Home KRYESORE Një Puthje!

Një Puthje!

Një rrugëtim ndryshe për një puthje

Nga Dr. Ed.D. Fatjona R. Lubonja

“Një puthje” është përshkruar në mënyrën më romantike nga regjizori Italian, Giuseppe Tornatore në filmin e tij Cinema Paradiso (1988, It./Fr.). Inspiruar nga “Il collezionista di baci”
(Mbledhësi i puthjeve), ashtu si puthjet romantike të montazhuara në monologun e karakterit të filmit qëndruan në memorjen e tij, ashtu qëndron dhe një puthje në memorjen e trurit.

Përse truri ka nevojë të memorizoj aktin e një puthje?

Misteri i një puthje qëndron në memorje gjatë por akti në vetvete konsiderohet nga
neuroshkenca dhe sjellja (behavior) në forma të ndryshme. Një puthje karakterizon mënyrën se si ne reagojmë me njëri-tjetrin, kuptojmë njëri-tjetrin, dhe si rrjedhim ndërtojmë një lidhje, apo
dhe jo-lidhje, me njëri-tjetrin. Mbi të gjitha, për trurin në veçanti, hapësira personale përreth ç’do individi është e rëndësishme sepse e lejon trurin kryesisht të kuptoj se si të reagoj për
vetëmbrojtje (Graziano, M., 2013; 2018).

Qelizat nervore pasqyrë ( Rizzolatti G, Craighero L. 2004), mund të kryejnë një rol të rëndësishëm për të imituar veprimin e tjetrit dhe në këtë mënyrë të mësojmë që të lidhemi dhe
ndihmon të krijojme afrimitet me njeri tjetrin (Horstman, J., & Scientific, A., 2011). Kjo do të thotë që ne mund ta përjetojmë atë që bën dhe ndjen një tjetë përkrah. Gjithashtu të jep
mundësinë të kuptojmë se përse e përjetojmë kur shohim një tjetër të dashuruar apo lënduar ose si e përshkruan poeti “Kjo kishte qenë puthja, që nuk mësohej, që dihej, që jepej e merrej, që fillonte gjithnjë nga fillimi, një herë e parë e përjetshme” (Zogaj. P. 2019, Anjeza nuk u zgjua, p. 37).

Si rrugëton një puthje?

Në aktivitetin e trurit ndodh dicka interesante kur dikush të vjen pranë. Disa qeliza nervore specifike bëjnë një veprim të shpejtë dhe rrotullohen apo drejtohen drejt personit që të vjen pranë. Këto qeliza nervore janë shumë të sakta në veprimet e tyre (Graziano, M., 2018). Ato përgjigjen kur një person afrohet në drejtim të trupit ose të prek lehtë lëkurën. Aktiviteti specifik i këtyre qelizave nervore vepron edhe kur nuk jeni në gjëndje ta shikoni personin. Jo vetëm që këto qeliza janë specifike në veprimet e tyre por janë gjithashtu të orientuara me ç’farë angazhohen. Si rrjedhim, disa qeliza nervore mund të jenë specifike për anën e majtë/djathtë të fytyrës, të tjera në krahun e djathtë/majtë, disa të tjera përgjigjet kur preket lehtë lëkura, etj…
Shpejtësia e reagimit të këtyre qelizave nervore është shumë e lartë, gati 200 n/spikes për sekondë (Graziano, M., 2018).

Më thjesht mund të thuhet se nuk ka rëndësi nëse është ditë apo natë, me djell apo me hënë, këto qeliza nervore aktivohen njësoj në mënyrë të pavetëdishme, automatikisht. Rrugëtim i cili,
në një moment romantik, një puthje bëhet e “paharruar, e dëshiruar, e lëngëshme, e mjegullt, ku frymëmarja shkruhet mbi të. Një opium i ëmbël. Një ndjenjë njerëzore e papritur. Një erotikë
e ndjenjave dhe një pasioni që udhëton pafund me epsh përdrejt asgjëje, e dehur si në ëndërr. (Lubonja, R. F., 2021, Ditët që iken pa leje, p. 82).

*Fatjona Rama Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë/Edukim dhe Behavior në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në ABA (Applied Behavior Analysis) dhe Rehabilitimi Mendor. #fatjonalubonja
Share: