Home KRYESORE Shqipëria në rrezik! Ç’duhet të bëjmë?

Shqipëria në rrezik! Ç’duhet të bëjmë?

Ne thjesht, kush më shumë e kush më pak kemi ngritur ndonjëherë zërin kundër padrejtësive, kemi dalë si spektatorë nëpër protesta, disa që kanë dashur dhe të shfryjnë dufin e tyre, kanë marrë mikrofonin dhe kanë folur, por ne kurrë nuk nisëm, nuk zhvilluam dhe nuk çuam deri në fund një ide, një kauz, një betejë.

Nga Meri Lika

Isha edhe unë e ftuar në takimin “Shqipëria në rrezik! Çfarë duhet të bëjmë?”, por për arsye se nuk ndodhem në Shqipëri nuk e pata të mundur pjesëmarrjen. Megjithatë e ndoqa live takimin. Nëse do të isha në takim, do të kisha thënë fjalë të tjera por pasi dëgjova të gjithë ata që morën fjalën pata refleksione krejt të tjera nga ato fillestaret. Në takim përemri vetor “Unë” ishte fjala që pati dendurinë më të madhe të përdorimit.

Pjesa më e madhe treguan se ata ishin faktorët, se ata kishin luftuar pushtetin, diktaturën, komunizmin, qeverinë, oligarkitë etj, etj, etj. U ndjeva bosh brenda vetes dhe shumë e vogël përpara atyre “heronjve” sepse në fakt unë nuk kam bërë asgjë, unë kam qenë një individ i thjeshtë kundër pushtetit dhe asgjë më shumë.

Historikisht ne vlonjatët jemi kritikuara dhe kritikohemi se e kemi gjoksin gropë ngaqë themi “unë” por, çuditërisht ata që e përdorën aq shumë këtë përemër nuk ishin nga Vlora. Mehdi Malkaj në fjalën e tij (dua të përdor vetën e parë sërish) tha se duhet të heqim mendësinë e shprehej “ç’më duhet mua” por sipas mendimit tim duhet të ndryshojë mendësia edhe për përdorimin e përemrit vetor “Unë”.

Në asnjë moment nuk e mendova takimin si një shpalosje të meritave tona, sepse për secilin mjaftonte emri, mbiemri dhe nëse kishte ide për atë që duhet të ndodh nesër. Askush nga ne, sado të thotë se ka bërë këtë dhe atë, e atë dhe këtë, përsëri nuk ka bërë asgjë përderisa nuk ka rezultat. Të bësh diçka nuk do të thotë të protestosh vetëm, të bësh diçka do të thotë të ngresh masat, të kesh ide, të kesh pasion, të jesh motivim për të tjerët, të kesh këmbëngulje, e nga ne asnjëri nuk e ka bërë (kjo gjithmonë sipas mendimit tim).

Ne thjesht, kush më shumë e kush më pak kemi ngritur ndonjëherë zërin kundër padrejtësive, kemi dalë si spektatorë nëpër protesta, disa që kanë dashur dhe të shfryjnë dufin e tyre, kanë marrë mikrofonin dhe kanë folur, por ne kurrë nuk nisëm, nuk zhvilluam dhe nuk çuam deri në fund një ide, një kauz, një betejë.

Ky është momenti!

Ky është momenti që ne të harrojmë se jemi një “Unë”. Ky është momenti që të hedhim ide, mendime, nëse nuk kemi nuk ka rëndësi nuk është e thënë që të gjithë të kenë ide, kush nuk ka ide mund të kenë mënyra dhe metoda për të zhvilluar idenë e tjetrit, e tjetri të zhvillojë më tutje idenë e një tjetri e kështu me radhë. Ky është momenti që nëse opozita do të na dëgjojë atëherë shumë më mirë për idetë tona, se nëse nuk na dëgjon atëherë në djall vaftë edhe ajo, e ne do të duhet të luftojmë vetë.

Vetë por jo si “Unë”, por si “Ne”. Kur të vijë momenti që në një takim tjetër të mblidhemi sërish në diskutimet tona të themi:

– Ne patëm ketë ide. Ne krijuam këtë kauzë. Ne nisëm këtë betejë.

Ne pra ne dhe asnjë “Unë”, e sigurt që në atë moment do të kemi fituar. Në atë moment NE do të jemi opozita, NE do të jemi makthi i pushtetit, Ne do të jemi shpresa e fëmijëve tanë. Por deri atëhere, keq më vjen por, duhet të ngopemi me lugën plot me zbrazëtinë “Unë”./Dosja.al

Share: