Home Gjeo-Ekonomia Në paqe bijtë varrosin baballarët, në luftë ndodh e kundërta

Në paqe bijtë varrosin baballarët, në luftë ndodh e kundërta

Nga Azem PARLLAKU

Një luftë e paralajmëruar e pak e besuar

Samuel Phillips Huntington ish-profesor i politikologjisë nëUniversitetin e Harvardit (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) nëlibrin e tij “Përplasja e qytetërimeve” shkruante se; “në botën e pas Luftës së Ftohtë, dallimet më të rëndësishme midis popujve nuk do të jenë ideologjike, politike apo ekonomike. Ato do të jenë kulturore”. Huntington i parashikoi me saktësi të frikshme krizat post-ideologjike në Europë dhe më gjerë. Një nga esetë e tij ka nënvizuar se Ukraina është një vend i çarë dhe i ndarë së brendshmi përgjatë linjave historike, gjeografike dhe fetare, me Ukrainën perëndimore të vendosur në cepin europian, dhe me Ukrainën lindore e Krimenë në orbitën e Rusisë Ortodokse.Sipas Huntingtonit: “Ukraina mund të ndahet përgjatë vijës sëthyerjes në dy entitete të veçanta, lindja e të cilave do të bashkohet me Rusinë dhe se çështja e shkëputjes së pari do të shtrohet në Krime”. Vetëm mendje të ndritura si e SamuelPhillips Huntington mund të parashikonin me saktësi të frikshme atë që po ndodhë në Ukrainë.

Sot ngjarjet në terren po dëshmojnë qëndrimin rus, i cili duke kundërshtuar rendin ndërkombëtar unipolar të dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjerimin e NATO-s në Lindje të Europës, ka shndërruar Ukrainën në një “mollë sherri” mes Perëndimit dhe Rusisë. Me invazionin e paprovokuar rus në Ukrainë që shënon luftën e parë madhore në Evropë prej shumë dekadash, e vetëm gjashtë muaj pas daljes kaotike dhe katastrofike të Perëndimit nga Afganistani, veprimet e presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin e një vendi sovran e ka bërë botën sot një vend shumë më pak të sigurtë.

Në vend që të zgjidhte krizën e Ukrainës përmes negociatave diplomatike, siç pritej, Putin preferoi të thellonte krizën duke pranuar kërkesat për pavarësi të të ashtuquajturave Republika të Luganskut dhe Donjeckut në rajonin e Donbasit dhe të dërgonte Forcat Paqeruajtëse ruse në këtë rajon dhe më pas të fillonte me sulme ndaj Ukrainës. Kështu, Protokolli i Minskut, i cili ka qenë baza e negociatave për një zgjidhje që nga viti 2014 e këtej, në fakt është zhdukur. Duke mos u kënaqur me kaq, Putin renditi kushte të reja; Pranimi i aneksimit të Krimesë, heqja dorë nga ideja e futjes së Ukrainës në NATO, rrëzimi qeverisë ukrainase ose detyrimi i saj të dorëzohej dhe në fund çarmatimi i Ukrainës.Presidenti rus Vladimir Putin, është gati të përdorë të gjitha opsionet, për të arritur fitoren në Ukrainë. Ai po tregon se, nuk do të ndalet me sanksione sado të mëdha të jenë ato. Presidenti rus Vladimir Putin i ka konsideruar sanksionet e vendosura nga Perëndimi për pushtimi ne Ukrainës, si një shpallje lufte.

Përtej debateve dhe komenteve të panumërta mbi këtë luftë njëgjë është e sigurtë; Për opinionin publik çdo luftë është një betejë, e për rrjedhojë lufta e Putinit në Ukrainë në një epokë të imazheve të masmedias e ka identifikuar Rusinë me një sulm të paprovokuar ndaj një fqinji paqësor, me vuajtje masive humanitare dhe me krime të shumta lufte. Ndërsa përparimi i forcave ruse, të cilat hynë në kufijtë e Ukrainës më 24 shkurt, vazhdon, megjithëse ngadalë, duket se Putini, nuk ka gjasa të humbasë luftën në në fushën e betejës.

Një luftë e ngadaltë me shumë beteja që do të jenë tëdhunshme 

Aktualisht Putini dhe shtabi i tij i luftës nuk e kanë faktorin kohë me vete sepse tashmë fitorja e shpejtë nuk ekziston më. Ky faktdo të kërkojë patjetër një sukses të ri për të mbyllur njollën që u hap në Ukrainë. Sa për ushtrinë ruse dhe ecurinë e operacioneve të saj në terren po vërehet një dobësi e paparashikueshme dhe një organizim që nuk po di t’i përgjigjet situates, ç’ka e bën tëdomosdoshëm kalimin në operacionin klasik; rrethim dhe goditje me artileri të rëndë, diçka që është me pasoja katastrofike në kohën tonë.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ka sjellë surpriza që kanë të bëjë me vështirësitë e konsiderueshme me të cilat përballet ushtria ruse, sa i përket mbështetjes logjistike, koordinimit të forcave nëbetejat ushtarake në terren, moralit të komandantëve dhe ushtarëve dhe lëvizshmërisë të formacioneve të sulmit luftarak.Dështimi i forcave ajrore ruse për të pasur epërsi mbi mbrojtjen ajrore të Ukrainës, dhe për të operuar në shkallë të gjerë kundër forcave tokësore të Ukrainës, është një tjetër dëshmi se si leksionet bazë të artit operacional në shkollat ushtarake ruse, mbeten të pashpjegueshme. Kur kanë kaluar më shumë se dhjetëditë nga sulmi ushtarak, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse është bindur se arritja e objektivave të fushatës nuk mund të bëhet me aq fuqi luftarake sa ishte parashikuar. Nëse kjo provohet si e vërtetë, atëherë jemi para një skenari, kur një shtab i tërë ka dështuar me turp në planifikimin e parë në shkallë masive që nga lufta në Afganistan.

Uniteti dhe efektiviteti i jashtëzakonshëm i rezistencës ukrainase, e cila e ka ngadalësuar ndjeshëm përparimin rus në veri të Ukrainës, duke i shkaktuar humbje të mëdha në trupa dhe mjete ushtrisë ruse, nuk e ndryshon prognozën e përgjithshme, mbasi ende nuk është kaluar në fazën luftarake konvencionale tëkësaj lufte.

Fillimisht fushata ruse e dezinformimit strategjik e cila sillej rreth mohimeve kategorike të paralajmërimeve perëndimore mbi një pushtim të afërt pati sukses. Fryt i këtij suksesi ishte parandalimi i mobilizimit ushtarak nga qeveria ukrainase, si dhe kryerja e përgatitjeve për një rezistencë civile. Ushtria e Ukrainës nuk do të jetë në gjendje të kthejë prapa ushtrinë ruse.Nëpërmjet bombardimeve ajrore që priten të jenë më tëshpeshta, si dhe mundësisë të provojë një përdorim në shkallë të vogël të armëve bërthamore për të njëjtin efekt, Rusia mund të rrafshojë qytetet e Ukrainës, duke arritur kështu dominimin mbi hapësirën e betejës Ushtria ruse është në “një ligë tjetër” nga ajo e Ukrainës. Rusia është një fuqi bërthamore, ndërsa Ukraina jo. Deri tani, ushtria ukrainase ka luftuar me vendosmëri dhe aftësi të admirueshme, por pengesa e vërtetë për përparimet e ushtrisë ruse ka qenë vetë natyra e luftës

Ushtria ruse disponon me shumicë avionë luftarak, por çuditërisht deri tani nuk ka arritur të kryejë operacione ajrore nëshkallë të gjerë, mosveprim ky i cili ka çuar në përparimin e ngadaltë të kolonave dhe formacioneve luftarake, duke shënuar njëherësh dhe viktima më të shumta në numër. Në sulmet fillestare  me raketa u shmangën me sukses radarët ukrainas, duke  shkaktuar disa dëme në sistemet e e vjetruara të mbrojtjes ukrainase, por gjithësesi nuk u arrit të shkatërrohet forca ajrore e Ukrainës. Shtabi rus i luftës duke mos mobilizuar forcat ajrore në një shkallë më të gjerë, ka besuar se një ndërhyrje e tillë nuk do të ishte e nevojshme.

Në ditët e para të sulmit mbështetja tek operativët e infiltruar dhe forcat speciale, për të vrarë apo kapur liderët ukrainas kryesorë, dhe futja e trupave me automjete të lehta dhe të mesme për të rrethuar me shpejtësi qytetet, me shpresën e një kolapsi të shpejtë të Ukrainës dhe nisjen e bisedimeve për dorëzim, e orientuan shtabin rus të luftës të koordinohej dobët, duke mos patur aftësinë të urdhëronte operacione ushtarake të qëndrueshme. Në luftimet në veri të vendit kolonat e ushtrisë ruse që nuk kishin artilerinë, armët e kalibrit të rëndë dhe mbështetjen e mbrojtjes ajrore, hasën në një rezistencë të ashpër. Reagimi i gjeneralëve rus ndaj përparimit të ngadaltë dhe shumë viktimave në veri dhe verilindje, ka qenë dërgimi i trupave shtesë dhe i pajisjeve nga Bjellorusia, për të plotësuar rrethimin e kryeqytetit Kiev dhe qyteteve më të vogla. 

Paaftësia e inkursioneve të befasishme ajrore, mbështetja e dobët logjistike, përfshirë paaftësinë e dukshme për të avancuar jashtë rrugëve automobilistike, për shkak të praktikave të dobëta të mirëmbajtjes së teknikës luftarake dhe terrenit me baltë në Ukrainën Veriore në këtë periudhë të vitit, kanë sjellë bllokime të mëdha të pajisjeve ushtarake ruse, të cilat kanë bërë pak progres. Në disa rajone të afërsisë me kufirin rus edhe pse ka pasur bombardime të rënda, luftimet kanë mbetur të kufizuara, dhe nuk është arritur një depërtim i shkallës së gjerë. Njërigrupim i forcave dhe rishikim i planit luftarak, e bën tëpashmangshëm përdorimin armëve më të rënda dhe taktikave brutale të rrethimit urban, për të provuar thyerjen e vullnetit të ukrainasve për të luftuar. Mungesa e përgatitjes dhe e ushqimit, ilaçeve, ujit dhe municioneve nga qeveria ukrainase në javët para pushtimit, do ta përkeqësojë katastrofën humanitare që tashmë ka filluar, dhe emergjenca humanitare rritet çdo orё e mё shumё. Bashkimi Europian dhe e gjithë bota kanë filluar tëshohin me tmerr se si bombardohen spitalet civile dhe maternitetet. “Në paqe bijtë varrosin baballarët, në luftë ndodh e kundërta, baballarët duhet të varrosin bijtë” shkruante filozofi dhe nobelisti anglez  Bertrand Russell.

Në ditët në vijim luftimet do të jenë shumë më të ashpra, për faktin se, fuqia e zjarrit luftarak do të jetë shumë më e madhe.Kjo fuqi zjarri do të vijë si rezultat i intensitetit të goditjeve dhe kundërgoditjeve pas fluksit të shpejtë të armatimeve që vijnë për forcat ukrainase nga Perëndimi dhe për forcat ruse nga Moska dhe pjesët e kontrolluara të Ukrainës jugore. 

Tashmë që Paqja në Evropë është një gjë e së kaluarës dhe besimi tek Rusia është shkatërruar plotësisht, pasojat e një humbjeje ruse në Ukrainë do t’i vendosin Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës para sfidave të tjera themelore. Duke supozuar se Rusia do të detyrohet të tërhiqet një ditë, rindërtimi i Ukrainës, me qëllimin politik për ta mirëpritur atë në BE dhe NATO, do të jetë një detyrë, që do të kërkojë një mund të madh. Nëse Rusia do të ndalojë pushtimin e saj, dhuna e shkaktuar tashmë në Ukrainë, do të jetë një traumë që do të zgjasë për disa breza.

Share: