Home Gjeo-Ekonomia Humbjet në Ukrainë/ Inteligjenca britanike: Putin shkarkon 6 komandantët kryesorë

Humbjet në Ukrainë/ Inteligjenca britanike: Putin shkarkon 6 komandantët kryesorë

Inteligjenca britanike e Mbrojtjes pretendon se presidenti rus, Vladimir Putin ka shkarkuar të paktën gjashtë komandantë të lartë, pas humbjeve që ata kanë pësuar në Ukrainë.

Në raportin e Inteligjencës britanike thuhet se: “Performanca e dobët e forcave të armatosura të Rusisë gjatë pushtimit të saj në Ukrainë ka qenë e kushtueshme për udhëheqjen ushtarake të Rusisë, që me shumë gjasa çoi në shkarkimin e të paktën gjashtë komandantëve rusë që nga fillimi i armiqësive në shkurt 2022”.

Po në të njëjtin raport, bëhet me dije se Komandantët e Qarqeve Ushtarake Lindore dhe Perëndimore të Rusisë kanë shumë të ngjarë të kenë humbur komandat e tyre.  Gjeneral koloneli Aleksandr Chayko u shkarkua si komandant i Qarkut Ushtarak Lindor në maj 2022.

Gjeneral-koloneli Aleksandr Zhuravlev, i cili ka komanduar Qarkun Ushtarak Perëndimor që nga viti 2018, ka munguar në Ditën e Marinës së Rusisë në Shën Petersburg më 31 korrik 2022 dhe ka shumë të ngjarë të jetë zëvendësuar nga gjeneral Vladimir Kochetkov.

Gjenerali Aleksandr Vladimirovich Dvornikov është shkarkuar më pas pasi i është dhënë komanda e përgjithshme e operacionit në Ukrainë dhe gjenerali Sergei Surovikin ka marrë komandën e Grupit Jugor të Forcave nga gjenerali Genadi Valeryevich Zhidko.

“Këto shkarkime shoqërohen nga të paktën 10 gjeneralë rusë të vrarë në fushën e betejës në Ukrainë. Efekti kumulativ në qëndrueshmërinë e komandës ka të ngjarë të kontribuojë në vështirësitë taktike dhe operacionale ruse”, thuhet në raportin e Inteligjencës britanike.

Kjo vjen pasi zyrtarët ushtarakë ukrainas raportojnë se Rusia ka humbur të paktën 42,000 trupa që nga fillimi i konfliktit./Opinion.al

Share: