Nga Irena Beqiraj
Ndërsa të gjithë politikanët sot do të flasin për vlerat europiane, ca për arritjet e Shqiperisë drejt antarësimit në BE , e disa te tjerë se cfarë na ka penguar për t’u berë pjesë e BE , ka ardhur koha të ulemi me kembë në tokë .
Grafiku I më poshtëm tregon që edhe pse raportet teknike të Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor (ku futet dhe Shqipëria), kanë përmirësuar nivelin e përputhshmërisë , paradoksalisht ecja drejt europianizimit nuk ka çuar në demokratizim të shoqërisë.
Rrugëtimi 30-vjeçar I Shqiperisë i cili ka pasur destinacion demokracinë liberale, ka stopuar në stacionin e autoritarizmit konkurrues.
Kushtëzimet e BE, edhe pse në këndvështrim të parë, mund të konsiderohen si shtytës i zhvillimit dhe instalimit të demokracisë kanë tri lidhje të dallueshme me zhvillimin e autoritarizmit konkurrues.
Paraja-
Liberalizimi i tregut qëndron në thelb të procesit të pranimit në BE. Por nëse derregullimi, privatizimi dhe futja në tregun e vetëm europian, në vendet Europës Perëndimore, ndodhën gradualisht, Shqipëria dhe vendet e rajonit u përballën me “dilemën e njëkohshmërisë”. Atyre u kërkohej në të njëjtën kohë të zbatonin paralelisht format politike edhe ato të liberalizimit të tregut. Mungesa e kornizave rregullatore të zhvilluara mundësoi që një elitë e vogël aktorësh ekonomikë të siguronin fitime të konsiderueshme monetare private, si dhe të ndërtonin rrjete të forta klienteliste, duke rritur kështu sistematikisht ndikimin e tyre në politikë. Duke nxitur liberalizim dhe privatizim në një fazë kaq të hershme të tranzicionit politik dhe në një kontekst të brishtë, BE së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare kanë lehtësuar pa dashje shfaqjen e rrjeteve joformale me ndikim politik.
Pasivitet në politikëbërje –
Anëtarësimi në BE ka qenë edhe është parë si përparësia thelbësore në hartimin e politikave të brendshme. Kushtëzimet e forta të BE-së, të cilat imponohen nga lart-poshtë kanë zvogëluar hapësirën për konkurrencë politike dhe diskutime të brendëshme. Kjo gjë ka fuqizuar dembelizmin tek ekzekutivi , të cilët imponojnë si objektiva pikërisht kufizimet e jashtme të vendosura nga BE. Politikat e zgjerimit të BE-së kanë prodhuar “efekte patologjike” ku politikanët kanë përdorur sjelljen e tyre afatshkurtër gjoja në përputhje me BE, si fasadë për të fshehur praktikat informale në vendimmarrje. Në vend të përgjegjësisë, llogaridhënies dhe matjes së brendshmi të efekteve të reformat e ndërmarra, janë raportet e KE të vetmet matëse të performancës.
Stabilitokracia- Duke pasur parasysh rëndësinë e lartë të anëtarësimit në BE për opinionin publik, çdo përparim zyrtar drejt pranimit, si dhe ndërveprimet e nivelit të lartë me zyrtarët e BE-së ose shteteve anëtare është interpretuar nga përfaqësuesit e qeverive si mbështetje ndaj tyre. Fokusi i BE-së në pajtueshmërinë formale “zyrtare dhe ligjore” ka lejuar politikanët të forcojnë legjitimitetin e tyre dhe pse niveli i përgjegjshmërisë dhe i transparencës ka qenë i ulët, duke minuar kështu zërat e brendshëm kritikë. Në këtë mënyrë më shumë sesa demokracia është promovuar stabilitokracia.
Pas 30 vitesh ka ardhur koha të pranojmë me bindje të thellë se nuk mund të jetë më Europa që do të mendojë strategjikisht për ne, duke vazhduar të “na mësojë” përparësitë edhe objektivat tona strategjike, vizioni nuk importohet as nuk imponohet me kushte .
Rroftë Europa e Bashkuar . Rroftë edhe Zvicra një shtet I vogel në zemër te saj, e cila për të qenë e zhvilluar edhe demokratike nuk e ka pasur të nevojshme te jetë pjesë e saj .