Pak orë para nisjes së protestës, kryetari i PD, Sali Berisha ka ftuar qytetarët që sot në orën 19:00 të mblidhen para Kryeministrisë.
Berisha tha para Parlamentit se protesta e sotme është inaugurimi i procesit të largimit nga pushteti i Kryeministrit Rama.
Ish-kryeministri theksoi se protestat nuk do të ndalen deri në largimin e Ramës.
“Duhet të shpreh mirënjohjen dhe ftesën time për qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të bashkohen në orën 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para ndërtesës së Këshillit të Ministrave për të shprehur në protestën tonë vendimin e shqiptarëve për shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi kleptokratik i Edi Ramës.Protesta ka skenarin e vetë. E rëndësishme është që ne të japim mesazhin tonë të fuqishëm se shqiptarët nuk do ta tolerojnë më këtë regjim i cili nuk meriton të ekzistojë. Kjo është protesta që inauguron procesin e largimit të Edi Ramës nga pushteti, ç’ka do të thotë protestat ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin e tyre madhor”, u shpreh Sali Berisha.