Nga Irena Beqiraj
Kina është në prag të një katastrofe ujore. Një thatësirë shumëvjeçare mund ta shtyjë Kinën në një krizë të plotë të ujit. Një rezultat i tillë jo vetëm që do të kishte efekte të rëndësishme në prodhimin e drithit dhe energjisë elektrike në Kinë por mund të nxisë mungesa ne rafsh global të ushqimit dhe mallrave industriale, në një shkallë shumë më të madhe sesa ato që u shkaktuan nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë. Duke pasur parasysh rëndësinë e Kinës në ekonominë globale, ndërprerjet e mundshme të shkaktuara nga mungesa e ujit në Kinë do të trasmetoheshin me shpejtësi në tregjet e ushqimit, energjisë dhe materialeve në mbarë botën dhe do të krijonin turbulenca ekonomike dhe politike për vitet në vijim.
Ndryshe nga mallrat e tjera, uji nuk ka zëvendësues të qëndrueshëm. Është thelbësor për prodhimin e produkteve ushqimore , gjenerimin e energjisë dhe mbijetësën e njerëzimit. Për Kinën, uji ka qenë gjithashtu një burim vendimtar për zhvillimin e shpejtë të vendit gjate 40 viteve të fundit.
Aktualisht, Kina konsumon dhjetë miliardë fuçi ujë në ditë – rreth 700 herë sa konsumi i saj ditor i naftës.
Katër dekadat e rritjes shpërthyese ekonomike , të kombinuara me politikat e sigurimit ushqimor në vend që synonin vetë-mjaftueshmërinë kombëtare, e kanë shtyrë sistemin ujor të Kinës veriore përtej limiteve. Që nga viti 2020, furnizimi me ujë i disponueshëm për frymë ne Kinën Veriore ishte 253 metra kub ose gati 50 për qind nën përkufizimin e OKB-së për mungesën akute të ujit.
Pekini, Shangai, Tianjin dhe qytete të tjera të mëdha janë në nivele të ngjashme ose edhe më të ulëta. Kaq të pakta janë burimet e ujit të ëmbël të Hong Kongut saqë qyteti ka përdorur prej dekadash ujin e detit për të larë tualetet.
Për dekada, Pekini ka zgjedhur të fshehë thellësinë e problemeve mjedisore të Kinës për të kufizuar reagimin e mundshëm publik dhe për të shmangur pikëepyetjet në lidhje me kompetencën dhe kapacitetin e Partisë Komuniste Kineze (PKK), per te drejtuar.
Kjo mungesë transparence sugjeron që një përshkallëzim në krizen akut të ujit mund të jetë shumë më afër sesa e kuptojnë shumica e vëzhguesve të jashtëm – duke rritur shanset që bota të jetë e papërgatitur për një fatkeqësi të tillë.