Home KRYESORE Ligji kundër spiunëve/ Të premten nis diskutimi i katër ligjeve të reja...

Ligji kundër spiunëve/ Të premten nis diskutimi i katër ligjeve të reja edhe për komunistët

Shumica socialiste avancon përpjekjen për ti çuar parlamentit amendimet e disa ligjeve, që synojnë ndalimin dhe ndërprerjen e mandatit atyre zyrtarëve nëse u faktohet se kanë dosje bashkëpunimi me ish sigurimin e shtetit.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu mëson se të premten ora 11:00 kryetarja kuvendit Lindita Nikolla do të mbledhë konferencën e kryetarëve.

Në agjendën dërguar pjesëmarrësve në konferencën e kryetarëve, është përcaktuar për diskutim amendimi ligjit për dekriminalizimin, ai për partitë politike si dhe dy projektligje propozuar nga autoriteteti dosje.

Të premten do të diskutohen për të kaluar fillimisht për diskutim në komisionet parlamentare edhe projekt ligji i  depozituar nga fraksioni Alibeaj në PD që synon dekomunistizimit.

Do të jetë konferenca e kryetarëve që do të vendosë për kalimin ose jo në komisionet parlamentare të këtyre mendimeve.

Debati 30 vjeçar për dosjet e ish sigurimit u riaktivizua,  javët e fundit të Korrikut pasi autoriteti dosjeve i  dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i  rëndësishëm me inicialet IM ka bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit.

Aludimet dhe debatet  u përqendruan tek ish presidenti Ilir Meta,  i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish sigurimin.

Zoti Meta përballë këtyre akuzave u mbrojt duke thënë se shumica socialiste ka falsifikuar dosjen dhe do të bënte kallëzim penal për autoritetin e dosjeve.

Ndryshimet me të rëndësishme në tentativën për të pastruar politikën shqiptare nga spiunët,  janë në ligjin e dekriminalizimit.

Në një prej neneve të ligjit ekzistues shtohet një paragraf ku parashikohet se “bashkëpunëtorëve ose të favorizuarve  të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi”.

Kujt i faktohet bashkëpunimi i ndërpritet mandati.

Ndërsa ndryshimi ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në sigurimin e shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie.

Nëse ky ndryshim realizohet atëherë Sali Berisha ish sekretar i parë i PPSH në QSUT, i hiqet e drejta për të vijuar drejtimin e PD.

Top Channel

Share: