Ekonomia vendase po përballet me një paradoks vitet e fundit.
Teksa po ndërtohet me ritmet të larta, çka po ndihmon dukshëm dhe rritjen ekonomike, konsumatorët, që po përballen me çmimet të larta në jetën e tyre të përditshme, janë në një tendencë krejt të kundërt: Ata pohojnë se nuk kanë mundësi dhe as plane për të bërë blerje të mëdha, si një apartament, apo rinovimin e tij.
Ndërtuesit, në të kundërt shprehen optimistë për zgjerimin e aktivitetit të tyre dhe paralajmërojnë një rritje tjetër të çmimeve të apartamenteve.
Sipas vrojtimit të besimit të bizneseve të publikuara nga Banka e Shqipërisë, që ka intervistuar ndërtuesit, këta të fundit kanë prtishmëri maksimale për rritjen e çmimeve. Balanca e përgjigjeve për pyetjen “Çmimet gjatë 3 muajve të ardhshëm” është gati 50 për qershorin (50% më shumë ndërtues mendojnë se çmimet do të rriten në raport me ata që mendojnë të kundërtën), me rritje të ndjeshme në raport me qershorin dhe afër niveleve maksimale të marsit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit në ndërtim (TBN) pësoi një rritje prej 7.3 pikë përqindjeje në muajin qershor, duke arritur maksimumin e vet historik. Të dy komponentët e këtij treguesi pësuan rritje, por rritja e balancës së aktivitetit ndërtues ishte më e ndjeshme sesa ajo e porosive aktuale.
Edhe të dhëna të tjera të INSTAT paralajmërojnë se ndërtimet do të vazhdojnë me ritme të larta.
Ndërsa viti 2021 shënoi rekordin e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit të hënë në kryeqytet, që pas viteve ’90, viti 2022 duhet se do të sjellë një tjetër rekord, duke sinjalizuar beton të mëtejshëm në Tiranën tashmë të mbingarkuar. INSTAT raportoi se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet ishte 800 mijë metra katrorë, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, është sa gjysma e lejeve të dhëna për gjithë vitin 2021.
Por kush po blen? Në të kundërt me vrullin e betonit, konsumatorët, që janë blerësit e ndërtuesve shprehen skeptikë për aftësinë e tyre paguese. Për pyetjen “A keni në plan të blini ose të ndërtoni një shtëpi gjatë 12 muajve të ardhshëm (për të jetuar vetë ju, një anëtar i familjes, si shtëpi pushimi, për ta dhënë me qira etj.)?”, balanca e përgjigjeve është -86 (dmth që 86% më pak individë kanë mundësi të blejnë një shtëpi në raport me ata që kanë), për tremujorin e parë të vitit. Balanca e përgjigjeve negative për blerjet e mëdha është -70 për qershorin, duke qenë afër niveleve maksimale historike. Për pritshmëritë për blerjet e mëdha në të ardhmen treguesi mbetet negative, në 51.4.
Pas një përmirësimi në maj, besimi i individëve u përkeqësua sërish në qershor, sipas indeksit. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi një rënie me 0.7 pikë përqindjeje në muajin qershor. Kjo rënie ka bërë që TBK-ja ta frenojë prirjen përmirësuese të nisur në dy muajt e kaluar, duke mbetur ndjeshëm nën mesataren e vet historike. Rënia u ndikua nga pritjet më pesimiste për situatën ekonomike në vend, si dhe vlerësimet më pesimiste për blerjet në shuma të mëdha, aktuale dhe të pritura. Ndërkohë, pritjet për situatën financiare në të ardhmen u përmirësuan disi krahasuar me një muaj më parë. Pritjet për çmimet e konsumit në të ardhmen kanë shënuar rritje edhe në këtë muaj.
Në muajin maj, inflacioni arriti nivelin prej 6.7%, më i lartë në më shumë se 20 vjet. Ndërkohë, inflacioni i produkteve ushqimore arriti në 11.4%. Çmimi i vajit shënoi rritje vjetore me 29%, çmimi i bukës me 19% dhe i produkteve të bulmetit me 18%.
Rritja ekonomike e udhëhequr nga ndërtimi nuk po sjell përmirësim të mirëqenies
Sektori i ndërtimit shënoi ritmin më të lartë të rritjes së prodhimit bruto në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas shifrave të INSTAT, prodhimi i sektorit të ndërtimit u rrit me 25.49% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ishte rritja e dytë më e lartë tremujore në të paktën shtatë vitet e fundit.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme dhanë së bashku një kontribut pozitiv +3.5 pikë përqindje (përkatësisht 1.99 dhe 1.55%) në ecurinë e fortë prej gati 6% të ekonomisë në tremujorin e parë të vitit, duke kontribuar në gati 60% të rritjes së ekonomisë në tre muajt e parë të vitit.
Por, të dhënat e Vrojtimit të Biznesit dhe Konsumatorëve tregojnë se kjo rritje e ardhur në pjesën më të madhe nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme nuk ka kontribuar në përmirësimin e mirëqenies së individëve, teksa ata ankohen për situatë financiare të përkeqësuar, si rrjedhojë e çmimeve të larta!/MONITOR