Home Gjeo-Ekonomia Ambasadorët thonin se Specialja do jetë Gjykatë e Kosovës,a po tradhtohet Kosova?

Ambasadorët thonin se Specialja do jetë Gjykatë e Kosovës,a po tradhtohet Kosova?

Kur lidershipi kosovar përballej me kërkesën ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale, karakteri vendas i Dhomave të Specializuara nuk ishte vënë në dyshim asnjëherë nga Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Ata flisnin qartësisht për një Gjykatë të Kosovës.

Ndërkohë, Gjykata Speciale në Hagë duket se po tenton që të dalë jashtë veprimtarisë së juridiksionit që ka, me aplikimin e doktrinës “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”, me të cilën akuzon katër figurat e larta të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Më poshtë, deklaratat e disa ambasadorëve në Kosovë, të transmetuaradokumentarin “Devijimi Special”, në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut.

Tracey Ann Jacobson, Ish ambasadore e SHBA-ve në Kosovë:

“Kosova e ka mundësinë tani që të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar, të krijojë këtë Gjykatë – e cila do të jetë nën ligjet e Kosovës… Nëse Kosova dështon në këtë rrugë, me siguri çështja do të shkojë në unionin ndërkombëtar dhe atëherë do ta keni Hagën 2”.

Stephen Rapp / Ambasador i SHBA-së për Krime Lufte në Departamentin Amerikan të Shtetit:

“Formula me të cilën është pajtuar BE-ja është një Gjykatë e Kosovës e themeluar me legjislacion të Kosovës, por me financim dhe përkrahje aktive nga BE-ja”.

Ian Cliff, / Ish -Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë:

“Personalisht mendoj se duhet të jetë një lloj Gjykate e Kosovës, pasi që nuk ka Gjykatë të BE-së dhe nuk duhet të jetë e OKB-së. Prandaj, duhet të jetë një formë e Gjykatës së Kosovës”.

Robert Bosch, Ish Ambasador i Holandës në Kosovë:

“Gjykata është sipas ligjeve të Kosovës”.

Shefat e Misioneve të vendeve BE-së në Kosovë:

“Prioriteti më vendimtar për BE-në dhe Shtetet e saj Anëtare është respektimi i sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, ne kemi mbështetur fuqimisht krijimin e Dhomave të Specializuara, si pjesë integrale e sistemit të Kosovës për sundimin e ligjit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të përmbushet misioni i Dhomave, ndaj të cilave edhe Kosova është e përkushtuar”.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se Kosova u keqpërdor.

“Kosova është keqpërdorur. Është thënë se kjo do të jetë një prej gjykatave të Kosovës, por në të vërtetë nuk ka asgjë, asgjë të Kosovës… Është plotësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, edhe pse është themeluar mbi bazën e Amendamentit 24 në Kushtetutë, sepse ajo gjykatë nuk pranon fare shtetin e Kosovës, nuk pranon fare pavarësinë dhe juridiksionin e Kosovës. Kjo po shihet edhe nga gjykimi që po zhvillohet, ku praktikisht nuk ka asnjë simbol të Kosovës. Thirrja në emër të Kosovës dhe keqpërdorimi i Kosovës është një manipulim shumë i rëndë që po bën kjo gjykatë, sepse ajo nuk po respekton fare Ligjin Penal, Kodin Penal të Kosovës, po përkundrazi po promovon praktika të panjohura penalo-juridike në këtë proces gjyqësor, shprehet ai. / Opinion.al

Share: