Home KRYESORE Si kisha dashur t’i shoh femrat në politikën shqiptare

Si kisha dashur t’i shoh femrat në politikën shqiptare

Nga Mevi Rafuna

Mjerisht me gjithë emancipimin e femrës por edhe pamundësitë në qasjen e saj në jetën publike, ajo kuotë gjinore dhe përfaqësimi në parlament me përjashtime të rralla nuk ma mbush syrin as mendjen se ne si femra shqiptare me synime europiane përendimore jemi të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës dhe në politikë në përgjithësi.

Fakti që kemi një presidente femër apo që kishim nuk do të thotë se roli emancipues i femrës për familjen, shoqërinë dhe shtetin ka kahjen e duhur.
Neve nuk na duhen femra në politikë që nuk janë në gjendje të mendojnë me kokën e tyre.

Aq më pak femra që shndërrohen në kukulla dhe i shërbejnë politikave të gabuara, grupacioneve apo klaneve mafioze dhe ideologjive të prapambetura.

E as nuk na duhen femra që kanë marrë rolin e deputetes, e gjithë seancat parlamentare i shfrytëzojnë të bëjnë selfie pa e ngritur asnjëherë zërin apo edhe kur ndojherë flasin nuk është se kapin ndonjë kauzë bazike që shërben në përmirësimin e jetës së femrave në përgjithësi në shtetin tonë.

Për çudi kauza kryesore që disa deputete femra kanë kapur aty është lejimi i shamijave nëpër shkolla tek vajzat minore.

Dhe a ka më keq kur kjo kauzë së pari kinse në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut përdoret në esencë që të robërojë femrën shqiptare që është në kundërshti me rolin e saj si në familje si në shoqëri, është pengesë për çdo hap të saj në rikthimin e vlerave dhe synimeve europiane.

Sikur kjo kauzë të ishte për studentet femra që në pamundësi ta gjejnë një punë zhgënjehen, për nanat e papuna që rrisin fëmijë, për nanat dhe gjyshet tona që kanë probleme të shumta etj.

Do kisha dashur që në politikë të kishim femra që mendojnë me kokën e vetë, që kanë ambicie pozitive, që janë munduar shumë për karrierën e tyre, jo nga ato që me taksa të popullit shtiren “aristokrate” duke u munduar t’i mbulojnë komplekset e inferioritetit, femra shqiptare që kanë synime dhe orientim europian përendimor, jo nga ato që thirren kinse në këto synime por qasja dhe paraqitja e tyre e vë në pah provincializmin oriental, do kisha dashur deputete që lexojnë, reflektojnë, jo deputete të Tik-Tokut.

Sepse për mua nuk janë shembulli politik ato femra të pangopura materialisht, që për ambicie të paskruputllta shesin çdo gjë me synim që t’i shuajnë deliret e madhështisë.

Share: