Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Lulet ne u a çojmë të vdekurve! Nga cikli ‘Monopatet e...

Lulet ne u a çojmë të vdekurve! Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’!

Nga Çapajev Gjokutaj

Shihja kurorat dhe tufat me lule, që mbuluan varrin dhe thoshja me vete se e ndjera, vështirë të kishte marrë kaq shumë lule gjatë 70 e kusur vjetëve që jetoi.

Në fakt nuk para e kemi traditë të dhurojmë lule. ‘Këtu tek ne lulet i hanë gomerët’, thotë ai personazhi i Ndrenikës te ‘Koncert në vitin 1936’.

Pastaj m’u kujtua Ana Franku kur thotë se të vdekurit marrin më shumë lule se sa të gjallët. Mbase nga që pendimi eshtë shumë më i përhapur se sa mirënjohja.

Vërejtje shumë e thellë për një fëmijë si Ana, thashë me vete dhe solla ndër mend diskutimet në se ditari i saj është origjinal apo i trilluar.

Pa mbaruar mirë me Ana Frankun, m’u kujtua Ollga, një polake e martuar këtu. Herën e fundit që e pashë nga larg, tridhjetë e kusur vjet më parë, në rjetën e psonive kishte disa kokrra patate dhe një tufë lule fushe, blerë te ndonjë fshatar. Kohë tulloni.

Pas një jave i shkova në varrim. Nuk i shpura lule, se burrat s’para shpien lule në varreza. Eshte punë grash😝

Pastaj ndërmenda se mëngjeseve herët, kur dal nga kodrat e liqenit, vajzat e gratë që vrapojnë kundërmojnë aroma parfumesh, kurse djemtë e burrat mbajnë era gjumë. Duket që përtej se disa nuk kanë larë as sytë.

Më në fund u kujtova ku isha dhe nisa të qortoj veten: mendo për të ndjerën, boll u more me veten e me kujtimet e tua.

Pa mbaruar mirë qortimi e pendesa, nisa prapë të meditoj dhe thashë se prirja për të kujtuar turli gjërash gjatë varrimit është mekanizëm vetmbrojtës, na shërben për t’i ikur pikëllimit që ngjallin varrezat.

Justifikohu, justifikohu, përqeshte vetja veten ndërsa, në pikë të diellit prisja radhën e gjatë për t’u dhenë dorën të afërmve. Se kështu e do zakoni. Dhe, mbi të gjitha, duhet të më shihnin që kisha qenë😉

( Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ )

Share: