Prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Gratteri, në një fjalim të mbajtur gjatë një ceremonie diplomimi me titullin ‘Honoris Causa’ në Universitetin Politeknik të Marche, në degën e ‘menaxhimit të ligjit’, ka folur edhe për mafian shqiptare.
Gratteri është shprehur se mafia shqiptare është e fortë pasi vjen nga një vend me nivele të larta korrupsioni.
Ai thekson se këtë mafie që fuqizohet në vendin e saj prej dy vitesh e shohim në sipërrmarrje të përbashkët me Ndrangheta.
“Brenda pak kohësh, Holanda e sheh veten me tre mafie: ‘Ndrangheta, mafia shqiptare dhe maffia, me dy F, e brezit të tretë të afrikano-veriorëve, e tunizianëve, që janë futur me egërsi në Holandë. Kur flas për mafie shqiptare, nuk e kam fjalën për ata të uritur që në vitet e shkuara grabisnin vila në bregdet, në Toskana, Piemont. Mafia shqiptare tashmë është një mafie e fortë. E fortë sepse vjen nga një vend me nivel shumë të lartë korrupsioni, jo nivel i lartë, por nivel shumë i lartë korrupsioni, ku një e treta e Shqipërisë, është mbjellë me marijuana, ku sekuestrojmë deri në 78 tonë njëherazi marijuanë të ardhur përmes kanalit të Otrantos. Dhe këtë mafie që fuqizohet e pasurohet në vendin e saj tashmë prej dy vitesh e shohim në sipërmarrje të përbashkët me ‘Ndrangheta, me Santa Marta në Kartagjena e Bogotà, duke blerë tonelata kokaine’, ka deklaruar Prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Gratteri gjatë diplomimit të tij ‘Honoris Causa’ në Universitetin Politeknik të Marche.