Home KRYESORE Motive poetike nga Gladiola Jorbus

Motive poetike nga Gladiola Jorbus

Në shtratin e hënës
Dimërojnë petalet e dimrit,
nën fjollat e shpresës.
Melodia e kohës tingëllon
mbi kujtimet e shpirtit.
Lulet e borës
pëshpërisin emrin tënd.
Dashuria jonë e mëndafshtë
pret në shtratin e hënës.
Stina e tufanëve shndërrohet
në një fllad të brishtë
që lëmon zambakët e ujit.


Kur s’të prisja më
U ktheve tek unë,
kur s’ të prisja më…
Dhe lulet e portokallit
çelën sërish.
E di që të kam kërkuar
në çdo yjësi qiellore,
në çdo fëshfërimë gjetheje,
në çdo rreze hëne?!
Puthjet e tua prej menteje
luajnë me aromën e mallit.
Dhe pëshpëritjet e mia rrëfejnë
të pathënat e shpirtit.

Kënga e Këngëve
Në sytë e fjetur të kohës
‘’Kënga e Këngëve’’ pëshpërit dashurinë.
Sekretet e perëndeshave rrokullisen me shekujt,
nën kubenë e shenjtë që lindi stuhitë.
Klithmat homogjene të dhembjes njerëzore,
zbresin nga lashtësitë…
si melodi të përvajshme ëndrrash
që micërohen nga marrëzitë.
Ka diçka që ngrihet përtej fjalëve,
përtej barrikadës së gënjeshtrave bardh e zi,
përtej ngadhnjimit të shëmtisë së jetës…
përtej trishtimit e vetmisë.
Kudo në themelet e botës,
Zoti mbjell foshnje,
copëza shpirti të veshura me dritë.
Dhe rrezet e shpresës përndizen,
më shpejt, më shumë se qirinjtë.
Tashmë ditët janë derdhur lumë,
kanë rrjedhur me mijëra netë.
Por ‘’Kënga e Këngëve’’ nga toka ngrihet,
në buzë të qiellit troket.
Borås, 24/08 – 2022

Pezull
Mbetëm pezull… në një tjetër dimension,
ku koha ende nuk ishte ngjizur.
Zemërshtrënguar deri në dhembje, deri në frymën e fundit,
vdisnim dhe ringjalleshim në vorbullën hyjnore të dashurisë.
Kur lindi koha?! Kur nisën shirat e ndarjes pikëlluese?!
Kur na dëbuan nga qielli?!
Do të mbështillja krejt tokën me mantelin e lotëve të mi.
Endem nga njëri skaj i botës në tjetrin,
duke puthur petale vjeshte, veshur me fjolla dimri,
irnosur nga ngjyrat e dhembjes,
në kërkim të parajsës së humbur…
Lumturia zgjat – sa një pulitje sysh…
Dashuria s’mund të varroset e gjallë
në trupin e Evës.

Share: