara syve. Përpara, një avll, e denjë për ta pasur një mbret. Nuk është vështirë ta dallosh që kjo godinë është e po asaj arkitekture kur Ahmet Zogu drejtonte Shqipërinë nga froni i mbretit. Por, që fakti i keq e donte që pasardhësi i tij, jo vetëm të mos ketë shtëpinë e vet, por të merrte një me qira si kjo. I vetmi komunikim që mund të ketë një gazetar me ata që jetojnë mbrenda është Fluturak Gërmenji, për të cilin është pak të thuash se është krahu i djathtë i Lekës. Mjaft energjik dhe i predispozuar për të shpjeguar gjithçka, Gërmenji u jep përgjigje të gjithëve. Dhe çuditërisht, nuk shfaq asnjë shenjë nervozizmi siç shohim përditë ne gazetarët nëpër salla e zyra politikanësh. Në sytë tanë jep një intervistë për Telenorbën. Në celular i jep prononcim një agjensie të huaj. I kthen përgjigje një shqiptari të moshuar që ka ardhur nga Kanadaja enkas për të takuar Lekën. Por edhe një plaku nga Burreli, i cili ndante të njëjtin qëllim. E pasi mbaron me ata, ia nis nga e para me ne. Na bën një privilegj jo të vogël: Hap portën e rëndë të Pallatit Mbretëror dhe për pak sekonda e shohim vehten brenda.

Në oborrin e Pallatit Mbretëror

Edhe nga brenda, e denjë për një Pallat Mbretëror. Këtu, nuk pipëtin as miza. Gjithçka është si një pikturë me diçiturën “natyrë e qetë”. Ca njerëz me uniformë e me nga një kallash në krahëqafë të shfaqen frikshëm, por ama edhe ata nuk lëvizin as qerpikët. Mbajnë të fiksuar nga një vështrim dhe nuk të kthejnë as bëlbëzime kur u thua “hë, çkemi”. Një lulishte e vogël përpara dhe anash vilës të tregojnë se lulet janë po aq të rëndësishme sa edhe fasada e ndërtesës. Ndërsa nga një shatrivan me një skulpturë tip antike, gurgullon pa ndërprerje ujë. Në fillim Gërmenji të fton të ulesh në një stol aty pranë. Vetë shkon me shpejtësi deri “atje prapa” dhe kthehet po me shpejtësi. Sapo vjen, me një frymë tregon se ishte tek qentë. “Janë pesë qenë bokser,- thotë-, dhe mua më njohin shumë mirë. Doja ti nxirrja për ti parë, por ishin shtrirë dhe nuk i ngacmova”. Këto fjalë të tregojnë se shkalla e sigurisë aty është edhe më e lartë se ç’të shikon syri.

Familja mbretërore

Gërmenji të tregon se tashmë ka nisur jeta e re e familjes mbretërore. Në të 10 dhomat gëlojnë bisedat kokë më kokë dhe ceremoniale, ndërkohë që çifti Leka dhe Suzan vazhdojnë të nxjerrin nga arkat të gjithë pasurinë arkivore të monarkëve. “Deri tani,- thotë Gërmenji,- kanë nxjerrë vetëm 20 për qind”. Kështu i bie që gjithë operacioni të përfundojë pas katër ditësh.

Suita mbretërore

Duket sikur të jenë fshehur. Nuk shihet asnjë për be. Janë me dhjetra, por përpara syve tanë nuk del askush. Gërmenji të thotë se përveç anëtarëve të familjes janë edhe dy shoqëruesit mëe ngjyrë: Edi dhe Evans, të dy afrikano-jugorë besnikë në tërë këto vite të Lekës dhe familjes. Prej 10 vjetësh i pari dhe prej 12 vjetësh i dyti, ata janë bërë pjesë përbërëse e familjes. Dhe tani kanë ardhur që nga Afrika e Largët si për të vijuar këtë besnikëri. Porse sipas Gërmenjit edhe mund të largohen nëse dëshirojnë. Këtë sfond ndërkombëtar të shoqëruesve, e plotëson edhe një anglez me gradën major. Stjuart Hamont, ndryshon nga vartësit e tij vetëm se është i bardhë, pasi për Zogun ka të njëjtat cilësi si dy bodygardët me ngjyrë. Por, nuk është më pak e rëndësishme në këtë staf edhe Manda Julia, doktoresha personale e Geraldinës, e cila e ka shoqëruar atë edhe në udhëtim. Edhe tani ajo kujdeset si për një fëmijë. Ndërsa ata që nuk janë shoqërues e ndihmës por të afërm lidhen me dy emra: E para motra Virginia Apony dhe e dyta motra Silvana Myzelje. Kjo e dyta mund të krenohet në sytë e motrës mbretëreshë për faktin se i biri është sot ministër i Francës. Rena Muzelje, mbulon problemet e Evropës Juglindore dhe nuk është pak që në këtë sektor bën pjesë edhe Shqipëria.

Silvana, supriza pa dashje

Ja që parashikimi se nuk ka burrë nëne që mund të takojë ndonjë, nuk është i vërtetë. Teksa kishim arritur në pikun e bisedës, një grua bjonde me pamje prej fisnikeje na u shfaq në mes të oborrit. Diçka kërkonte dhe menjëherë sytë i drejtoi nga Gërmenji. Dukej që ishte njeri i rëndësishëm. Ndoshta motra e Nënës Mbretëreshë. Dhe tërë këtë kureshtja ta thyen cicëroni Gërmenji. “Po, kjo është Silvana, motra e Nënës Mbretëreshë” shtoi ai shpejt e shpejt. Ndërkohë gruaja elegante në trup dhe në të folur, shpreh habinë se si u gjend kaq papritur përballë një gazetari shqiptar. Pas fjalëve përshëndetëse të rastit, Silvana u përgjigjet pyetjeve rrufe me shumë dashamirësi. E papërgatirur për një intervsitë, ajo jep ca copëra nga impresionet e saj dhe të motrës së vet që për gati një vit mbretëroi në Shqipëri. “E mrekullueshme. E mrekullueshme. E mrekullueshme”. Për Silvanën gjithçka përmblidhet në këto fjalë.

Impresionet e Nënës Mbretëreshë

“Tirana qënka bashkuar me Durrësin”. Ndryshimin e parë pas 63 vjetësh Nëna Mbretëreshë e ka parë tek “ura” mes dy qyteteve më të mëdha të vendit. Gërmenji tregon se përgjatë gjithë rrugës nga Rinasi në Tiranë, Geraldina përsëriste se i dukej sikur ishte në ëndërr. E kjo bukuri i është dukur edhe kur është futur në vilë. Gërmenji tregon se këtu Nëna Mbretëreshë ka thënë: nuk e prisja një bukuri të tillë. Por, edhe më impresionuese ka qënë momenti kur Nëna Mbretëreshë ka vënë këmbët në tokën shqiptare. Atje në Rinas ku edhe gazetarët që ishin shumë pranë familjes mbretërore nuk dëgjonte se çthuhej, Geraldina i ka emocionuar të gjithë kur i kanë nxjerrë një copë bukë e kripë. “Nënat tiranse e kanë bërë këtë?” kishte pyetur ish-sovrania dhe më pas e kishte përkëledhur bukën si një fëmijë.

Familja mbretërore në vilën e Ekrem Bardhës

Të paktë janë ata që e dinë që vila në të cilin është akomoduar familja mbertërore është e një tjetër shqiptari që jeton jashtë Shqipërisë. Gërmenji na thotë se vila me numrin 4 është pronë e Ekrem Bardhës dhe ai ia ka dhënë me qera Lekës për një vit. Porse sipas Gërmenjit, këto janë biseda e kontrata që i dinë vetëm ata të dy. Por, historia e vilës është shumë interesante. “Ajo është ndërtuar si pronë e Terenc Toçit, ministrit të Drejtësisë në kohën e Zogut në vitet ’30-të. Pas vitit 1945, ajo u sekuestrua nga shteti komunist dhe shërbeu si rezidencë deri në vitin 1990. Më pas me vendim gjykate e kanë marrë trashëgimtarët e familjes Toçi. Ndërkohë, pak vite më vonë Ekrem Bardha një nga biznesmenët më të sukseshëm shqiptarë në SHBA e bleu. Deri pak kohë më parë ajo shërbeu si rezidencë për ambasadorin grek. Ndërsa tani për familjën mbretërore. Me 10 dhoma sallon për çdo kat, ajër të kondicionuar dhe ujë 24 orë non stop, ajo është cilësuar ideale për një shërbim të tillë.


Share: