Nga Shaban Murati
Në ditën e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 qershor kryeministri i Shqipërisë njoftoi se qeveria e tij do të ngrejë në Tiranë Qendrën Hebraike dhe në Vlorë Muzeun Hebraik. Qeveria nuk ka ngritur ende në Tiranë as Muzeun e Kosovës dhe as Muzeun e Çamërisë.
Ç’është kjo ethe hebraike, që ka kaplluar kryeministrin e Shqipërisë? Po krijohet një narrativë e re artificiale marrëdhëniesh të jashtme, e cila po ve në dyshim historinë.
Nuk po e dimë më: A janë shqiptarët, që kanë shpëtuar hebrejtë në Luftën e Dytë Botërore apo janë hebrejtë, që kanë shpëtuar shqiptarët? Kush duhet t’i jetë mirënjohës njeri-tjetrit: populli shqiptar apo populli hebre?
Në çdo logjikë normale historike, diplomatike dhe etike i takon qeverisë izraelite të hapë Qendër Shqiptare dhe Muze Shqiptar në Izrael për aktin e rrallë historik të popullit shqiptar, që shpëtoi hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për faktin që Shqipëria është i vetmi shtet në Europë, ku numuri i hebrejve në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte më i madh se në fillim të saj. Kjo quhet mirënjohje.
Megjithë respektin për Izraelin, dihet se populli hebre nuk ka lozur as edhe një rol dhe nuk ka patur asnjë minimum rëndësie në historinë e popullit shqiptar. Gjeografia dhe historia na kanë caktuar shumë larg njeri-tjetrit. Ka shume popuj të tjerë, që do të meritonin më përpara Qendra në Shqipëri.
Kontribute historike për popullin shqiptar ka dhënë Austria apo Bullgaria dhe madje Kina ka dhënë një kontribut shumë më të madh në Shqipëri.
Kryeministri i Shqipërisë mund të ketë dëshirë të konvertohet në çdo lloj feje, që të jetë qejfi i tij i ditës apo i natës. Hebreitizimi i tij është çeshtje personale, që duhet ta mbajë brenda mureve të shtëpisë së tij.
Posti, që ka, i është besuar të menexhojë taksat tona dhe ato duhet të shkojnë në rradhë të parë për përjetësimin e memories historike të kombit tonë.
E përsëris: Shqipëria nuk ka ende as Muze të Kosovës dhe as Muze të Çamërisë. Pa le më të ketë Muze të Masakrës së Tivarit.
Absurditete të tilla qeveritare mbijnë në shtete pa dinjitet dhe pa integritet, sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit që populli, i cili ka shpëtuar një popull tjetër, ta ndjejë veten borxhli ndaj atij që ka shpëtuar.