Home KRYESORE Punësimi i të miturve në fabrikën e karkalecave alarmon aktivistët

Punësimi i të miturve në fabrikën e karkalecave alarmon aktivistët

Inspektoriati i Punës shprehet se punësimi i minorenëve nga kompania Rozafa është brenda kontureve të legjislacionit, por aktivistët e të drejtave në punë ankohen se një vlerësim i tillë është sipërfaqësor.

Nga Bardha Nergjoni

Me 22 qershor, drejtuesi i kompanisë Rozafa, Gjergj Luca publikoi në faqen e Facebook të fabrikës së përpunimit të karkalecave ‘Fish City’, një video në të cilën lajmëron se disa të reja gjimnaziste i ishin bashkuar nënave të tyre si punonjës të stabilimentit.

Luca shfaqet në video duke intervistuar një vajzë që deklaron se kishte përfunduar vitin e dytë të shkollës së mesme dhe po punonte gjatë verës në fabrikë. Luca deklaron me pompozitet se fëmijët duke punuar në fabrikën e tij të përpunimit të peshkut në Elbasan po edukoheshin.

“E rëndësishme është që ata të kuptojnë se si nxirret leku dhe leku fitohet vetëm nëpërmjet punës dhe jo rehatisë,” shprehet Luca, përparasa se të pyes me zë të: ‘A është kshu mi gra?!”

Por video e prezantuar si mesazh edukues nga biznesmeni i peshkut ngjalli reagime në rrjetin social për shkak të moshës së re e të punësuarve.

“Fëmijët duhet të mësojnë në shkollë, që të dalin dikush nesër, jo të shfrytëzohen për 20 mijë lekë edhe të mbesin skllevër gjithë jetën si brezi jonë”, i hakërrehet në Facebook një ndjekëse e Lucës.

Punësimi i fëmijëve mbi 16 vjeç nuk është i ndaluar në Shqipëri. Megjithatë, Kodi i Punës e ndalon angazhimin e tyre në punë të rënda, punë në temperatura të larta apo të ulëta dhe punët që kërkojnë pozicione apo lëvizje të detyruara të trupit.

Për mbrojtjen e të miturve – Kodi i Punës dhe një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2017, vendosin rregulla shtesë për punëdhënësit si dhe nuk lejojnë angazhimin e tyre më shumë se 6 orë në ditë.

Por ndërsa karkalecat pastrohen në temperaturë të ulët dhe punëtorët janë të detyruar të qëndrojnë ulur në karrike për disa orë, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Elbasanit i tha BIRN se nuk kishte gjetur shkelje të ligjit pas një inspektimi që nisi pas një kërkese për informacion.

“Nuk konstatuam që puna e kryer nga këta punëmarrës të ishte në  kundërshtim me legjislacionin e punës, që të rrezikonte shëndetin, zhvillimin mendor, fizik e social të fëmijës”, thuhet në përgjigje me shkrim të Inspektoriatit.

Megjithatë, aktivistët e të drejtave në punë nuk ndajnë të njëjtin mendim me Inspektoriatin dhe besojnë se punësimi i minorenëve në pastrimin e karkalecave në ‘Fish City’ është në kundërshtim me ligjin.

“Të miturit e punësuar në këto lloj aktivitetesh janë të ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj agjenteve dhe proceve të punës të cilët nuk ndihmojnë në zhvillimin e tyre,”  tha Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë.

“Ata janë të ekspozuar ndaj zhurmës dhe presionit nga të punësuar të rritur për shkak të procesit zinxhir të punës”, shtoi ai.

Kompania Rozafa nuk iu përgjigj një kërkesë për koment të dëguar nga BIRN nëpërmjet postës elektronike.

Punësim i rrezikshëm

Numri i të miturve që punojnë në Shqipëri është në rënie sipas ISHPSHSH-së. Bazuar në raportet vjetore të Inspektoriatit, numri i të punësuarave nën 18-vjeç ra nga 225 në vitin 2019, në 158 në vitin 2020 dhe 128 në vitin 2021.

Megjithatë vetëm gjatë inspektimit në kompaninë Rozafa Fish City, të filluar pasi ISHPSHSH u vu në dijeni për videon në të cilën reklamohej puna e gjimnazisteve, u konstatuan 5 punëmarrës nën 18 vjeç. Sipas informacionit të përcjellë nga Inspektoriati janë konstatuar 3 punonjës të moshës 17 vjeç dhe 2 të moshës 16 vjeç.

Sipas inspektoratit 5 punëmarrësit e mitur të konstatuar janë deklaruar në organin tatimor dy ditë para shfaqjes së videos në internet. Inspektorati po ashtu thotë se puna që të miturit bënin nuk përbënte rrezik për shëndetin e tyre dhe se të miturat shoqëroheshin nga një familjar i tyre që kujdesej për to.

“Këta punëmarrës nën 18 vjeç, tё identifikuar nё ambjentet e punёs, kanё tё punёsuar nё kёtё subjekt njёrin nga prindёrit e tyre dhe punojnё pranё, nёn mbikqyrjen dhe dakortёsisё e prindit”, tha Inspektoriati.

Por Gentjan Sejrani, aktivist i shoqërisë civile dhe avokat në profesion thotë se punësimi në fasonerinë  epeshkut nuk është një punë e lehtë siç pretendohej nga Inspektorati.

“Ka shumë raste të identifikueshme me punonjës të rritur që kanë pasur probleme të ndryshme shëndetësore si alergji nga përbërësit e produkteve që përpunohen, bronkopneumoni për shkak të tempraturave të ulta,” tha Serjani.

Një grua, që kërkoi të mos identifikohej, por që kishte punuar për dy muaj të verës në repartin e karkalecave i tha BIRN se puna ishte e lodhshme dhe se ajo ishte sëmurur në muajin e dytë.

“Kam punuar gjatë sezonit të verës tek Rozafa në sektorin e karkalecave,” kujtoi ajo, duke kërkuar të mbetej anonime.

“Gjatë kohës që punova atje, për shkak se ishte shumë ftohtë dhe kur dilja nga puna ishte shumë nxehtë, kalova një ftohje të rëndë në mushkëri,” shtoi gruaja.

Vetë Inspektorati i Punës e gjeti kompaninë në shkelje sa i përket kujdesit mjekësore gjatë një inspektimi të përfunduar në 19 korrik 2021, të cilin BIRN e ka marrë nëpërmjet ligjit “Për të drejtë informimi.’

“Punëdhënësi të kërkojë ekzaminime të rregullta dhe periodike mjekësore për punëmarrësit, të përshtatshme sipas ekspozimit ndaj faktorëve specifikë të riskut në vendin e punës,” rekomandojnë inspetorët.

Serjani i tha BIRN se pavarësisht inspektimit që pretendonte se nuk kishte rrezik për fëmijët e punësuar, vetëm një kontroll me mjekë mund të dëshmonte nëse kjo lloj pune ishte e lejuar.

“Sipas të gjitha rregulloreve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave të miturit duhet të punësohen në këto sektore vetëm pas vlerësimit të ekspertëve se shëndeti i tyre nuk është i rrezikuar për shkak të këtij punësimi”, tha ai.

Edhe Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë shpjegoi se rasti në fjalë nuk ishte në përputhje me legjislacionin.

“Punësimi i fëmijëve 16 vjeçar në një kompani që kryen procese pastrimi dhe përpunimi të karkalecit të detit pa asnjë trajnim apo mbrojtje të posaçme, nuk është në përputhje me legjislacionin dhe rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve në pune dhe nuk garanton moscënim të shëndeti fizik, mendor apo social të punonjësve të mitur,” tha ai.

Hoxha theksoi se vlerësimi i Inspektoratit të Punës ishte sipërfaqësor dhe një përpjekje për të shmangur veten nga përgjegjësia.

Sipas Hoxhës nuk mjafton vetëm qenia e prindit fizikisht për tu konsideruar e realizuar mbikëqyrja në punë e të miturit, por duhet punonjës i kualifikuar dhe i trajnuar për të realizuar mbikëqyrjen e të miturit.

Problemet më të gjëra

Në një investigim të vitit 2020, BIRN zbuloi se dhjetra të mitur u nënshtroheshin punëve të vështira dhe me rrezik për shëndetin e tyre. Një pjesë e mirë e këtyre të miturve punonin në fasoneri.

Nevoja e madhe e fasonerive për punonjës është shtysa kryesore për të punësuar të mitur. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, AKPA, në Elbasan i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informim se në këtë qark ushtrojnë aktivitet rreth 27 biznese fasonerie – duke përfshirë ato të veshjeve, të lëkurës, të peshkut, ullirit, letrës dhe të pjesëve të këmbimit.

Sipas AKPA këto ndërmarrje kishin rreth 2500 të punësuar dhe një kërkesë të lartë për punësim. Vetëm në Elbasan ishin 512 kërkesa nga kompanitë për rrobaqepës për veshje dhe për lëkurë, prestarë të lëkurës, punëtorë në fabrikë dhe në disa raste kërkohen specialistë apo mirëmbajtës të makinerive.

Por ndërsa kërkesa për punëtorë është e madhe, numri atyre që janë të gatshëm të punojnë në këto ndërmarrje nuk është i njëjtë – për shkak të kushteve të punës, orëve të gjata dhe të papaguara. Kreu i Inspektoriatit të Punës në Elbasan, Egliver Laloshi i pranon në një intervistë problemet e hasura.

“Këto problematika kanë dalë nga intervistat që inspektorët kanë realizuar me punonjësit,” tha Laloshi.

“Një problem është edhe mospagesa e ditëve të pushimit me 125% të një dite pune normale dhe 150% të një dite  feste zyrtare”, shtoi ai.

Laloshi tshoit se nga muaji mars i këtij viti Inspektorati ka nisur një aksion kundër të ashtuquajturës “puna gri” – në të cilën punëtorët janë të siguruar por u mohen orët shtesë apo ditët e pushimit.

“Kemi dijeni të kompanive që shkelin të drejtat e punëtorëve të bazuar në Kodin e Punës,” tha Laloshi.

“Kemi bërë vazhdimisht kontrolle dhe janë vendosur masa të rënda administrative për kompani të tilla,” shtoi ai.

Megjithatë Inspektorati shpesh nuk arrin të ndryshojë situatën. Një pjesë e kompanive që gjobiten sipas Laloshit, mbyllin aktivitetin dhe ndryshojnë emrin e niptin, duke mos lejuar vjeljen e gjobave për t’i “ikur përgjegjësive ligjore”.

Share: