Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Johnson përcaktoi synimin e tij për të çuar përpara interesat e Ukrainës në takimet e kësaj jave të NATO-s dhe G7 dhe në angazhimin e ardhshëm dypalësh me aleatët kryesorë.
Kryeministri britanik ka siguruar Zelensky për mbështetje më të madhe ushtarake si dhe vendosjen e të tjera sanksioneve ndaj Rusisë.
“Kryeministri nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të koordinuar mbështetjen për forcimin e vetëmbrojtjes së Ukrainës. Udhëheqësit diskutuan gjithashtu negociatat në vazhdim dhe kryeministri ripohoi mbështetjen e tij të vendosur për pozicionin e Ukrainës. Të dy liderët theksuan rëndësinë e vazhdueshme të sanksioneve në ushtrimin e presionit ndaj Putinit dhe ata dënuan sulmet e neveritshme ndaj civilëve të pafajshëm, pas bombardimeve të tmerrshme në Mariupol. Kryeministri shprehu admirimin e tij për trimërinë e Ukrainës dhe ishte i qartë se Mbretëria e Bashkuar ishte e përkushtuar për të rritur mbështetjen ushtarake, ekonomike dhe diplomatike në mënyrë që të ndihmonte në përfundimin e këtij konflikti të tmerrshëm. Të dy liderët ranë dakord të rrisin komunikimin e tyre të drejtpërdrejtë edhe më tej në ditët në vijim”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike./ Opinion.al