Mbretëresha e Shebës
Nën mëndafshin e flokëve
fshihen yjet e rraskapitur.
Era pikturon një shëmbëlltyrë…
më të çmuar se brilantët,
më kundërmuese se aromat që
udhëtuan përmes Detit të kuq.
Mbretëresha e Shebës lëkundet
mbi karvanë marramendës.
Dy mijë vjet pa e parë…
Imazhin tënd të skalitur
në pendët e laureshave.
Ia rrëmbeva frymën, flladit të vjeshtës.
Etshëm i gjerba, rrezet e hënës…
derisa koha ndali mbi trokun e shpirtit.
Dhe qielli u tret nga malli,
kur nata qëndisi, gjurmët e tua mbi re.
Borås, 26/8 – 2022