Presidenti Joe Biden deklaroi se “krime të mëdha lufte” po zbuloheshin në Ukrainë teksa forcat ruse po tërhiqeshin nga zonat përreth Kievit. Duke përmendur skenat e ekzekutimeve brutale dhe gjakftohtë Biden tha se këto janë arsye për rritjen e sanksioneve amerikane ndaj Moskës.
“Vendet duhet të bashkohen dhe të ndëshkojnë përgjegjësit” tha Biden në një prononcim për mediat nga Uashingtoni, ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi sanksione të reja ndaj institucioneve më të mëdha financiare të Rusisë dhe një numri individësh të lidhur me Kremlinin, duke përfshirë dy vajzat e presidentit rus Vladimir Putin.
“Do të vazhdojmë të rrisim kostot ekonomike dhe dhimbjen për Putinin, si dhe do të vijojmë ta izolojmë edhe më shumë Rusinë”, shtoi presidenti.
“Imazhet e tmerrshme nga qyteti ukrainas i Bucha dhanë “një ndjenjë brutaliteti”. Ishin çnjerëzore dhe pa falje,” tha Biden në fjalët e tij ndërsa njoftoi hapat e rinj që SHBA po ndërmerrte për të ndëshkuar përgjegjësit.Sanksionet janë krijuar për të forcuar pengesën ndaj ekonomisë ruse, e cila është gjunjëzuar nga ndëshkimi perëndimor. Megjithatë, pasojat gjithnjë e më të rënda për pushtimin e Ukrainës nuk janë dukur ta detyrojnë Putinin të lehtësojë një fushatë brutale që ka shënjestruar gjithnjë e më shumë civilët.
Biden ka thënë më parë se beson se Putini është një kriminel lufte dhe këtë javë bëri thirrje për një gjyq për të mbajtur Moskën përgjegjëse. Megjithatë, procesi për ndjekjen penale të krimeve të luftës është kompleks dhe i gjatë, dhe mbeten pyetje se si dhe kur mund të jepet një përgjegjësi e tillë./Opinion.al