Nga Azem Parllaku
I gjithë kombi shqiptar gëzon sot ditën e pavarësisë të pjesës tonë më të vuajtur dhe më të përgjakur për më shumë se një shekull.
Shteti më i ri i shqiptarëve mbush sot vetëm 14 vjeç, por në një kohë të shkurtër ka fituar pjekurinë për të ecur më shpejt drejt Europës, ku aspiron të bashkohet edhe me Shqipërinë.
Republikës më të re dhe popullit shqiptar të Kosovës i duhet të reflektojë dhe të mësojë edhe nga gabimet e rënda të bëra nga klasa politike në shtetin amë.
Tashmë populli i Kosovës e ka kuptuar, se vetëm liria nga pushtuesit, nuk mjafton për të ecur me shpejtësi drejt demokracive të zhvilluara dhe mirëqenies. Beteja kundër të korruptuarve dhe politikanëve batakçinj, që po imitojnë sivllezërit e tyre në Shqipëri do të jetë edhe më e vështirë dhe me kosto të mëdha.
Në këtë ditë të lumtur për gjithë kombin shqiptar nderimi më i thellë shkon për të gjitha sakrificat e panumërta të të parëve tanë, të patriotëve tanë të mëdhenj, të heronjve që luftuan për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjve dhe tradhëtarët e brendshëm, për bashkimin kombëtar, për gjuhën, kulturën dhe historinë tonë; shkon për dëshmorët dhe luftëtarët e UÇK-së.
Sot mirënjohja jonë e pakufishme shkon për popullin dhe qeveritë e SHBA-ve, për vendet e Bashkimit Europian dhe për NATO-n sepse pa vendimmarrjen, përkrahjen dhe luftën e tyre ne nuk do kishim Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Kosova në kujdesin e miqve të mëdhenj të Shqipërisë, SHBA dhe BE, i ka të gjitha shanset, që të ecë në rrugën e duhur drejt prosperitetit dhe mirëqenies, njësoj si të gjitha vendet e tjera të Europës.
Vëllezër shqiptarë të Kosovës Gëzuar festën e shenjtë të pavarësisë!