nga Visar Zhiti –
Gjithmonë më ka tronditur
kjo pamje… s’e di ku është marrë, as kë ka autor, ndërsa ky fëmijë që lexon në kazanin e mbeturinave, që lexon e vazhdon të lexojë pandërprerje, sa herë që e shoh, e di, është… shumë fëmijë të kësaj bote. Është imi, yti, i askujt, i të gjithëve…
Ai duket se nuk do t’ja dijë për asgjë, është i përqendruar, po lexon, qetësi ju, që kaloni pranë, qentë dhe macet aty, era që fryn, qetësi rruga, të ndalin makinat, polici të ndryshojë trafikun, të mos bëjnë zhurmë auditoret universitare pranë, as parlamenti pak më tej, kamerierët të mos shërbejnë kafeneve, pushoni, se ai, fëmija i askujt dhe i të gjithëve, po lexon! Ai nuk ka kohë tjetër, fëminia mbaron shpejt!
Më dhimbet, e vuaj, në vjen turp nga librat e mi, nga biblioteka ime, nga sallat e ngrohta të leximeve në dimër dhe të freskëta në verë, ky kazan plehrash ku sipër tij po lexon një fëmijë, është libraria më qortuese që di, ankth dhe realitet i prekshëm, aq shumë tronditëse në kohë paqeje, por luftrat vetëm për këtë duhen bërë, është kjo shëmti që do të shpëtojë botën, pra, më e bukura, për të cilën thoshte Dostojevski, leximi, dija, shtoj fare thjeshtë unë. Jam krenar me atë fëmijë, është kërshëria e së ardhmes, është shkolla, ah, mësimi i rrezikuar, kam frikë, por ai lexon i qetë mbi plehrat që bëjmë ne, mbi plehrat e botës, po, po, e di autorin e kësaj pamjeje… Ai fëmijë ka uri. Prandaj ka dhe shpresë…