Pashë në ëndërr sikur Raiffeisen u shit. U shit tek një konglomerat shqiptar, pas diskutimeve të bëra në Vienë këto kohët e fundit. Ata të Vienës kishin marrë një ofertë, nga ato që nuk mund t’i refuzosh. U zgjova i shqetësuar. Pregatita një kafe, dhe ndërsa po e gjerbja, pyeta veten: po ti ore pse shqetësohesh?
Po ja, mund të themi pa frikë se nga shitja e Raiffeisen fitojnë austriakët. Një shuk me lekë. Dhe ikin më në fund nga Shqipëria, ky vend i bekuar ku po pëllcet biznesi nga shëndeti, dhe që këtë vit i ka marrë turizmin Greqisë. Fiton edhe blerësi shqiptar. Minimalisht sepse po ble një biznes që nën menaxhimin austriak fiton rreth 20 milionë EUR në vit, dhe kur ta marrë në zotërim minimalisht dyfishin. Për arsyen e thjeshtë dhe të vetme se nuk duhet t’i raportojë dhe të ndjekë standartet e bankës mëmë në Vienë, por vetëm ato të Bankës së Shqipërisë aty anash sheshit “Gjergj Kastrioti” në Tiranë. E çfarë mendoni ju se do bëjë ky blerësi shqiptar, kur nuk e kontrollon më mëma nga Austria dhe rregullat e BE, por vetëm BSH?
Standartet, standartet, standartet, bla, bla, bla! E ça janë këto standartet o vlla? Po ja, llogaritja e kapitalit, llogaritja e riskut të tregut, te kredive, të ekspozimit parë është si llogaritet kapitali i bankës, ku përdoren kursimet e tua, kujt i jepet kredi. E ç’më duhet mua kjo, o vlla? Duke zbatuar një më një këto standarte, Raiffeisen fiton më pak, dhe ti i ke lekët që ke fut në bankë shumë më të sigurta. Përveç kësaj ke garanci që banka nuk i jep kredi familjarëve të drejtorit edhe pse e ka biznesplanin vrima-vrima, apo financon aktivitetet ekonomike të pronarit duke e bërë atë klientin numër 1 të bankës, dhe aq më tepër, me dashje apo pa dashje, që banka të pastrojë pare, apo të financojë terrorizmin. Zbatimi i këtyre standarteve bën që banka mos falimentojë nga sjellje e vendime të gabuara. Se po falimentoi banka ai që e pëson je ti, depozituesi! Them se Raiffeisen ka shumë më tepër ekseperiencë në zbatimin e këtyre standarteve se çdo pronar shqiptar. Mirë? Mirë! U sqarum? Po!
Do ndjehesha shumë paragjykues nëse të gjithë ju të tjerët që mund të lexoni këto rradhë do mendonit se një biznesmen shqiptar ka standarte më të larta sesa një bankë austriake dhe se rregullat e sistemit bankar shqiptar janë më të avancuara sesa ato të BE. Sipas meje, e kundërta është e vërtetë. Kultura e të bërit biznes në Shqipëri është ende ajo e bilancit të dyfishtë, dhe rregulloret e Basel III apo IV, apo edhe parimet e IFRS që mund të miratohen me breshëri nga BSH, janë ende në nivelin “copy & paste“; këto standarte për momentin nuk janë aspak pjesë e vetëdijes, kapaciteteve dhe përvojës institucionale të BSH, që ajo të mund jo thjesht t’i imponojë por t’i transmetojë dhe të garantojë zbatimin e tyre ndaj bankave të nivelit të dytë, për të mbrojtur depozituesit nga mënyra sesi bëjnë biznes këto banka.
Shqetësohem se kjo shitje e Raiffeisen nuk është nga ato raste që “me ne fitojnë të gjithë”. Përkundrazi, për çdo fitimtar që përmendëm më lart, ka proporcionalisht humbës. Depozituesit dhe bizneset e ndershme humbin standartet, sigurinë dhe garancitë që ofronte Raiffeisen. Tregu bankar përqëndrohet edhe më shumë, dhe humb standarte dhe praktika që zbatohen në Bashkimin Europian. Humb besueshmëria e integrimit europian. Shqipëria humbet një banke europiane, një bazë zhvillimi dhe pararojë njohurish bankare, dhe mbi të gjitha një garanci europiane për kursimet e shqiptarëve.
Integrim Europian do të thotë Standarte Europiane!
Paradoksi i integrimit europian të vendit bëhet gjithnjë edhe më i dukshëm. Nga njëra anë BE na çeli negociatat për anëtarësim. Nga ana tjetër tentativa për de-euroizimin e ekonomisë shqiptare vazhdon; po kështu edhe de-europianizimi i sistemit bankar vazhdon. Negociatat me BE do jenë për gjatë një cic-mic admistrativ, largimi i bankave europiane nga Shqipëria është një proçes faktik. Dmth., sipas meje treguesi i integrimit tonë në BE është shumë më tepër prezenca e bizneseve, bankave europiane në Shqipëri sesa ndonjë konferencë për shtyp në Bruksel.
Askush nuk e ndalon dot largimin e bankave europiane nga vendi ynë, edhe pse në nivel politik e qeverisës do duhet të bënim çdo gjë që kjo mos të ndodhte. Qeveria hesht. Kush hesht miraton. Deri më tash, nga Shqipëria janë larguar grupe të rëndësishme bankare si Societe General, Alpha, Pireaus Group apo edhe National Bank of Greece – grupe me histori shekullore, të konsoliduara, me njohuri e praktika të cilat synohet t’i gjejmë rrugës së integrimit tonë në BE. Ndonjëri mund të thotë: dre, po ne e paskemi patur Bashkimin Europian në Shqipëri. Po pra po, por po ikën edhe ajo drejt Europës ashtu si dhe qindra mijëra shqiptarë çdo vit. Këta shqiptarët që largohen, mes gjërave që kërkojnë kur venë këmbë në BE, ndoshta nga sot do fillojnë të kërkojnë edhe një Raiffeisen. Që deri dje e kishin në shtëpi.
Nëse ëndrra ime, siç shpresoj tani që jam zgjuar, nuk del e vërtetë, sot për sot, të vetmit ishuj europianë të mbetur këtu në sistemin tonë bankar janë Austria dhe Italia. Është edhe Hungaria, për të cilën mendoj së është më e mira që mund të kemi nga vende që deri në Tetor të 1990 kanë qenë anëtarë të Traktatit sovjetik të Varshavës, dhe janë anëtarë të BE qysh në Maj të vitit 2004.
Këta dy ishuj të mbetur në Shqipëri e bëjnë vendin më Europian. Ata nuk janë pjesë e teorisë europiane, as e negociatave me Brukselin, por janë dy realitete praktike që operojnë në Shqipëri dhe këmbejnë me klientët shqiptarë, individë apo biznese produkte të cilësisë dhe standarteve europiane. Ato standartet që folëm më lart. Kjo veprimtari është e mbështetur mbi një bazë që klientët nuk e shohin por që në fakt është garancia sesi mbrohen kursimet e tyre, si financohen me kredi biznes-planet, dhe sesi krijohet një kulturë europiane në realitet, e pamundur të krijohet dhe mbrohet nga palë të treta, qofshin këta oligarkë strategjikë, përfshi edhe institucionet rregulatore si Banka e Shqipërisë et al.
Treg bankar apo Qendër bankare?
Që të blesh bankë, duhet të kesh eksperiencë bankare. Po sikur Rafaisen ta ketë blerë drejpërdrejt, ose si aksionere, ndonjë bankë ekzistuese në Shqipëri? Në këtë rast, nëse kjo bankë nuk është BKT, Credins, apo edhe Intesa Sanpaolo, gjendemi në një situatë ku në dukje “peshku i vogël e ha të madhin”. Në çdo rast, Përqëndrimi i Tregut do të rritej, konkurrenca në sistemin bankar do reduktohej ndjeshëm. Ndonjëri do pyeste, po ç’problem ka ky përqëndrimi mër jahu? Sepse me zvogëlimin e konkurrencës, pra me rritjen e përqëndrimit në pak duar nevoja që blerësi i mundshëm i Raiffeisen t’u shërbejë klientëve me kredi më të lira, me depozita me interesa të mira zvogëlohet. Njëherësh i rritet mundësia për t’i imponuar klientëve produkte që favorizojnë bankën, pra kredi më të shtrenjta, depozita me interesa më të ulëta. Si muhabeti tek nafta, apo tek investitoret strategjikë në bregdet ku 2 apo 3 veta zotërojnë shumicën e tregut – rezultati është ai që dimë të gjithë çmime të larta – varfëri, pamundësi. Përqëndrimi i tregut është ajo situata kur shitësi nuk do t’ja dijë për ankesat e tua të drejta, por të sheh keq dhe dhe të përgjigjet: po deshe! Or Tunxh!
Që kjo mos të na ndodhë, që tregu ynë bankar të mos vazhdojë të tkurret edhe më deri sa të marrë pamjen jo më të një tregu por të një qendre bankare, duhet që të kujdeset Autoriteti i Konkurrencës dhe Banka e Shqipërisë. Çfarë mund të bëjnë këto dy institucione që mos gjendemi në situatën që “kur nuk ke pulën, do hash sorrën” vetëm pse dikush në shtetin tonë mundet të na e bëjë këtë gjë? Dy gjëra:
E para, mund ta bllokojnë shitjen e Raiffeisen nëse blerësi është me probleme me eksperiencë të pamjaftueshme apo fiktive, artificiale. Se në tregun bankar, ngaqë ka shumë depozitues, ngaqë mund të financosh terrorizmin, ngaqë mund të pastrosh para e të tjera si këto, nuk mund t’ja shesësh bankën kujt të do qejfi. Këto dy institucione mund ta bllokojnë shitjen, derisa në transaksion të hyjë një blerës institucionalisht i pëlqyeshëm.
E dyta, të japin pëlqimin e tyre për shitjen e Raiffeisen. Edhe pula, edhe sorra të shpendë janë, kështuqë … Kjo shitje mund të jetë e menjëhershme, ose e ngadalësuar përmes kushteve derisa blerësi të prodhojë garanci të mjaftueshme. Në çdo rast për të garantuar standartet e miratuara nga vetë këto institucione lidhur me konkurrencën, mjaftueshmërinë e kapitalit, garantimin e depozitave etj. etj. etj. rregullore të pafundme, do të duhej që Autoriteti i Konkurrencës të mos flejë më gjumë, dhe që Banka e Shqipërisë të fillojë të punojë me 3 turne, edhe të shtunë e të djelë. Po pse duhet ta bëjnë këto institucione këtë gjë? Haha, atyre, tashmë, u ka pëlqyer blerësi i Raiffeisen.
Në këtë rast, nuk na mbetet gjë tjetër por të presim të mësojmë kush e bleu Raiffeisen, dhe se me çfarë emri do na duhet ta thërresim nesër.
E gjithë kjo nuk paska qenë një ëndërr kaq e lehtë; në mos një ëndërr e keqe, një ëndërr jo e mirë.
Po pse dreqin më doli mua Raiffeisen në ëndërr?
Ndoshta ngaqë para se të fle, dhe kur zgjohem, sa herë dal në ballkon jam i detyruar të lexoj shkronjat e verdha që shkruajnë Raiffeisen në majë të një ndërtese gri, të një lagjeje sekondare të Tiranës, atje ku është vendosur tashmë shtabi qëndror i bankës pasi iku nga qendra e qytetit. A thua ikja nga qendra ishte fillimi i ikjes nga Shqipëria? Ndoshta më doli në ëndërr sepse kam qenë pjesë e proçesit të privatizimit që solli Raiffeisen në Tiranë. Kujtoj dy proceset e dështuara para se të ndodhte kjo gjë, dhe gëzimin e madh kur më në fund erdhi banka austriake në Shqipëri. Ardhja e Raiffeisen ishte një revolucion në sistemin bankar. Deri në atë moment tregu dominohej nga bankat greke dhe ndërsa ato mund ta gjenin gjuhën me njera-tjetrën më parë, tani tregu do ishte konkurrues, patjetër që modernizohej në tërësi – staf, produkte, informatizim, dixhitalizim – , sepse të gjitha bankat do duhej të konkurronin me Raiffeisen. Ikja e saj nga Shqipëria, do ishte kulmimi i involucionit të sistemit bankar të nisur disa vjet më parë. Për dreq!
Për çfarë involucioni e kam fjalën? Prezenca e bankave europiane në sistemin bankar shqiptar ka rënë nga 67% në vitin 2013, në rreth 50% aktualisht. Një seri shitjesh-blerjesh ndodhën gjatë periudhës 2017 – 2019. Por kur grupi Balfin përfundoi blerjen e Tirana Bank ShA të grupit të Pireut, Fondi Monetar Ndërkombëtar, si kurrë më parë, artikuloi jo vetëm shqetësimin e vet për largimin e bankave europiane nga Shqipëria – për “de-europeizimin” e sistemit tonë bankar, por FMN i kërkoi Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera mbikqyrëse “të rrisnin vigjilencën dhe aktivitetin rregullator dhe mbikqyrës”. Sipas FMN, “është e një rëndësie kritike që institucionet Shqiptare” – sidomos BSH dhe Autoriteti i Konkurrencës – “të garantojnë që pjesëmarrësit e rinj në tregun bankar të kenë eksperiencë solide bankare dhe plotësojnë kritere të forta” – pra cilësi dhe standarte, jo vetëm shuka me para – “që të mund të hyjnë në treg”. Në rastin e blerjes së Tirana Bank, grupit Balfin eksperienca bankare ju sigurua nga Kommercijalna Banka AD Skopje, e cila 1 vit pasi transaksioni u mbyll me autoritetet shqiptare, i shiti aksionet e saj tek grupi Balfin dhe u kthye në Shkup.
Por, nëse gjatë periudhës 2017 – 2019 të gjitha shitblerjet e aksioneve dhe largimet e bankave europiane nga Shqipëria kishin të bënin me institucione bankare relativisht të vogla, FMN i tërhoqi vëmendjen autoriteteve, se “një largim i papritur, apo ndryshim portofoli në një prej bankave të mëdha të mbetura në vend, do mund të çonte tek destabilizimi i monedhës dhe i tregut të bonove të thesarit.”
Në vijim të këtyre paralajmërimeve FMN i tha institucioneve mbikqyrëse të tregut financiar se “me kalimin e pronësisë nga duar europiane në duar shqiptare, roli i tyre për ndalimin e kreditimit të palëve të lidhura me pronarët e bankave, me kreditime ndërkufitare dhe ekspozime të mëdha që mund të çojnë në falimentin e bankës është tashmë një rol kritik”. Një skeptik si unë do thoshte: e tha mo e tha, po kujt ja tha.
Në fakt, duhet thënë se kur autorizoi blerjen nga grupi Balfin të Tirana Bank, bankë që renditet e shtata në Shqipëri, Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur shqetësimin (verbatim verbatim) se: “Aksionari kryesor i Tirana Bank, shoqëria Balfin SHPK ka kontrollin e një numri të madh shoqërish si brenda dhe jashtë vendit dhe aktiviteti i Tirana Bank pritet të ndikohet nga veprimtaria ekonomike e shoqërive të kontrolluara nga Balfin SHPK, dhe performanca ekonomike dhe financiare e këtyre shoqërive do të jetë garancia e stabilitetit të Tirana Bank dhe e gjithë sistemit bankar në tërësi”.
Tani imagjinoni se sa i madh është ky shqetësim nëse Raiffesein, banka e tretë në vend, është tashmë e shitur tek një konglomerat shqiptar. Të hyn llapa mren apo jo?!
Shyqyr që ishte ëndërr thuaj. Kushedi çdo thuhej e shkruhej po të ishte e vërtetë ?!