Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Unë, Evropianja! A janë shqiptarët primitivë?

Unë, Evropianja! A janë shqiptarët primitivë?

Nga Kimete Berisha

U zgjova nga gjumi në krahun e djathtë.
Sepse, gjyshja më ka treguar që varrit i çon selam në krahun e djathtë.

Veç shqiptarët i bëjnë të fala varrit, se s’ka popull që ia çel varrin vetes për së gjalli.
E piva kafenë e dytë. Pa sheqer.

Ju kam njoftuar me kohë që e urrej sheqerin, dhe se më vjen turp të hyjë në ëmbëltore: me mendu njerëzit që po e ushqej lumturinë me sheqer, duke e ditur unë shumë mirë se sheqeri e ushqen hidhërimin.

Rajfershlusi i koferit u mbyll, pa më nxjerr idhnim. Brenda valixhes ngjyrë hiri, fustanet e mia ngjyrë gëzimi…dhe një shnollë për ta zbuluar fytyrën time me formë zemre.

Para se ta mbyll derën e banesës, më sulmoi një arëz. Pa menduar, e qëllova me dorë. Syzheu i këtij fragmenti tregon se shpëtova nga thumbi.
Mirë është puna.

Autobusin e zura me kohë. Kalova kah peroni numër 1.

U mërzita pak, veç pak se kështu e kam punën – nuk mund të mërzitem shumë se nuk kam nerva (se sa më shumë rritet mërzia aq më qesharake bëhet ajo)…

…sa e sa dashnori është përcjellur me lotë nga peroni numër 1.

Mua nuk më kujtohet dashuria, por më kujtohet kur si studente për një qime floku më ikte autobusi.

Ka qenë një Shofer, i cili në bashkëpunim të ngushtë me kondukterin, kur e shihnin se s’ke asnjë pikë buzëqeshje për t’ua dhënë, pastaj kur më shihnin nga larg se po vrapoja për ta zënë atobusin – një hap para se të hipja – niseshin.
Ata sigurisht kanë vdekur, por kujtimi për ta jeton ende.

Gjithçka po shkon mirë.

Bluza ime kombinohej edhe me pllafonin edhe me perdet e portokallta të autobusit.
…isha e ulur qysh kam qejf – vetëm.

Nē ulësen ngjitur times ishte ‘ulur’ një xhaketë e zezë, që dukej si ai momenti kur Majkëll Xheksoni zhduket te kënga ‘Do you remember’ dhe ngelet vetëm setra e tij xhixha – xhixha.

Nga opusi muzikor i shoferit, buronin këngë patriotike, për luftën e shqiptarëve që kurrë nuk mbaron.

T’i këndosh robërisë së atdheut të lirë, është njësoj si t’i kushtosh këngë bahçes tënde, oborrit tënd, krevatit:
o çarçaf – çarçaf i bardhë – faleminderit që je më i bardhë se bora;
e ti moj thikë e lumja thikë – sa me precizitet po e prén mollën;
moj tenxhere e bukura tenxhere, që kurrë nuk ma derdhe tamblin.

M’u kujtua një akt i imi madhor dhe patriotik si nxënëse.

Kur merrja rrugë të largët nga Mitrovica në Skënderaj, në autobus s’më rrihej dhe për të harxhuar kohën më shpejt – e këndoja ‘Po i këndoj 100 vjetorit’. Pra, dua të vë në pah se patriotizmi im është më i vjetër se vetëdija ime.

E tash, tash u kisha kënduar 100 hamameve.
Por, sukseset e mia nuk mbarojnë këtu.
Duke ecur rrugës së Bllokut, pati tendenca të rrëzohem nga shtikllat 12 centimetërshe, por shpëtova.

Dy djem iu gëzuan shumë suksesit tim.
Një djalë i ri, me një vath të bukur në vesh, m’u afrua, u prezentua dhe më tha ‘I dëgjoj shkrimet e t’ua dhe më pëlqejnë shumë’.

I dëgjoj shkrimet e t’ua- është kompliment i padëgjuar.

Edhe një artist i moshuar m’u afrua, nuk më tha, por e ndjeva se më shumë i pëlqej unë – se shkrimet e mia.

U takova me një ish shok.
Të dy dukeshim të lumtur dhe të dashuruar në vetëveten, por ama folëm veç për vdekjen.
Ai ia nisi e pari, dhe unë i fola e i fola e i fola për vdekjen derisa e lodha.
E fitova debatin për vdekjen. Por, e humba debatin për Perenditë.

Mirë është puna.

Derisa po bisedonim për ‘bisedat e fundit’ që po ua zbulojnë të vdekurve dhe që mua nuk më pëlqen aspak, pseudo-shokut i thashë: kur të shkoj – mos gabo me m’i përdorë bisedat e mia.Jo, tha, s’kam nevojë t’i përdorë – i imagjinoj.
Them për shembull ‘ajo e ka lënë amanet ta djegin’.

Qesha me hirin tim. U knaqa.
Mirë është puna, ende.

Pas vdekjes së njeriut, biseduam për vdekjen e librit.
Gjenerata e fundit që ka lexuar letërsi janë gjeneratat komuniste dhe ish të burgosurit.
Shqiptarët lexonin vetëm derisa respekti fitohej përmes leximit.

Tash që respekti është mall që shitet dhe blihet, nuk lexojet letërsia.

E blen pozitën, autoritetin, e blen superioritetin me pare.

Jo me dije. Me dije e blen vetminë e përhershme.
Prandaj, nuk kemi as kritikë letrare, as kritikë filmi, as muzike, as teatri, as pikture…kemi vetëm kritikë politike!

A janë shqiptarët primitivë?
Po qysh s’janë. Shumë.

Merren me paragjykime, me thashetheme, me intriga, e ushqejnë trurin me lajme të këqija – nuk ngihen me keq, hanë shumë dhe çka bëjnë tjetër?
Mërziten dhe japin definicione për jetën:
Dy plaka i dëgjova duke i thënë njëra tjetrës: – Gjithmonë jeta ka qenë e vështirë.

Po. I huaji- i joti s’bëhet, ia ktheu tjetra.
E rinia?
Në cilin shekull janë rinia shqiptare?
Derisa një grup këndonte anglisht, njē vajzë e re, duke e komentuar një burrē që kishte ardhur nga Australia për ta vizituar Kosovën, në sheshin e Prishtinës, dha këtë definicion për jetën:
‘Merre me mend, plaku çohet nga Australia e vjen në Kosovë’!

Ajo nuk e di që edhe studiuesit kryesor tē gjuhës shqipe janë rusë e gjermanë.
Shqiptarët, të fundit, e kanë studiuar gjuhën shqipe – nëse mund të thuhet se e kanë studiuar.
Po afrohet mesnata. Po bie në gjumë – sa s’mu ka prish dita.

Në ëndërr dëgjova krisma kallashnilovi….dikush po më ndiqte për t’më vrarë.
Nuk më zuri, më shpëtoi nevojtorja – aty ku u fsheha nga vrasësi.

P.S. Kur u zgjova, e kuptova që evropianët nuk më kanë pranuar për evropiane. Të drejtën për të jetuar e kam, se ma kanë dhënë më 1999, ama lirinë e lëvizjes jo. Mirë na e bëjnë.

Se sa herë bëjmë Lëvizje – ne e bëjmë bërllog.
Ç’prej se nuk po na vrasin serbët – po na hanë qentë.
Ç’prej se nuk po na plakçkisin serbët – po na plaçkisin shqiptarët.
Ne vetëm armikun e kemi ndërruar.
Këta, shqiptarët, nuk na vrasin neve shqiptarëve me alltia, por me varfëri, me prapambetje, me primitivizëm…

Por, edhe serbët janë primitivë.
Po janë, atyre kolektivisht u vie era hudhër, (me t’provu Zoti me hy n’autobus t’Zveçanit – ke çka i kallzon natës t’vorrit),
….ama, në Kosovë edhe elita është primitive.
Ministreshë të arsimit e kemi një grua që e ka shkelur Kushtetutën, tamam primitive: rrehe edhe defin, çka ka lidhje…!
Presidentja ka shkuar te budistët, nga nervoza.

Ama budistët udhëtojnë me mendje, nuk kanë nevojë për viza!
Do të shkonte edhe Xhelali, por e ka lexuar se atje në Tajlandë është e ndaluar të dalësh nga shtëpia pa mbathje të brendshme!

Edi Rama e ka gjetur një metodë, të grindet me kundërshtarët e Shqipërisë.
Si ato gratë te dera e sokakut, që të shajnë e të shajnë e të shajnë, dikur e arrijnë nirvanën dhe të thonë ‘të puthtë burri jem’.
Me të folur primitive do të bëhet evropian.
Dhe, e gjeti një bugar që nuk përton t’ia bëj si ajo gruaja e sokakut.
Mos e ndjek Evropën. Askush nuk i do nevojtarët, ankuesit, insistuesit, përgjëruesit dhe vardisësit që nuk heqin dorë…
Nisu prej vetes me t’ardh dikush te dera duke lotuar: o çelma derën bre, aman, se unë jam e jotja, nuk mundem një dakik pa
ty…

Nuk ke ku më çon..S’mundohem për së gjalli pa Ty,
Nuk je i izoluar – je i vetizoluar.
Rri aty ku je…dhe vazhdo kultivoji definicionet për jetën.

Dikush tha ‘feja muslimane ka faj’!
Xhamia me shumë minare!
Ndoshta xhamia duhet të jetë lëvizëse – mobile, ose si tenda që instalohet kur të nevojitet – pastaj e palon dhe e çon n’bodrum.

Nuk di unë.
Xhamitë janë kujtime, profetët kanë vdekur moti.
Besimtarët vetëm qajnë dhe i vardisen Zotit.
Nëse e sheh me sens poetik, shtëpitë e lutjeve janë si spitale të shpirtit!

Tiranë, 24 qershor 2022.

Share: