Home Gjeo-Ekonomia “Ballkani i Hapur” dhe dritëhijet që e shoqërojnë…

“Ballkani i Hapur” dhe dritëhijet që e shoqërojnë…

Nga Elira Luli

Në Ohër u mbajt takimi i radhës për diskutimin e mbarëvajtjes dhe të ardhmes së iniciativës më të fundit “Made in Balkans – by Balkan (leadership)”.

Lajmi bëri sërish jehonë në media, shoqëruar si gjithmonë me shumë kritika nga një pjesë e mirë e ekspertëve, studiuesve, por edhe shoqërive të disa vendeve, aq sa reagimi shkon në ekstrem në përshkrime, parashikime dhe përsiatje të ngjarjeve të kaluara.

Është e vështirë të krijosh një ide të saktë, se si do te jetë e ardhmja e kësaj iniciative por studiuesit, akademikët, intelektualët duhet të jenë të ftohtë dhe konstruktiv kur analizojnë sidomos për një rajon ku uljet e ngritjet e tensioneve luajnë nga një skaj në tjetrin dhe vazhdojnë impaktojnë rajonin.

Europa Juglindore përgjithësisht ka pasur një rrugë të mundimshme drejt BE-së, që nga viti 2000 në Samitin e Zagrebit që u lancua perspektiva europiane dhe gjatë këtij rrugëtimi një pjesë e vendeve “mundën” – ia dolën të hyjnë në pragun e shtëpisë më të ëndërruar, ndërkohë një bllok vendesh nga Ballkani Perendimor, nuk po mundet dot.

Në kuadër të këtij rrugëtimi ka pasur iniciativa të tjera rajonale, ku Procesi i Berlinit mund të renditet si një proces që përcolli parimet për te cilat Ballkani i Hapur duket i vetëdijshëm të marrë pronësinë dhe t’i implementojë ato, pra të zbatojë atë, çfarë nuk u arrit dot në kuadër të Procesit të Berlinit. Por, kur flitet për pronësi nga një rajon, që nuk ka mundur të avancojë në rrugën e pajtimit dhe t`i përqafojë raportet e fqinjësisë së mirë, dyshimet shtohen se çfarë interesash fshihen pas, apo kush do të dominojë, kush do të diregjojë, kush do përfitojë më shumë nisur nga disbalanca e kapaciteteve ekzistuese konkurruese.

Pas një qëndrimi zhgënjyes me BE-në në pergjithësi dhe pas përballjes së vështirë të saj me disa sfida, ku e fundit ishte ajo e COVID-19 dhe kjo aktuale e luftës Rusi-Ukrainë, duket e vështirë që ajo të qartësojë pozicionin e saj dhe aftësinë e saj në lidership dhe vendimmarrje për politikat e zgjerimit.

Pas samitit që u organizua në Brdo Pri Kranju, në 2019 tre liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dolën me qëndrimin “ta marrim fatin në duart tona” duke hedhur idenë e “mini-Schengen-it” për një integrim mes vetes si fillim dhe më pas në BE. Ne Korrik 2021 kjo ide u pagëzua zyrtarisht me emërtimin  “Ballkani i Hapur”.

Komuniteti Ndërkombëtar bën thirrje vazhdimisht që duhet të jenë të përfshirë të gjithë aktorët e bllokut të Ballkanit Perëndimor, ndryshe nuk do të kishte kuptim. A thua ekspertët ndërkombëtarë e harrojnë faktin, që blloku prej 6 vendeve, që prej periudhës së shuarjes së konflikteve nuk ka qenë asnjëherë nje bllok i përbëre nga “likeminded nations” – pra shtete me mendje dhe sistem vlerash të njëllojta. Aleancat gjithashtu  i kanë të ndryshme, duke sjellë edhe mospajtim të interesave ndërmjet tyre shpesh herë. Ato thjesht destinacionin dhe procesin normues dhe demokratizues e kanë të njëjtë, një proces që ka rezultuar shterrues dhe sa më shumë ato duket se po afrohen, destinacioni i zgjedhur duket se  i largohet atyre.

Analogjia që përdoret me Projektin e BE-së

Bashkëpunimi për Projektin Europian filloi bazuar në qasjen funksionaliste. Çështja e fushave të qymyrit në Saar dhe Ruhr ishte duke helmuar marrëdhëniet midis dy vendeve, Francës dhe Gjermanisë. Franca ishte ende e përhumbur nga kërcënimi i paraqitur nga Gjermania.

Robert Schuman në 1950 doli me deklaratën që prodhimi i përbashkët i qymyrit dhe çelikut në të dy vendet të vendoset në kuadrin e një strukture të fortë, mbikombëtare, “Autoritetit të Lartë” mbikqyrës. Integrimi ekonomik sektorial do të zhvillohej për interesa të ndërsjella që lidhnin automatikisht të dy vendet dhe vendet e para të tjera që u bashkuan në një unazë interesash të ndërsjella.

Plani, u mirëprit menjëherë me entuziazëm nga kancelari gjerman, Konrad Adenauer, dhe më pas nga Italia dhe tre vendet e Beneluksit, duke avancuar me nënshkrimin më 18 prill 1951, të Traktatit të Parisit për krijimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC).

Edhe në rastin e iniciativës ballkanike, fokusi mbetet te bashkëpunimi ekonomik dhe zbatimi i 4 lirive, duke avancuar edhe në arsim, kulturë etj…., por modeli funksional, “road map” i përfitimeve ekonomike të ndërsjella konkrete, përpos marrëveshjeve të nënshkruara, nuk është i qartë dhe autorietet mbikombëtare mungojnë.

Por ku qëndrojnë dallimet më konkretisht?

Besimi është kryefjala në gjithë debatin që zhvillohet në kuadër të këtij projekti. Ka një mungesë besimi të thellë të përcjellë jo vetëm nga ngjarjet e kaluara, por edhe ato që vazhdojnë të konstruktojnë realitetin edhe sot.

Përse? Sepse ka raste konkrete që vende të caktuara të rajonit, si Serbia parapëlqejnë për shkak të nacionalizmave, doktrinave të vjetruara dhe interesave të ngushta kombëtare të mos djegin etapat, por t`i tejkalojnë ato, t`i mbivendosen me një lloj kryeneçësie historisë – automatikisht dhe rrjedhave integruese, si dhe angazhimeve dhe detyrimeve në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare.

Për ta krahasuar sërish me mënyrën se si filloi bashkëpunimi për projektin europian, pasi në këto raste duhet t`i referohemi modeleve të suksesshme dhe duhet të aplikojmë modele të suksesshme, është e rëndësishme të sillet në vëmendje kronologjia e ngjarjeve në Europë për shtetet që shfaqnin armiqësi.

Në kuadrin e lëvizjeve pro-europiane pas LIIB dhe të një Europe që do të zhvillohej në paqe për një rifillim te ri, u propozua vetë KQC.

Bashkimi dhe integrimi kërkonte lidhje më të ngushta ekonomike, sociale dhe politike për të arritur rritjen ekonomike dhe sigurinë, ku në themel qëndronte promovimi i një pajtimi të qëndrueshëm midis Francës dhe Gjermanisë, një ngërç që kishte prodhuar situatën shkatërruese që sollën dhe luftrat.

Pas LIIB 1945 u mbajt Konferenca në Potsdam, e cila vendosi fatin e Gjermanisë – praktikat e çarmatimit të saj të plotë, shfuqizimin e Partisë Nacional Socialiste-denazifikimin, gjykimin e kriminelëve të luftës dhe masën e dëmshpërblimeve/reparacioneve.

Në vitin 1946, kriminelët kryesorë të luftës u gjykuan në Nuremberg nga gjyqtarët aleatë e kështu me radhë, Gjermania shleu pjesën e saj të fajit.

1945-1963 – pas ezaurimit ose djegies së këtyre etapave u krijua besimi që armiqësia e trashëguar të ktheheshe në një proces të suksesshem pajtimi, i cili është shndërruar sot në shëmbëlltyrën e dy kolonave kryesore mbajtëse të BE-së nga këto dy shtete.

Ndërkohë në rastin e Ballkanit Perëndimor çështja e mungesës së besimit vazhdon e bren këtë rajon pikërisht, sepse nuk digjen etapat për të ndërtuar urat e bashkëpunimit.

….Dhe për t`ju rikthyer edhe një herë projektit në shtëpinë tonë, dy shtete antagoniste – vendin apo patronazhin e së cilës nuk mund ta marrë dot asnjë shtet tjetër për sa kohë flasim për shtete të pavarura – vazhdojnë të krijojnë ngërç të thellë për të gjithë stabilitetin dhe avancimin e proceseve integruese.

Gjermania pas vitit 45 mori përsipër angazhimet për shlyerjen e fajit në të gjitha aspektet që parashikon e Drejta Ndërkombëtare.

Ndërkohë, Serbia ka një qëndrim të hekurt mospranues për genocidin e kryer në Bosnje Hercegovinë dhe në Kosovë, nuk ka kërkuar falje, nuk e njeh Kosoven si shtet të pavarur, madje në kushtetuten e saj e quan Kosovën si pjesë të saj, por me një dyftyrësi i bën ftesë Kosovës për përfshirje në këtë iniciativë. A ka një paradoks këtu!?

Hamendësojmë që Serbia nëpërmjet ftesës dhe më pas pranisë së Kosovës në Ballkanin e Hapur mund të jetë duke nënkuptuar një “njohje implicite” –  kjo sërish do të shihej me dyshim nga pala kosovare për sa kohë këto zhvillime kishin mundësi të ndodhnin gjatë ndërmjetësimit të Brukselit në një dialog që rezultoi në status quo-në aktuale, ku nuk pati as vullnet për zbatim marrëveshjesh jo më, për fillesat e një njohjeje të heshtur. Eksperienca pra tregon të kundërtën.

Dallimet në Orientime…

KQC , ne rastin e projektit europian kishte edhe një  synim tjetër- që të sigurohej që Republika Federale e Gjermanisë (FRG) të ankorohej fort në botën e lirë perëndimore.

Ndërkohë me aleancën e fortë që Serbia ka me Rusinë, dyshohet nëse ajo do të vendoset fort në binarët që “mund ta shpien” atë më shpejt drejt BE-së, apo të zhvendosë forcën e gravitetit drejt planeve të aleancës së saj shpirtërore atërore me Rusinë.

Hezitime të tjera…

Tre shtete deri tani kanë bërë rezistencë. Me takimin e fundit, Mali i zi dhe Bosnje Hercegovina u qasën me statusin e vëzhguesit dhe perspektiva pozitive në vazhdim.

Nuk ka qartësi (përpos diskurseve politike), nëse ky projekt i mbivendoset, i zëvendëson, zgjaton apo i vazhdon paralelisht iniciativat ekzistuese, ku roli i BE-së është “on board”, mundohet të ndërlidhë palët dhe krijon besim ndërmjet tyre. Në këto iniciativa ekzistuese gjithashtu të gjashtë shtetet janë të përfshira.

Qasja rajonale “facere-it-te” si diktat që vjen nga politika, lë shumë skepticizëm për mënyrën se çfarë benefitesh ekonomike do të sjellë në nivel rajonal kjo politikë e drejtuar nga lidershipi ballkanik, që nga menaxhimi dhe rezultatet e saj në nivele kombëtare, ka prodhuar një tranzicion permanent.

Ndërkohë që në vitin 2000 kapitulli për ndërtimin e paqes dhe prosperitetit ka funksionuar në kuadër te rrugëtimit të përbashkët dhe monitorimit të BE-së, si nje stimul që këto vende do i çonte në të njejtin destinacion, iniciativa e re rrezikon të krijojë mure të cilat mund të rezultojnë shumë të dëmshme në të ardhmen, qoftë edhe nëse nje vend nga gjashtshja mbetet jashtë.

Qëndrimi i Kosovës në këtë situatë…

Kosova është ndër vendet më vokacionin më të lartë pro euro-atlantik në rajon. Me një eksperiencë të gjatë nën varësinë e Serbisë, një histori represioni, shkelje sistematike e të Drejtave të Njeriut, e vulosur me genocide, ka të gjithë të drejtën e saj si shtet që pavarësinë e fitoi me gjak dhe me një rezistencë të jashtëzakonshme, ta shohë këtë projekt nga një perspektivë kritike dhe me shumë skepticizëm.

Shqipëria ndërkohë gjatë këtyre viteve (përfshirë të gjitha qeveritë), si vend amë i origjinës nuk ka bërë punën më të mirë të mundshme që të forcojë lidhjen/kahun ndërmjet dy vendeve (Kosovë-Shqipëri) shpesh edhe me justifikimin “kush na lejon”? Kush mund t´i pengojë dy vende të pavarura e sovrane të bashkëpunojnë sa duan dhe si duan,- lind sërish pyetja?! Sqarim: – Nuk po flitet për bashkim, por për bashkëpunim të llojit natyral, organik.

Në trekëndshin e këtyre marrëdhënieve Kosova paraqitet me një kah të dobët përkundrejt Shqipërisë nga e cila mund të merrte garancitë më të mëdha dhe totalisht e dobët para Serbisë që e shikon si pjesë të saj.

Perspektiva….

Ballkani Perëndimor nuk e ka ende eksperiencën që bashkëpunimin ta ndërtojë mbi principe dhe baza të shëndosha morale, duke ezauruar në të njëjtën kohë edhe problemet e trashëguara si edhe ato ekzistuese.

Është e vërtetë qe ndryshimi do kohë, nuk ndodh brenda natës, por në këto 20 vite nuk është bërë punë e mjaftueshme që të përgatiteshin për këtë ditë as nëpërmjet mekanizmave të diplomacisë publike, që afrojnë më tepër shoqëritë e këtyre vendeve dhe as nga diplomacia tradicionale.

Ndërkohë që shoqeritë nuk duan më barriera, duhet berë çmos që të mos iniciohen barriera duke qenë se çështjet e kaluara krijojne shumë ndjeshmeri dhe në situatën aktuale nuk mund të tolerohet që disa nga vendet të mbesin jashtë. Flasim për një bllok të vogël prej 6 vendesh jo për 30 apo 60 vendesh.

A duhet t’i refuzojmë në ekstrem  këto iniciativa? Patjetër që Jo! Janë të domosdoshme – por jo në pronësi të një rajoni, që ka struktura dhe lidhje ende të brishta, kur ende s’ka kapërdirë kafshatat e hidhura të së kaluarës dhe ku influencat përplasen, por ama nuk duhet të harrojmë që kanë një destinacion të përbashkët euro-atlantik në horizont.

Në këtë pikë të zhvillimeve ka ardhur koha të flasin ekspertët, duke shmangur politikën bruto – me studime konkrete për përfitimet e ndërsjella që të mënjanohet diktati politik dhe retorikat, nga i cili publiku ka një qëndrim të njohur tashme zhgënjyes dhe distant.

Më e rëndësishmja – SHBA dhe BE duhet të jenë orientuese si fanarë tërheqës të këtyre vendeve në rrugën që kanë nisur që pas vitit 2000, jo vetëm për stabilitetin e ketyre vendeve por për vetë stabilitetin në derë dhe interes të tyre.

Kur partnerët strategjikë janë brenda edhe besimi është aty për një shtytje më të madhe, stabilitet më të lartë dhe më shumë qëndrueshmëri.

Në epokën e rrjedhave integruese globale, dhe të një lufte të hapur në rajon, duhet të jemi të qartë dhe të një mendje, që kur flasim për perspektivën e Ballkanit Perëndimor të kalojmë nga sfondi i mjegullt në perspektiva të qarta pro euro-atlantike, të paktën ne si shqiptarë e kemi detyrë dhe detyrim ekzistencal këtë, sepse jemi të rrethuar nga shqiptarë nga të gjitha anët e kufirit të shtetit tonë politik./Opinion.al

Share: