Artisti Bekim Fehmiu përpos që ka qenë aktor i madh me famë botërore ai u tregua po aq i suksesshëm edhe me shkrimin e librit të vet autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” I,II – botuar në serbokroatisht dhe shqip.
Vëllimi i parë e përfshirë periudhën nga lindja e Bekimit më 1936 në Sarajevë deri më 1956 kur shkon për të studiuar në Fakultetin e Dramës dhe Filmit në Beograd, pra atë të fëmijërisë dhe rinisë së vet. Por me këtë libër Bekimi i ka shkruar ODË Prizrenit, si askush deri më sot. Qytetit të cilin e ka dashur më së shumti në botë, nga i cili u nis në rrugëtim të panjohur, i arriti majat e kinematografisë bnotërore, dhe në shenjë dashurie e respekti, iu kthye me hirin e trupit të tij – UJIT, TOKËS DHE QIELLIT të Prizrenit.
Nga ky libër, për ata që nuk e kanë lexuar, kam shkëputur pjesë për Prizrenin ndonëse gjithë librin e përshkojnë imazhet e qytetit ashtu siç e ka pa dhe përjetuar Bekimi.
…….
(…..)
Shtëpia e Shaip Pashës, në të cilën banojmë, gjendet te Nalet-çupria (ne e quajmë “Ura e Drunit”) mu në këndin e rrugëve me kalldrëm.
Është dykatëshe. Nën të gjenden çeshmja e gurit, gazozgjiu dhe ëmbëltorja e Bajram Tadës. Nga ana e djathtë gjenden karabinieria, furra, pastaj “Dardanelet”, kafeneja me fenerin e kuq. Përballë saj gjendet mulliri, para të cilit shtrihet aleja erëkëndëshme e blinjve, si pjesë e përbashkët e kafenesë gjatë verës dhe shpie kah Shadërvani. Mu para shtëpisë sime rrjedh lumi Bistricë. Ndahet në tri pjesë, në dy jaze pranë vetë rrugës nga njëra dhe tjetra anë dhe shtratit kryesor. Jazet e shpejta janë të mbuluara me gjelbërim, shelgje dhe në secilin qindmetrësh gjendet mulliri. Shtrati kryesor i Bistricës është i zbukuruar me gurë të mëdhenj me ngjyra dhe trajta të llojllojshme, të cilët janë të përqafuar me ujë të shpejtë, të kthjellët dhe gurgullues. Të dy brigjet e shtratit janë të stolisur përveç me shelgje, edhe me plepa të lartë. Kur shikoj lart Bistricës, nga ana e djathtë, shoh Urën e Vjetër të Gurit, minaren e xhamisë së Sinan Pashës, Urën e Re dhe deri te maja e Kalasë, e cila dominon dhe e drejton shikimin kah Prizreni. Shkallët e gurit me parmakë të drunjtë çojnë në kat. Hyrjen e stolis dera e madhe, e gdhendur, ngjyrë gështenje. Nga ana e majtë është çardaku i vogël, i cili çon në dhomëzën me dy dritare. Shikojnë kah rrugët dhe Bistrica. Fqinjë kemi, nga njëra anë, prindërit e nuses së dajës, me të cilët kemi të njëjtin kulm, ndërsa nga ana tjetër familjen e Islamit, shokut tim. Ata kanë shtëpi përdhese dhe na lidh kapixhiku. Kanë, po ashtu, kopsht të bukur, dy qengja dhe lopën. Babai i Islamit është hoxhë e bashçexhi.
(….)
Në maje të Kalasë , ulëm pranë topit të hekurt, të vjetër me shekuj, i cili shërben për të lajmëruar iftarin e Ramazanit. Përpara meje është i shtrirë Prizreni, i zhytur në gjelbërim, nga i cili dalin minaret e më shumë se njëzetë xhamive, të cilat zbardhërojnë dhe shkëlqejnë si shigjeta të gjata, të drejtuara kah qielli. Kaltëron kisha ortodokse, kuqërrohet nga tjegullat kisha katolike…Bistrica lakore, e shpejtë, shkumuese, zhduket në fushat e Dukagjinit , deri atje të rrëzat e Malit të Pashtrikut. E shoh gjimnazin e gjelbër…E shoh edhe kulmin e shtëpisë sime.
(…)
Nga rruga, dera e hanit dukej si oxhak, prej të cilit shpërthen tymi, aq shumë pihet në të. Aty janë të përzier duhma e duhanit me të baglave dhe shurrës së kuajve e gomarëve dhe djersën e fshatarëve. Ky kundërmim është i rëndë, por humb posa të largohesh nga zgjoi i vogël i errët.
(…)
Saraçhana është përplot njerëz, të cilët ndeshen si mizat e trollit. Në të majtë janë jorganxhinjtë, malli i të cilëve nëpër vitrina dhe i varur në mure, shkëlqen. Aty janë jorganët prej pambuku me lule të kuqe dhe të arta, ata me këlleve nga sateni të rrethuar me dantella të mëndafshta. Ngjyrat e gjelbra, tirkize, të kaltra, të kuqe all, të verdha, të portokallta, i japin rrugës hijeshi të posaçme.
Përroi i ftohtë lëshohet nga mulliri dhe kalon nën dyqane. Jorganxhiu em fes të zi, ka hapur vrimën në dyshemenë e dyqanit të vet dhe me rrjetë e ka lëshuar në ujë të freskët shalqinin, kurse djaloshi, fqinji i tij, shishet e birrës…
Në të djathtë shtrihen dyqanet përdhese të këpucëtarëve dhe të saraçëve. Vetëm berberi Nuridin Efendiu, prish duhmën lëkurave, me livandat e veta. Dyqani i tij është plot fshatarë. Disa rruhen, disa qethen, kurse të tjerët kërkojnë kuti të “atij” kremi për zhugë apo qele…
(…)
Nxitoj kah teqeja e Sheh Hasanit. Nuk mundem shkurt nga Lama e Drithit, nuk ke gjilpërën ku ta hedhësh. Duke dredhur cik-cak kapërcejë nëpër urëzën e përroit dhe hy në rrugën “e rrobaqepësve”, dhe “te kazanxhinjve”, duek lënë majtas tregun e drithit.
Në të djathtë mbi muret e bardha dhe dritaret e ngritura e dyert bojë-qielli janë varur rrobat e qytetarëve, setrat, pantallonat, jelekët, fustanet ngjyrash të lloj llojshme…
Në të majtë të rrugës, me të kaluar të furrës, nga e cila era e simitëve, somunëve dhe gjevrekëve më siglon flegrat e hundës, gjenden kazanxhinjtë. Po ashtu, me dritare bojë-kafe të ngritura, por të tymosura, mbi murin e bardhë janë të varur bardhakët nga bakri, tepsitë e kallajisura, gjygymat e mëdhenj të bakrit, ibrikët për ujë…Në brendinë e dyqaneve, në gjysmerrësirë shndrijnë fytyrat e djersitura të mjeshtërve, nga zjarri, të ciline fryjnë me rreshkë…
Në rrënzë të mureve të jashtme të dyqaneve janët ë renditur kazanët e mëdhenj nga bakri, kurse përpara tyre kalon përroska deri te Ura e Vjetër e Gurit dhe derdhet në Bistricë.
Tërë kohën më përcjellin tika-takat e rënieve me çekiç,
-Bujrum kazana, prej materialit t’klasës s’par’. Tepsija prë bakllava.
-Urdhnoni pantollonna e fustana, – ofrojnë pronarët mallin e tyre…
Kaloj nëpër kopshtin e teqes plotë erandje dhe freski. Shadërvani i mermertë me çesmë gurgullon. Sheh Hasani në hajat i pranon fshatarët, kurse dervishët i përcjellin. Është shumë gjallëri. Duke u përvjedhtë, kaloj pranë alesë së trëndafilave dhe të shimshirëve dhe nëpër kapixhik, dal në treg të drithit.
Në anën e majtë, te furra, gjenden qerret e ngarkuara me drunj të gjatë. Kuajt qëndrojnë nën peshën e drurëve të shkurtër. Pronarët ofrojnë: Qe dru bungu, dru t’thata”.
Mezi kaloj ndërmjet thasëve të grurit, kollomboçit dhe pronarëve të tyre. Shkoj kah çesma në midis të tregut. Fshatarët pinë ujë, fshijnë hundët, lajnë faqet, lagin shamitë dhe i venë mbi kokë.
Pak më larg para meje, janë të shtruara tezgat e mëdha nga druri. Mbi to zverdhëllojnë rrotat e djathit të Sharrit dhe bardhëllojnë djathrat e tjera të lloj llojshme në tenxhere dhe qeberre. “Bujrum djath, djath t’bardh’; Bujrum djath Sharri, kan’ met vetëm edhe tri rrota; Qe kajmak, kajmak taze; Bujrum kollomboç për palagaça…”thërrasin dhe jehojnë thirrjet për pula,.. ve…pasul…qengja…
(….)
Tash pesë vjet nuk kam qenë në Kala, prej tentimit për vetëvrasje.
Jam ulur pranë topit të Ramazanit!
Prizreni përsëri shtrihet përpara meje me bukurinë e vet magjepsëse.
Bistrica ime, e cila e ndanë qytetin në dy pjesë, degëzohet në përrenj, të cilët rrjedhin pranë saj, rrotullojnë gurët e rëndë të mullinjve, kalojnë pranë mureve të shtëpive, nën dyqanet ku freskojnë shalqinjtë dhe shishet e birrave, presin rrugët dhe rrugicat e kalldrëmit me urëza, madje duke rrjedhë pranë shelgjeve, plepave, lule-blinjve shpërndahen në përroska e këto vrapojnë përfundi kurorave të gjelbra dhe qeramidheve të kuqe me baxha mbi to, duke hyrë në çdo kopsht, lulishte, shpejtojnë pranë manave, ftonjve, kumbullave, mushmollave dhe duke kaluar nga oborri në oborr, i lidhin fqinjët njërin me tjetrin, në mënyrë që të gjithë pastaj , përsëri të derdhën në përrenj e këto të kthehen në amëzën e vet.
Bistrica më duket si man i madh i shtrirë me degë dhe degëza, nëpër të cilat rrjedh argjendi farfurues. Man argjendi!
Gjyshja Hili që moti më thoshte: “Mos pshtyj n’potok ose lum. T’shtremnohet goja!”
I mbërthyer me tisin e parë të muzgut ende rri ulur pranë topit…
Më kaplojnë flutur kujtimet…
Hungurimë…Ndizet qielli…Më mbështjellë mjegulla dhe retë tym baroti…Tym e flakë…Gjëmon toka…Ushtron stuhia…Kufoma…Vaji…
Foshnja…Zgjohet kënga…Jehonë nga brendësia ime më e thellë, nga djepi i kujtesës sime, dëgjoj zërin e ngrohtë dhe të ëmbël kumbues të Dijes sime…