Home KRYESORE Korrupsioni I pushtetit absolut edhe sytë e mbyllur me dashje të Ambasadores...

Korrupsioni I pushtetit absolut edhe sytë e mbyllur me dashje të Ambasadores !

Nga Irena Beqiraj

Në shekullin e 19, historiani britanik, Lord Acton, do të vërente se: “pushteti tenton të korruptojë dhe pushteti absolut të korrupton tërësisht”.

Që nga ajo kohë, studiuesit duke filluar nga psikologët, neurologët, historianët, ekonomistët, kanë studiuar në një katalog të plotë këtë thënie. Dacher Keltner e quajti “paradoksi i pushtetit”.

“Sado humanë brilant ,modestë, idealistë, të shkolluar, të ndjeshëm ndaj ligjit edhe qeverisjes së mirë t’i zgjedhim udhëheqësit, sapo ata mbërrijnë në majën e pushtetit, gjithçka zhduket si me magji”.

Pavarësisht profesionit artist, ekonomist, jurist, mjek apo inxhinier, pavarësisht prejardhjes nga jugu apo veriu, pavarësisht karakterit bajraktar, apo të djalit modern të bulevardit, pavarësisht se kur nuk kanë qenë në pushtet, kanë shfaqur vizionin, përultësinë, idealet e burrave të shtetit, liderët përfundojnë në pushtetarë të rëndomtë të cilët janë gati të bëjnë çdo gjë për ta mbajtur atë.

E pra, nuk janë emrat që na sigurojnë që pushteti nuk do t’i korruptojë, por janë sistemet që sipas ekonomistit amerikan, Dr.Robert Klitgaard, duhet të kufizojnë monopolizimin e pushtetit, duhet të minimizojnë diskrecionin dhe të rrisin llogaridhënien.

Edhe për tu siguruar për uljen korrupsionin nuk kemi nevojë për fjalime ambasadorësh. Por për të treguar se sistemet që minimizojnë monopolin e pushtetit edhe diskrecionin por edhe rrisin llogaridhënien ekzistojnë . Le ti marrim me rradhë.
Sot pushteti në duart e liderit është absolut. Aq shumë pushtet ka akumuluar në duart e tij sa çdo funksion apo vendimmarrje e organeve të tjera, të cilat janë padyshim mekanizma e balancës dhe kontrollit, konsiderohet nga ai vetë akte formale. Edhe autorizimi I ndryshimit të një marrëveshje borxhi nga ana e Presidentit konsiderohet një akt formal .

Aq shumë diskrecion ka në zbatimin e ligjit dhe ndjekjes së procedurave, sa shumica e tyre nuk zbatohen fare duke mbetur shkrime të harruara në fletoret zyrtare. Në vend të zbatimit të tyre, sot për çdo çështje kemi një procedurë të veçantë diskrete të miratuar me ligj të veçantë të kopsitur sipas dëshirës së qeverisë. Duhen rradhë të tëra për ti rreshtuar gjithe ligjet e vecanta , ku procedurat janë anashkaluar edhe është vepruar tëresisht në diskrecion .

Llogaridhënia është një nocion i degraduar vetëm në debatin pa vlerë të liderit me gazetarët, ku ka mungesë të theksuar të komunikimit të rezultateve që pritet nga vendimmarrjet e qeverisë apo paqartësi të plotë në argumentimin e tyre, edhe pse janë vendime që do të ndikojnë për një kohë të gjatë në jetën e qytetarëve.

Nëse ndonjë i majtë këto rreshta do t’i konsideronte akuzë për liderin në pushtet do të gabohej, nëse ndonjë i djathtë do ta përcaktote qëllimin e këtyre rreshtave, si ulje të pritshmërive ndaj liderit që pretendon të vijë në pushtet, përsëri gabohet.

Këto rreshta jane vetëm për te treguar se në mungesën e sistemeve janë të gjitha kushtet që korrupsioni te mos jetë më as poshtë tavolinës , as mbi tavolinë, por të përfshijë gjithë tavolinën e vendimarrjeve . Ambasadorët nuk na ndihmojnë dot e as na tregojnë dot përparimin , aq më pak ato që në daljet e tyre të shpeshta kanë treguar që nuk janë gjë tjetër vecse humanë brilant sic janë edhe liderët tanë .

Share: