Home Gjeo-Ekonomia Zyrtari amerikan: Kërkesat e sigurisë së Rusisë çojnë drejt rendit të ri...

Zyrtari amerikan: Kërkesat e sigurisë së Rusisë çojnë drejt rendit të ri botëror

Propozimet për sigurinë evropiane, që Rusia ia dërgoi Perëndimit në fund të vitit të kaluar, paraqesin një rrugë drejt një rendi të ri botëror, të rrezikshëm, tha një zyrtar amerikan.

Michael Carpenter, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Perëndimi thjesht nuk mund të negociojë për parimet kyçe, siç janë sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve.

“Nëse fillojmë të ndjekim rrugën e negociatave mbi parimet thelbësore të rendit ndërkombëtar, atëherë do të përfundojmë në një botë ku fuqia bën ligjin dhe raketat, tanket e trupat vendosin nëse një vend duhet të zgjedhë të ardhmen e tij”, tha Carpenter.

Në dhjetor, Rusia kërkoi nga NATO që të ndalonte zgjerimin drejt lindjes dhe të tërhiqte trupat dhe armatimet nga Evropa Lindore dhe Qendrore.

Moska i bëri këto kërkesa teksa vendosi mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën. Grumbullimi i trupave, sipas ekspertëve dhe zyrtarëve perëndimorë, është përpjekje e Rusisë për të negociuar duke “vendosur revolen në tavolinë”.

Rusia po kërkon që të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, diçka që Kremlini e ka quajtur si “vijë të kuqe”.

Tri runde negociatash, që u mbajtën më herët gjatë këtij muaji midis Perëndimit dhe Rusisë mbi kërkesat e sigurisë, dështuan, teksa janë rritur shqetësimet se pushtimi i Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm.

Rusia mohon se ka plane që ta pushtojë Ukrainën.

Gjatë këtyre takimeve, SHBA-ja dhe partnerët evropianë e kanë paralajmëruar Moskën se do të përballet me sanksione “masive” ekonomike, nëse e pushton Ukrainën.

Carpenter, që e ka përfaqësuar Uashingtonin në takimin e OSBE-së me Rusinë më 13 janar, tha se kërcënimi për sanksione të fuqishme perëndimore, kanë për qëllim që Rusia të zgjedhë midis diplomacisë dhe pushtimit.

“Ajo që ne gjykojmë si mënyrë më efektive për t’iu qasur situatës është zgjerimi i hendekut midis këtyre dy zgjedhjeve, në mënyrë që të bëhet shumë e qartë” për Rusinë, tha ai.

Megjithatë, ekziston shqetësimi se mund të ketë mospajtime në Perëndim lidhur me përgjigjen ndaj agresionit rus. Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, ka lidhje të thella tregtare me Rusinë dhe mund të humbasë më shumë se shtetet e tjera nëse vendosen sanksione ndaj Rusisë.

Carpenter tha se jo çdo shtet mund të jetë “100 për qind në të njëjtën linjë” lidhur me masat që po diskutohen, por tha se beson se ka një unitet të fortë që të vendosen sanksione të ashpra në rast të një pushtimi.

Përderisa e cilësoi si shqetësues grumbullimin ushtarak rus, Carpenter tha se ende ka shpresë për diplomaci, duke theksuar se Perëndimi dhe Rusia mund të bëjnë përparim në disa prej kërkesave të Moskës, siç janë kufizimet për armët dhe transparenca mbi stërvitjet ushtarake.

Ai po ashtu tha se SHBA-ja mbështet vazhdimin e bisedimeve të paqes për zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia./ REL

Share: