Home Gjeo-Ekonomia Të legalizohet puna në Angli, ekspertët sugjerojnë mënyra për të frenuar gomonet...

Të legalizohet puna në Angli, ekspertët sugjerojnë mënyra për të frenuar gomonet drejt ishullit

Tik Toku është kthyer edhe në një hapësirë promovimi të kalimit të jashtëligjshëm për në Angli. Përmes pagesave deri në 5500 paund, grupe të ndryshme të paidentifikuara reklamojnë shërbimet e tyre.

“Mos paguani 17-18 mijë paund me kamiona, mjaft u sollët rrugëve të europës, kalim 100% i sigurt me gomone”, janë postimet e ndryshme në rrjete sociale në gjuhën shqipe.

Sipas ekspertëve të sigurisë, shfrytëzimi i rrjeteve sociale për organizime të ndryshme kriminale nuk është fenomen i ri.

“ Pranvera arabe u organizua përmes rrjeteve sociale, ISIS-i i rekrutonte njerëzit edhe elektronikisht…pra rrjetet sociale për organet ligjzbatuese janë telash më vete. Duhet të bësh marrëveshjet përkatëse të privatësisë me Tik Tok-un. Gjithsesi bashkëpunimi i ndërmjetëm mes shteteve do të kishte besoj lehtësim në këtë drejtim”, tha Ergys Muzhaqi, ekspert i sigurisë .

Zgjidhjen e kësaj problematike, ekspertët e shohin te nisja e një hetimi të përbashkët për të ndaluar emigracionin illegal.

Teksa sinjalet janë dhënë përmes rrjeteve sociale për të shtuar numrin e shqiptarëve që braktisin Shqipërinë duke rrezikuar jetën, për ekspertin e sigurisë Ergys Muzhaqin, këto indicie duhet të vënë në punë autoritetet shtetërore.

“Mendoj se mund të ketë një marzh abuzimi të njerëzve që duan të tërheqin vëmendje për klikime, por absolutisht nuk duhet të neglizhohet. Është mirë që institucionet tona në bashkëpunim me palën angleze të fokusohen në këtë drejtim. Lehtësia këtu është mendjelehtësia që trafikantet dalin në rrjete sociale. Mjafton që t’i ndjekësh e të paktën 1 ose 2 goditje mund të bëhen nga dy ose tre palë. Pra nuk mund të përjashtohet zinxhiri gjeografik që kalojnë personat që duan të shkojnë në Angli”, u shpreh Muzhaqi.

Përveçse i rrezikshëm, kalimi i shqiptarëve përmes brigjeve franceze ilegalisht në mënyrë çnjerëzore, sipas Muzhaqit, ky fenomen fuqizon edhe krimin e organizuar.

Ai shpreh shqetësimin se shteti në këtë situatë, duke mos reaguar, po çon shqiptarët ose drejt vdekjes ose drejt krimit.

Largimi i krahut të punës shton eksperti nuk duhet të shihet si vepër kriminale, por të rregullohet ligjërisht me marrëveshje mes Shqipërisë dhe Anglisë.

“Ky në vetvete është një fenomen shqetësues, tregon për dobësinë tonë si shtet. Jo vetëm që shtetasit tanë kanë një uri për të shkuar jashtë për arsye ekonomike, por që edhe qeveritarët tanë janë të paaftë të organizojnë emigracionin siç përshembull e kanë organizuar turqit në vitet 60, apo po e bën sot gjermania me shtetasit e tjerë. Pse qeveria jonë duhet të lejojë që shqiptarët të rrezikojnë jetën, të lulëzojë krimi i organizuar. Meqenëse ka një kërkesë kaq të marr të bëhen marrëveshje dypalëshe, të organizohen ligjërisht të shkojë krahu i punës. Muratori të bëjë muratorin, bariu bariun. Pse duhet të shkojnë e të rrisin hashash? Pse të rrezikojnë në La Mansh?”,shtoi më tej eksperti.

Top Channel

Share: