Home Approccio Italo Albanese Disa nga momentet shumë të veçanta që përjetova gjatë vizitës zyrtare në...

Disa nga momentet shumë të veçanta që përjetova gjatë vizitës zyrtare në Rajonin e Kalabrisë.

Nga Lendita Haxhitasim *

Së pari pritja e ngrohtë dhe vllazërore e komunitetit arbëreshë, ishte dëshmi e gjallë e rrënjëve tona shekullore. Të gjithë ata që takova, secili prej tyre, në çdo vend, më ka dhuruar emocione të paharrueshme.

Kjo frymë u konfirmua edhe në takimet që zhvillova me kryetarët e komunave, të cilëve u komunikova vullnetin e plotë të insitucioneve të Republikës së Kosovës për të mbajtur dhe thelluar lidhjen historike me gjakun e shprishur arbëreshë përmes shkëmbimeve kulturore, arsimore, ekonomike dhe tregtare, si dhe investimet në sektorët me interes të ndërsjelltë.

Ky vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim me Kosovën, u mirëprit në të gjitha takimet zyrtare, duke filluar nga Kryetari i Komunës së Kozencës, z. Franz Caruso, Presidentja e Provincës së Kozencës, znj. Rosaria Succurio, Prefektja Vittoria Ciaramella, së bashku me kryetarët e komunave arëbëreshe të:

Firmoza/Acquaformosa – z. Gennaro Capparelli;
Çifti/Civita – z. Alessandro Tocci;
Ferma/Firmo – z. Daniele Bosco;
Frasnita/Frascineto – z. Angelo Catapano;
Ungra/Lungro, z. Carmine Ferraro;
Mungrassanë/Mongrassano – z. Ferruccio Mariani;
Shën Benedhiti/San Benedetto Ullano – znj. Amalia Capparelli;
Strìhari/San Cosmo Albanese – z. Damiano Baffa;
Shën Sofia/Santa Sofia d’Epiro – z. Daniele Sisca;
Spixana/Spezzano Albanese – z. Ferdinando Nociti.

Edhe takimi me Ipeshkvin arëbëresh në Ungra/Lungo, Mons. Donato Oliverio ishte shumë i ngrohtë e plotë urtësi.

Në Provincën e Krotones, u mirëprita nga Presidenti Sergio Ferrari, së bashku me këshilltarët e kësaj province dhe Prefektja, znj. Maria Carolina Ippolito.

Në vijim, vizitova edhe komunat arëbëreshe të provincës së Krotones. Në Komunën Puhëriu/Pallagorio u prita nga Kryetari Umberto Lorecchio, Këshilli komunal dhe banorët shumë dashamirës. Atje vizitova gjithashtu edhe shoqatën për promovimin shoqëror dhe territorial “Fili Meridionali”, ku grupi i të rinjëve që e drejton, me angazhimin dhe punën e tyre të mrekullueshme, po ringjallin historinë dhe vlerat e çmuara arbëreshe.

Në vazhdim, në Komunën e Karficit/Carfizzi, u prita nga Kryetari Mario Antonio Amato dhe Këshilli komunal, me të cilët këmbyem ide për projekte të përbashkëta në qytetin e lindjes së shkrimtarit të letërsisë bashkëkohore arëbëreshe, z. Carmine Abate. Më pas, në vizitën e Komunës së Shën Kollit/San Nicola dell’Alto, me Kryetarin Francesco Scarpelli vizituam territorin dhe u përshëndetëm me banorët shumë mikëpritës.

Kënaqësi e veçantë ishte edhe vizita në Komunën e Shën Mitrit/San Demetrio Corone, ku me Kryetarin Ernesto Madeo vizitova shtëpinë e të madhit Jeronim De Rada, Kolegjin Arëbëreshë, si dhe Kishën miravjeçare të Shën Adrianit.

Në Komunën e Fallkunarës/Falconara Albanese, u prita nga Kryetari Franco Candreva dhe anëtarët e Këshillit komunal, biseda me të cilët ishte shumë frymëzuese.

Komuniteti ynë arëbëreshë si diasporë e hershme, së bashku me bashkatdhetarët e disaporës tonë të re, janë ura lidhëse mbi të cilën mbështetet vullneti për të zhvilluar më tutje edhe marrëdhëniet ekonomike-tregtare mes dy vendeve tona. Në këtë kuadër, takova Presidentin Aldo Ferrara dhe Drejtorin Dario Lamanna të Bashkimit të Industrive dhe Ndërmarrjeve të Kalabrisë (UNINDUSTRIA-CALABRIA), me të cilët biseduam në mënyrë konstruktive për të krijuar një bashkëpunim më të ngushtë e me interes të ndërsjelltë për vendet tona. Për të thelluar kështu raportet dhe shkëmbimet në sektorët kryesor, duke i dhënë prodhimeve kosovare dhe kalabreze një impuls të rëndësishëm ndërkombëtar.

Në përfundim të vizitës, u mirëprita në një takim shumë dashamirës nga Kryetari i Komunës së Rende Marcello Manna dhe Këshilli komunal. Kryetari Manna më njoftoi që do të avanconte kërkesën për emërtimin e disa rrugëve të kësaj komune me emrat e personaliteteve të shquara shqiptare si: Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, si dhe Jeronim De Rada.

Vizita ime zyrtare në Kalabri u kurorëzua me sukses me nëshkrimin e Marrëveshjes mes Universitetit të Kalabrisë dhe Universitetit të Prishtinës. Jam vërtet shumë e lumtur që realizuam këtë hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit shkencor dhe akademik mes dy universiteteve tona, pasi 22 vite më parë personalisht kam qenë ndër 10 studentët që përfituan bursa studimore, pikërisht falë një marrëveshje mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Kalabrisë.

Gjatë ligjeratës që zhvillova në UNICAL me profesorë dhe studentë italian dhe të huaj, ishte kënaqësi e veçantë që në mesin e tyre ishin të pranishëm edhe pesë studentë nga Kosova. Në përfundim të kësaj ligjerate ceremoniale, Presidentja e Shoqatës Ndërkombëtare Miqtë e UNICAL – Associazione Internazionale Amici dell’Unical, Prof. Silvia Mazzuca, në shenjë mirënjohje, më nderoi me titullin “Anëtare Nderi” me motivacion: “Për angazhimin shoqëror, politik dhe humanitar në gjurmimin e rrugëve të drejtësisë, demokracisë dhe paqes”. Krenare dhe e lumtur për këtë mirënjohje, e cila para meje u është ndarë si titull personazheve me famë ndërkombëtare si aktori i çmimit Oskar Roberto Benigni, regjisori Gianni Amelio, si dhe Prof. Beniamino Andreatta, rektori i parë i UNICAL.

  • Autorja është ambasadore e Kosovës në Itali
Share: