Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha emri më i përfolur në radhët e socialistëve për postin e presidentit është ai i Vali Bizhgës.
Berisha u shpreh në konferencën për gazetarët se Edi Rama ka zgjedhur procedurën më mafioze për emrin e presidentit ndërsa theksoi se dy të tretat e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës.
“Ftoj mediat të investigojnë dhe të mos harrojnë se interesi publik dhe mbrojtja e tij është detyra më parësore e tyre. Çështje tjetër që dua të sjell në vëmendjen tuaj është procesi i zgjedhjes së presidentit.
Nëse javën e kaluar këtu folëm me fakte dhe argumente se kongresi i PS ishte më i ngjashëm se me çdo gjë tjetër me një kongres të Cosa Nostras, unë ju them se procesi i zgjedhjes së presidentit është shndërruar në një proces tipik të Cosa Nostras.
Edi Rama ka zgjedhur procedurat më mafioze të emrave në zarfa sekretë. Cili ka dalë emri më i përfolur. Jua them unë. Sipas statistikave të Edi Ramës dy të treta e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës”, deklaroi Berisha.
Kush eshte Vali Bizhga
Ne vitin 2013, kryeministri Edi Rama ka prezantuar drejtoreshen e kabinetit te Keshillit te Ministrave, Valentina Bizhgën.
Asokohe në një postim në Facebook, Rama shkruante: “Është kënaqësi dhe nder t’ju prezantoj drejtoren e kabinetit tim në Kryeministri, Vali Bizhgën. Me Valin kemi punuar krah për krah për shumë vite në Bashkinë e Tiranës, ku kam pasur privilegjin ta kem zëvendësen time dhe më pas drejtore të kabinetit të kryetarit të Bashkisë. Por kemi ndarë së bashku edhe përpjekjet dhe emocionet e disa fushatave, ku Vali ka luajtur prapa kuintave rolin kyç të drejtorit ekzekutiv të fushatës.
Një betejë më e rëndësishme për të, ajo me një kancer të shfaqur befas në formë agresive, e shkëputi lidhjen tonë të punës, për aq sa kohë iu desh Valit ta fitonte betejën më të vështirë të jetës së vet.
Tashmë, ajo është rikthyer në fushën e kahershme të përpjekjes sonë të përbashkët për të bërë punë të mira për vendin e njerëzit, e do të mbulojë me profesionalizmin, pastërtinë dhe përkushtimin e saj të posaçëm në komunikimin me njerëzit, një detyrë ku pa asnjë dyshim do vendosë një standard të ri”, shkruante Rama.
360grade.al