Home Gjeo-Ekonomia Çmimet e larta frenojnë tregtinë, importet nisën uljen në tremujorin e parë

Çmimet e larta frenojnë tregtinë, importet nisën uljen në tremujorin e parë

Çmimet e larta të mallrave kudo në botë po sinjalizojnë dobësitë në konsum, fenomen që po sjell efektet zinxhir në tregti dhe më tej, në ecurinë e përgjithshme të ekonomisë.

Të dhënat e tregtisë me jashtë në tremujorin e parë të vitit 2020 nga INSTAT tregojnë se, sasia e përgjithshme mallrave të importuara nisi rënien. Në janar-mars 2022 u importuan 1,178 mijë tonë mallra, me rënie modeste 0.2% në krahasim me tremujorin e parë 2022, ndonëse në vlerë importet shënuan rritje me mbi 28%, si rrjedhojë e çmimeve më të larta. Importet në sasi po tregojnë se rritja e çmimeve ka frenuar konsumin.

Nga përpunimi i të dhënave mbi importet në sasi të 90 kapitujve të mallrave shihet se për 32 grupime kishte rënie dyshifrore në shumicën e tyre. Rënia e importeve po tregon tendencat e reja të konsumatorëve pas rritjes së çmimeve.

Importet kanë rënë për mallrat jo të domosdoshëm (disa kategori që ka të bëjnë me furniturën e shtëpisë dhe lëndë të para për disa industri), teksa shihet një rritje jo e sasive të importuara të ushqimeve. Trendi i blerjeve po fokusohet tek produktet jetike sipas sasive të importeve.

Grupi i dytë më i madh i importeve në sasi lëndët djegëse dhe mineralet shënuan rënie me 11.8%, kryesisht prej tkurrjes së importeve në naftës në muajin mars. Grupi i katërt më i importuar në sasi (drithërat) shënuan rënie me 4.1%.

Plehëruesit e bujqësisë, grupi i 13-të për nga sasia e lartë e importeve shënoi rënie vjetore me 75% në janar-mars 2022. Më rënie ishin edhe importet e makinerive dhe pajisjeve, produktet farmaceutike, mobiliet dhe pajisje të tjera të furniturës së shtëpisë, etj.

Përjashtim kanë bërë produktet e lidhura me ndërtimin. Importet e “Materiale ndërtimi dhe metale” u rritën me gati 10% për tremujorin me bazë vjetore. Në rritje ishte dhe grupi “Ushqim, pije duhan” (+15%) për shkak të rendjes së konsumatorëve për të siguruar furnizime, pas panikut fillestar që u shkaktua nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Rënia e volumeve të importeve u konfirmua edhe nga sektori i transportit. Sipas të dhënave nga INSTAT, volumi i mallrave të transportuar me det, ajër dhe hekurudhë ka shënuar rënie në mars. Në të kundërt, transporti i pasagjerëve ka shënuar rritje të ndjeshme, si nga deti dhe nga ajri.

Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin mars 2022 është 355,9 mijë tonë, duke u ulur me 4,0%, krahasuar me mars 2021. Në tremujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 1.000 mijë tonë, duke u ulur me 7,4%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021.

Përkundër rënies në sasi, importet në vlerë shënuan rritje vjetore me 28% në tremujorin e parë si rrjedhojë e rritjes së pazakontë të çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve në vlerë janë “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,3 pikë përqindje dhe “ Ushqime, pije, duhan” me +4,3 pikë përqindje./Monitor

Share: