Nga Gjergj Erebara, BIRN
Imagjinoni se keni fituar 2 milionë euro duke u marrë me trafik droge. Paratë i keni me thasë të fshehura në bodrum; janë që të gjitha kartëmonedha të prerjeve të vogla, 5, 10 apo 20 euro, të mbledhura ashtu siç janë paguar nga përdoruesit e drogës. Askush nuk ka çfarë t’ju bëjë për sa kohë paratë i keni në bodrum dhe ju zgjidhni të bëni një jetë modeste e të mos bini në sy si posedues i shumave të mëdha të parave. Problemi është se të pasurit e kaq shumë parave është si një lloj bombe që mund të shpërthejë. Bashkëpunëtorët e tu në krim mund ta dinë se ti ke para dhe për rrjedhojë, mund të bëhesh viktimë e një grabitjeje të dhunshme. Dhe problemi tjetër është se një person që ka 2 milionë euro, vështirë se do t’i bëjë ballë tundimit të blejë një makinë luksi, të banojë në një apartament apo vilë të këndshme, të bëjë pushime. Thorstein Veblen, një sociolog dhe ekonomist amerikan i fillimit të shekullit të kaluar, krijoi konceptin e konsumit dhe kënaqësisë për dukje, i cili thotë se dëshira për të paguar për mallra dhe shërbime më shtrenjtë nga sa është utiliteti i tyre është pikërisht arsyeja që e shtyn njeriun të punojë dhe të ndërmarrë rreziqe. Pra, nuk është e mundur që dikush të rrezikojë burgun për të fituar 2 milionë euro dhe pastaj të bëjë një jetë të qetë private pa demonstruar kurrë mendjemadhësinë që krijohet nga të pasurit e kaq shumë parave.
Problemi është se në çastin që fillon të bësh jetë luksi, automatikisht të lind nevoja të kesh një alibi për burimin e parave që shpenzon. Nëse nuk ke alibi, ka gjasa që autoritetet ligjzbatuese mund të vijnë të të kapin, ose sepse janë duke bërë punën e vet ose, dhe kjo e dyta duket se ndodh më shpesh në Shqipëri, sepse autoritetet mund të jenë po aq kriminale sa edhe ti dhe po shohin paratë e tua si mundësi për t’u pasuruar edhe ata vetë.
Të pastrosh 2 milionë euro nuk është aspak punë e lehtë dhe vetë procesi i pastrimit rrezikon të të ekspozojë, si përkundrejt grabitësve potencialë ashtu edhe përkundrejt agjencive ligjzbatuese. Shqipëria ka që prej vitesh një ligj të cilit i referohemi si “ligji antimafia”. Koncepti i këtij ligji është i thjeshtë dhe ai është marrë nga një ligj i ngjashëm në Itali. Nëse prokurorët shohin se një qytetar disponon një makinë me, fjala vjen, vlerë 100 mijë euro, atëherë kanë të drejtë që ta sekuestrojnë përkohësisht makinën dhe të pyesin poseduesin e saj për burimin e të ardhurave. Në rast se poseduesi demonstron se të ardhurat i ka nga burime të ligjshme, nga trashëgimia, dhurata apo fitimet e biznesit, sekuestroja hiqet. Në rast të kundërt, makina mund të konfiskohet dhe të vendoset nën pronësinë e shtetit, pavarësisht nëse poseduesi i saj është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale apo jo.
Gjyqtarët dhe prokurorët që u përballën me procesin e vetingut e vuajtën në kurriz të vet vështirësinë që krijohet për të justifikuar shuma më të vogla se kaq. Që të blesh një shtëpi me vlerë 100 mijë euro nevojitet që të marrësh një kredi prej rreth 70 mijë eurosh dhe të kesh kursime me vlerë 30 mijë euro, shifra këto jo shumë të lehta për t’u mbuluar me të ardhurat nga paga apo edhe me të ardhurat nga biznesi. Por trafikantët e drogës nuk pritet të përballen me ndonjë proces aq të rreptë sa vetingu. Atyre nuk u nevojiten që të pastrojnë të gjitha paratë që kanë. Atyre u mjafton që të justifikojnë një pjesë të parave, sa për të pasur çfarë të deklarojnë në rast se kapen me automjete apo vila luksoze.
Për këtë arsye, pastrimi i parave të pista nuk është aq i vështirë sa në rastin e zyrtarëve. Në fund të fundit, nëse imagjinojmë që një trafikant droge merret vetëm me trafik droge, besoj se e kemi gabim. Shumica e trafikantëve kanë gjithmonë një biznes të vogël mënjanë, biznes që i mundëson të deklarojnë taksa dhe të ardhura të ligjshme.
Thelbi i pastrimit të parave është që poseduesi i tyre të deklarojë se ka një aktivitet ekonomik të ligjshëm, fjala vjen, një kafene, në të cilën realizon të ardhura të ligjshme, të ardhura për të cilat paguan detyrimet fiskale. Kjo e gjitha ka kosto. Nëse hap një kafene dhe deklaron se bën një xhiro prej, fjala vjen, 20 mijë eurosh në muaj në një kohë kur kafeneja bën realisht vetëm 3 mijë, atëherë për të 20 mijë eurot të duhet të kesh fatura blerjeje dhe fatura shitjeje, me gjasa me TVSh. Procesi i mbajtjes së një biznesi të tillë për hatër të pastrimit të parave mund të hajë një pjesë të majme prej 20 apo 30% të të gjitha parave që po legalizon. Pastrimi i parave është e kundërta e evazionit fiskal. Kur bën evazion, atëherë ke para të fituara me punë të ligjshme për të cilat nuk dëshiron të paguash taksa. Kur bën pastrim parash, ke para të fituara me punë të paligjshme, për të cilat u lutesh taksidarëve që të paguash taksat.
Kjo është arsyeja se pse, për qëllim të pastrimit të parave, disa biznese, të cilat nuk i nënshtrohen Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të tilla si ndërtimi apo agjencitë e këmbimit valutor, janë më me leverdi për të pastruar para se sa ekonomia reale. Në këtë rast, pastrimi i parave mbart vetëm koston e menaxhimit të biznesit si dhe detyrimin për të paguar tatim fitimi në masën 15%.
Por nëse jeni të mërzitur duke shpenzuar para për të mbajtur në këmbë lokale të pasuksesshme dhe dëshironi të mbaroni punë më shpejt, qeveria shqiptare pritet t’ju vijë në ndihmë me një propozim për amnisti fiskale dhe penale. Zyrtarisht qeveria ka në plan të legalizojë vetëm paratë e fituara përmes evazionit fiskal, mashtrimit fiskal apo kontrabandës doganore, por duket se nuk ka ndër mend të lodhet shumë për të dalluar nëse paratë e deklaruara janë me të vërtetë të fituara në këtë mënyrë apo janë fituar nga trafiku i drogës, nga trafiku i qenieve njerëzore apo nga aktivitete të tjera. Me pak fjalë, nëse keni 2 milionë euro dhe doni të legalizoni jetesën tuaj të luksit, mundet të deklaroni se keni fituar me evazion fiskal 200 mijë euro, t’i vendosni ato në bankë dhe me kaq, mund të krijoni profilin e zotërisë së kamur pa probleme me drejtësinë. Me këto 200 mijë të legalizuara mund të hyni në biznese që janë të përjashtuara nga TVSH-ja si ndërtimi apo shërbimet financiare dhe pas kësaj, asgjë nuk ju ndalon që të legalizoni gradualisht të gjitha paratë e tjera me një kosto minimale duke i deklaruar si fitime të ndershme të një biznesi të ndershëm. Kjo e gjitha është kortezi e qeverisë shqiptare, e cila kërkon për këto para 5 deri në 10%. Në fakt, oferta e qeverisë për të legalizuar paratë përmes blerjes së obligacioneve qeveritare është edhe një mundësi jo e vogël për të fituar para shtesë. Interesat e ofruara për obligacionet pesë apo dhjetë vjeçare aktualisht variojnë nga 4 në 6% në vit kështu që, duke paguar vetëm 5% taksë për paratë e legalizuara, keni mundësinë që të fitoni 4-6% në vit për pesë apo dhjetë vitet e ardhshme. Nuk është aspak ofertë e keqe.
Gjergj Erebara, BIRN